Ballkani do të përballet me Shkupin për një vend në Ligën e Konferencës
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka arritur që të kualifikohet në fazën e play-offit të Ligës së Konferencës pas fitores në penallti ndaj skuadrës së Ishujve Faroje me rezultat 4:3. Tani suharekasit do të përballen me Shkupin për një vend që dërgon në garën e tretë evropiane për nga rëndësia.
Ndeshja e parë mes Ballkanit dhe Shkupit, do të zhvillohet më 18 gusht në Maqedoni të Veriut, ndërsa një javë më vonë, saktësisht më 25 gusht, zhvillohet ndeshja e kthimit në Fadil Vokrri.
Arritja në play-off të një gare evropiane është suksesi më i madh deri më tani i një skuadre kosovare, pasi që këtë asnjëra nga skuadrat më parë nuk e kishte arritur, ndonëse deri në fazën e tretë ishin edhe dy skuadrat tjera, si Drita dhe Prishtina.

Nga ana tjetër, Shkupi arriti në play-off të Ligës së Konferencës, pasi që dy ditë më parë u mposht nga Shamrock Rovers, me rezultat të përgjithshëm 5:2.
Rrugëtimi i të dy skuadrave në garat evropiane
Si Ballkani ashtu edhe Shkupi të dy skuadrat kampanjën e filluan në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, pasi dy skuadrat respektive u shpallën kampion në ligat vendore në sezonin paraprak.
Kampioni i Kosovës u eliminua që në fazën e parë të kësaj gare, duke u mposhtur nga skuadra lituaneve, Zalgiris në vazhdime, pasi që rezultati gjatë 180 minutave ishte 1:1, por në vazhdime ishin të pafat duke u mposhtur me rezultat të përgjithshëm 2:1.
Meqë rrugëtimi në Ligën e Kampionëve mbaroi, Ballkani u kthye në Ligën e Konferencës në fazën e dytë të kualifikimeve, ku si kundërshtar kishte La Fioritan, kampionen e San Marinos.

Ashtu edhe siç pritej Ballkani i mposhti sanmarinezët me rezultat të thellë 10:0 nga dy ndeshjet, për të arritur në fazën e tretë.
Faza e tretë siç u cek më lartë, kampionin e Kosovës e përballi me Klaksvik, dhe me fitoren në penallti ndaj tyre, është afër të shkruaj historinë si skuadra e parë kosovare që merr pjesë në një garë evropiane.
Shkupi në anën tjetër si kampione në ligën elitare të Maqedonisë së Veriut, arriti edhe ta kalojë fazën e parë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve, ku me rezultat të ngushtë 3:2 nga dy ndeshjet e mposhti Lincoln Red Imps.
Por që në fazën e dytë të kësaj gare u mposhtën nga gjiganti kroat, Dinamo Zagreb, edhe pse në ndeshjen e parë të zhvilluar në Kroaci, Shkupi arriti të nxjerrë një barazim. Rezultati i përgjithshëm nga ajo ndeshje ishte 3:2 në të mirë të kroatëve.
Me eliminimin nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ata erdhën direkt në fazën e tretë të kualifikimeve në Ligën e Evropës, ku u mposht bindshëm nga Shamrock Rovers, por edhe pse u mposht ëndrra evropiane për ta nuk përfundoi, pasi që tani gjendet në fazën e play-offit të Ligës së Konferencës.
Ashtu si Ballkani edhe Shkupi asnjëherë nuk ka arritur në fazën grupore të ndonjë gare evropiane, kështu që të dy këto klube do t’i luajnë shanset e tyre për të shkruar historinë.



