Ballkani, Drita e Prishtina kalojnë në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës, Fushë Kosova eliminohet nga 2 Korriku
Sot në kuadër të 1/16 të Kupës së Kosovës janë zhvilluar 10 ndeshje, nga ku kampioni i Kosovës, Ballkani, kaloi tutje në fazën tjetër, me Dritën, Prishtinën e Dukagjinin në mesin e skuadrave që iu bashkangjitën, ndërsa Fushë Kosova u eliminua pas humbjes nga 2 Korriku.
Kalimin tutje dje e siguruan Llapi e Malisheva, ndërsa përballjet e kësaj faze do të vazhdojnë edhe për dy ditët në vijim.
Ballkani hyri në ndeshje si favorit, por që deri në minutat e fundit e pati problem ta thyente mbrojtjen e Drenicës, me portierin Altin Gjokaj që tregoi formë të lartë në këtë përballje.
Ishte Nazmi Gripshi që gjeti rrjetën në dy raste, fillimisht në minutën e 77-të e pastaj në të 85-tën, për rezultatin përfundimtar 2:0, me të cilin kampioni i Kosovës kualifikohet në 1/8 e finales.
Drita në anën tjetër pati punë të lehtë, pasi mposhti 9:0 skuadrën Dardania, me katër gola të shënuar në pjesën e parë dhe pesë të tjerë në pjesën e dytë.
Prishtina me vështirësi të madhe eliminoi Rahovecin, ku falë golit të vetëm nga Jalen Blesa i shënuar nga penalltia, e siguruan një vend në mesin e 16 skuadrave në Kupë të Kosovës.
Dukagjini me dy golat e Blerind Morinës dhe një nga Granit Elezajt, e mposhti Flamurtarin 3:0.
Ndërsa një nga befasitë më të mëdha të kësaj xhiro është humbja e Fushë Kosovës nga 2 Korriku, pasi ishte duke fituar në pjesën e parë, por skuadra mysafire shënoi tre gola në pjesën e dytë, për rezultatin përfundimtar 3:1.
Në fazën tjetër kalojnë edhe Vëllaznimi e Feronikeli 74, ndërsa tre ndeshje tjera kanë shkuar në vazhdime.
Kujtojmë se 1/16 e finales vazhdon në dy ditët në vijim, deri në përfundimin e çifteve për 1/8 e finales.
