Llapi triumfon me lehtësi ndaj Phoenix, kualifikohet në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës, Malisheva fiton me përfundim dramatik ndaj Kikës
Llapi ka shënuar fitore ashtu siç pritej ndaj Phoenix me rezultat 4:1, në ndeshjen që u zhvillua në Zahir Pajaziti në kuadër të 1/16 të Kupës së Kosovës, kështu për t'u bërë skuadra e parë që arrin në 1/8 e finales. Në anën tjetër edhe Malisheva ka fituar, por me shumë vështirësi ndaj Kikës, me rezultat 3:2.
Skuadra e Tahir Batatinës ishte dominuese në këtë takim, diçka e pritur, pasi skuadra kundërshtare bënë gara në një rang më poshtë se elita kosovare.
Llapjanët për epërsinë e parë shënuan në minutën e 29-të, kur Hamdi Namani realizoi për 1:0, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit.
I riu Elvir Gashijan pak minuta pasi u inkuadrua në pjesën e dytë e gjeti golin për 2:0.
Arbnor Ramadani shënoi gol të bukur për 3:0 në minutën e 80-të, ndërsa pesë minuta më vonë shënoi edhe i riu tjetër Mërgim Cërnavërni për 4:0.
Krejt çka arriti të bënte skuadra e Faruk Statovcit në këtë ndeshje ishte një gol ngushllyes i shënuar nga Enis Miranaj, që ishte një gol i jashtëzakonshëm, për rezultatin përfundimtar 4:1.
Kështu Llapi bëhet skuadra e parë që arrin në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës.
Në anën tjetër, me një përfundim dramatik Malisheva e ka mposhtur Kikën, për ta ndjekur rrugën e Llapit, pra kualifikimit në 1/8 e finales.
Ndeshja e zhvilluar në Liman Gegaj prodhoi pesë gola, ku pas 45 minutave të para ishte Kika në epërsi 1:0, por që Malisheva përmbysi në një moment gjithçka, duke shënuar dy gola.
Kika shënoi sërish, kësaj radhe për ta barazuar rezultatin, por një gol në minutat e fundit nga Malisheva bëri që ndeshja të fitohej 3:2.
Llapi e Malisheva janë skuadrat e para të kualifikuara, kurse në tre ditët në vazhdim do të zhvillohen edhe përballjet tjera, për t'u kompletuar çiftet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës.