Ballkani shkruan historinë duke kaluar në play-off të Ligës së Konferencës, pasi e mposhti Klaksvikun në penallti - NACIONALE

Ballkani shkruan historinë duke kaluar në play-off të Ligës së Konferencës, pasi e mposhti Klaksvikun në penallti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani është klubi i parë kosovar që arrin deri në fazën play-off të kualifikimeve për një garë evropiane, pasi eliminoi Kl-Klaksvikun në rrethin e tretë kualifikues për Ligën e Konferencës.

Pasi fitoi në “Fadil Vokrri” me rezultat 3:2, kampioni i Kosovës arriti të sigurojë kualifikimin duke fituar në penallti (3:4) pasi rezultati pas 120 minutave lojë doli të jetë 2:1 (4:4 i përgjithshmi) për skuadrën nga Ishujt Faroe.

Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar me dy skuadrat që kishin raste të mira.

Meriton Korenica pas 14 minutave lojë rrezikoi vendasit me një goditje nga distanca, që përfundoi jashtë portës.

Albion Rrahmani kishte një rast të artë pas një gabimi në mbrojtje, por dështoi keq nga afërsia duke gjuajtur mbi portë.

Që të jemi më të qartë, Ballkani gjeti golin përmes Korenicës, por që u anulua për pozitë jashtë loje.

Kështu, epilogu i pjesës së parë doli të jetë 0:0. 45-minutëshi i dytë ishte edhe më interesant.

Kl-Klaksvik shtoi presionin duke goditur dy herë traversën e Ballkanit e pastaj edhe kaluan në epërsi. Ishte Mads Mikkelsen që kaloi vendasit në epërsi me një gjuajtje të fuqishme nga afërsia pas një asistimi të Arni Frederiksberg (65').

Mirëpo, pas golit të pranuar Ballkani nuk u dorëzua dhe provoi të barazonte rezultatin, të cilën e arriti përmes një eurogoli të Ermal Krasniqit nga distanca që la në gjumë portierin vendas (83’).

Por, Klaksvik sërish arriti të kalojë në epërsi duke gjetur golin gjashtë minuta më vonë. Mbrojtësi i krahut Patrick Da Silva realizoi me një vollej nga afërsia, pas një ‘tollovie’ duke dërguar sfidën në kohë shtesë, me rezultatin e përgjithshëm që doli të jetë 4:4.

Në vazhdime, Klaksvik provoi të përfitonte nga një gabim në mbrojtje i “Xhebrailave”, por Armend Thaqi largoi topin në çastet e fundit. Tutje, dy skuadrat provuan të krijojnë aksione por nuk gjetën aspak golin duke zhvilluar lojë më shumë në mesfushë.

Kështu, fituesi i përcaktua nga pika e bardhë. Ballkani u tregua më i saktë, falë pritjeve të mrekullueshme të Damir Ljuljanovic, që ia mohoi golin dyshes Holvad dhe Danielsen.

Fitoren në penallti e vulosi talenti Lindon Emërllahu pasi Qëndrim Zyba dështoi nga pika e bardhë.

Kështu, Ballkani në raundin e play-off do të përballet me Shkupin. Ndeshja e parë do të jetë më 18 gusht, derisa ajo kthyese më 25 gusht.

Lajme të ngjashme