Ballkani sot e pret Astanën në Fadil Vokrri, synohet fitorja nga ‘Xhebrailat’
Kampioni i Kosovës, Ballkani, sot do ta presë skuadrën nga Kazakistani, Astanën, në kuadër të xhiros së tretë të grupeve të Ligës së Konferencës, ku ‘Xhebrailat’ synojnë fitore ndaj një skuadre që ende nuk e ka shijuar këtë ndjesi në këtë sezon të garave evropiane.
Me tre pikë nga dy ndeshje, Ballkani është e dyta në Grupin C. Humbën në javën e parë nga Viktoria Plzen 1:0, ndërsa befasuan gjigantin kroat duke e mposhtur 2:0 me golat e Almir Kryeziut e Walid Hamid.
‘Xhebrailat’ do të hyjnë në këtë ndeshje me synimin që të marrin fitoren e dytë radhazi, duke parë që vijnë edhe nga rezultate të mëdha në Superligën e Kosovës, ku në xhiron e fundit fituan me përmbysje ndaj Lirisë 4:1, duke vazhduar në krye me 23 pikë, dy më shumë se ndjekësi më i afërt Drita.
Në anën tjetër, Astana është e fundit në Grupin C, pasi ka humbur të dy ndeshjet deri më tani. 5:1 humbën nga Dinamo dhe 2:1 nga Plzen. Një humbje tjetër sot, do të thoshte që gjasat e tyre të ishin shumë të vogla për të kaluar në raundin e eliminimeve direkt.

Kampioni i Kosovës do ta ketë sot për herë të parë përballë Astanën, një skuadër që ndonëse nuk po kalon në momente të mira, ka përvojën në garat evropiane, madje ka luajtur edhe në grupet e Ligës së Konferencës.
Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 18:45 në stadiumin Fadil Vokrri, në Prishtinë.

