Ballkani i shpëton disfatës kundër Prishtinës falë një penalltie në kohën shtesë
Sot janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 23-të të Superligës së Kosovës, aty ku u zhvilluar kryendeshja e javës mes Prishtinës dhe Ballkanit, me kryeqytetasit që humbën shansin për ta fituar ndeshjen krejt në fund të ndeshjes, pasi nga rezultati 2:0 barazuan në 2:2, ndërsa në anën tjetër Trepça’89 ka barazuar pa gola me Malishevën.
Ky rezultat më së shumti i konvenon Dritës, e cila është në ndjekje të Ballkanit, ndërsa Prishtinës jo edhe aq, pasi ky rezultat e lë prapa në garën për vendin e tretë.
Prishtina – Ballkani
Kryendeshja e javës u zhvillua në Lipjan në stadiumin Sami Kelmendi, aty ku Prishtina po zhvillon ndeshjet si vendas dhe me të drejtë pati vëmendjen kryesore në këtë javë.
Kjo ndeshje ishte me dy fytyra për dy skuadrat. Kampioni në fuqi ishte skuadra dominuese në pjesën e parë në çdo aspekt, ndërsa në të dytën ishte Prishtina ajo që mori krejtësisht lojën në dorë.
Për dallim nga suharekasit të cilët dominuan e nuk konkretizuan në pjesën e parë, Prishtina e Ismet Munishit i konkretizoi rastet për të kaluar në epërsi.
Pas një pjese të parë me shumë raste për Ballkanin, epilogu ishte pa gola, ndërsa me të filluar pjesa e dytë filluan sulmet e bardhekaltërve, të cilët gjetën golin shpejt.
Golin e epërsisë e shënoi qendërmbrojtësi Bujar Pllana, pas një harkimi nga Endrit Krasniqi nga rivënia këndore në minutën e 51-të për rezultatin 1:0.
10 minuta më vonë, Endrit Krasniqi me një goditje të fortë shënoi për 2:0, kësaj radhe në rolin e asistuesit ishte Leotrim Kryeziu.
Ballkani nuk po arrinte të gjente ritmin e pjesës së parë dhe shumë rrallë dilte në anën e Prishtinës. Në një nga rastet e rralla erdhi goli për ta.
Zhvillohej minuta e 80-të kur Nazmi Gripshi shënoi gol fantastik për ngushtimin e rezultatit në 2:1.
Ndërsa për golin e rezultatit përfundimtar u përkujdes golashënuesi më i mirë i kampionit në fuqi, Albion Rrahmani që shënoi nga penalltia e fituar nga vet ai në minutat shtesë të takimit.
Trepça’89 – Malisheva
Ndeshja e skuadrave të fundit të tabelës përfundoi pa gola, me dy skuadrat që kishin shanset e tyre për të shënuar, por portierin e skuadrave respektive treguan formë të lartë, për të mohuar çdo tentim-goli në drejtim të tyre.
Kështu me rezultatin pa gola, Malisheva nuk përfitoi nga gabimi i Dukagjinit dje dhe vazhdon të mbetët në vendin e shtatë, ndërsa mitrovicasit një pozitë më poshtë, vend ky që luan në play-off për qëndrimin apo jo në Superligë.