Ballkani triumfues në Superkupën e Kosovës, në një finale të zhvilluar në një qendër stërvitore - NACIONALE

Ballkani triumfues në Superkupën e Kosovës, në një finale të zhvilluar në një qendër stërvitore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani ngadhënjeu në finalen e Superkupës së Kosovës duke mposhtur 1:0 Llapin, duke regjistruar kështu trofeun e parë sezonale. Kjo finale u zhvillua në Antalya, në një qendër stërvitore dhe u përcoll me shumë telashe.

Për herë të parë në histori, Ballkani siguroi trofeun e Superkupës së Kosovës. Pasi u shpallën me plot meritë kampionë në sezonin e shkuar, therandasit tani i gëzohen një tjetër trofeu vendor.

Ndeshja finale që u zhvillua sot në Antalya kundër Llapit, u interpretua mjaft mirë nga të besuarit e trajnerit Ilir Daja. Sido që të jetë, ajo që la shije të keqe ishte vetë fusha dhe impianti në të cilin u vendos që të luhej kjo finale nga FFK, në pajtueshmëri me të dy klubet pjesëmarrëse.

Më shumë sesa një stadium, kjo ishte një qendër stërvitore, ku shiheshin fushat e ndryshme ndihmëse pranë njëra-tjetrës. Kjo ndeshje u zhvillua në "Titanic Football Center". Me një regji krejtësisht qesharake, ku çdo gjë përcillej me vonesë e herë-herë edhe me pengesa të llojeve teknike, si mungesa e audios nga fusha – bëri që kjo finale të dukej një shfaqje amatore. Një dështim organizativ spektakolar i FFK-së (që nuk është i pari).

Sa i përket futbollit të luajtur, që në fillim të ndeshjes ishin kampionët në fuqi ata që kishin nën kontroll lojën, duke qenë edhe më kërkues.

Gjërat nisën të bëheshin akoma më të lehta në minutën e 28-të, kur Bekim Maliqi u përjashtua nga loja për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Nazmi Gripshit.

Maliqi dol mes lotëve dhe pikëllimit pasi bëri një gabim të tillë, duke ia ndërlikuar kështu shumë punët skuadrës së vet.

Nga kjo minutë Ballkani u vërsul edhe më shumë në sulm për ta zhbllokuar rezultatin, me Llapin që u tërhoq i gjithi në gjysmëfushën e vetë.

Megjithatë, goli i epërsisë u vonua deri në minutën e 62-të. Pas një këndore të ekzekutuar për mrekulli nga Armend Thaqi, ishte Lumbardh Dellova, përfaqësuesi i Kosovës, ai që me një goditje shumë të bukur me kokë la të shtangur portierin Avdyli, duke shënuar për 1:0.

Deri në fund të takimit Ballkani vijoi që të mbizotërojë në lojë, duke qarkulluar topin pa ndonjë vështirësi të theksuar.

Kështu, Ballkani konfirmoi këtë fitore, që ia mundësoi fitimin e trofeut të parë për sezonin e sivjetëm dhe - njëherësh – edhe të parin në historikun e saj të klubit kur flasim për Superkupën e Kosovës.

Kujtojmë se Prishtina prin brindshëm si klubi më i trofeshëm në këtë kompeticion, duke pasur plot 10 trofe të fituar në vitrinën e vet. Pas saj me nga 2 kupa pasojnë klubet si Besa, Feronikeli dhe Trepça ’89, ndërkaq me nga një kupë Besiana, Drita, Dukagjini, Gjilani, Hysi, KEK-u, Llamkos Kosova, Llapi dhe së fundi Ballkani.

Lajme të ngjashme