Barcelona triumfon në Superkupën e Spanjës kundër Real Madridit, fiton trofeun e parë sezonal - NACIONALE

Barcelona triumfon në Superkupën e Spanjës kundër Real Madridit, fiton trofeun e parë sezonal

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka qenë qartësisht më mbizotëruese në finalen e Superkupës së Spanjës, duke mposhtur Real Madridin 3:1. Ky është trofeu i 14-të në këtë kompeticion që katalonasit arrinë ta fitojnë.

E deshi më shumë, luftoi më me vendosmëri dhe ishte më superiore. Barcelona lehtësisht dhe me shumë cilësi mposhti rivalin e përbetuar të saj, gjegjësisht Real Madridin, në finalen e Superkupës së Spanjës. Njëherësh, ky ishte edhe trofeu i parë për Xavin si trajner i kësaj skuadre, prej që ai është emëruar si trajner i saj.

Barcelona e nisi shumë mirë këtë “klasike” futbolli. Në minutën e 33-të ishte mesfushori i talentuar spanjoll, Gavi, ai që shkundi rrjetën për herë të parë në ndeshje, duke kaluar ekipin e tij në epërsi. Pas një pasimi të Lewandowskit, 18-vjeçari i gjendur pranë portës nuk gaboi, duke shënuar për 1:0.

Rolet u ndryshuan pas dymbëdhjetë minutave. Kësaj radhe ishte Gavi ai që asistoi duke gjetur të lirë Lewandowskin, i cili me një nuhatje të golit që ka, nuk mund ta gabonte një rast të tillë shënimi. Ylli polak dyfishoi shifrat në 2:0.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm. Sërish ishte Barcelona ajo që ishte më e qartë në lojë, ndërsa Real Madridi vuante në të gjitha repartet, pa shkëlqyer asgjëkund.

Kështu, për t’i dhënë akoma më shumë shije të përsosur fitores së Barçës, shënoi një tjetër beniamin i skuadrës: Pedri.

Në minutën e 69-të dyshja e talentuar Gavi – Pedri ndërtuan një aksion të mirëfillët, që u finalizua me golin e përfaqësuesit spanjoll Pedri.

Një gol sa për ngushëllimi krejt në fund arriti ta shënojë edhe Benzema. Fituesi i Topit të Artë në minutën e 93-të në brendi të 16-metërshti dërgoi topin në kuadrat të portës.

Një finale e fituar nga Xavi. E para e tij si trajner i Barçës, si dhe trofeu i 14-të që kjo skuadër fiton në Superkupën e Spanjës (Real Madridi ka 12 tituj gjegjës të fituar). Për herë të fundit katalonasit kishin triumfuar në këtë kompeticion më 2022.

Ndërkaq për Real Madridin ishte një paraqitje për t’u harruar – nga më të këqijat e këtij sezoni nëse flasim për ndeshjet e mëdha.

Përmbledhja e ndeshjes Real Madrid - Barcelona:

Lajme të ngjashme