Ballkani debuton kundër Cluj në Ligën e Konferencës, ky është orari i të gjitha ndeshjeve të saj në grupin G - NACIONALE

Ballkani debuton kundër Cluj në Ligën e Konferencës, ky është orari i të gjitha ndeshjeve të saj në grupin G

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani do të debutojë në Ligën e Konferencës kundër klubit rumun Cluj, me ndeshjen hapëse të fazës grupore më 8 shtator në Prishtinë.

Kampioni i Kosovës e pret Clujin në stadiumin Fadil Vokrri mbrëmjen e enjtes së 8 shtatorit, para se të udhëtojë drejt Republikës së Çekisë për t’u takuar me Sptarta Prahan në ndeshjen e dytë në Grupin G.

Në ndeshjet tre dhe katër të fazës grupore, klubi nga Suhareka përballet me Sivassportin në Turqi dhe Prishtinë, përkatësisht.

Ballkani do jetë nikoqir i Prahas në Prishtinë dhe pastaj do të udhëtojë drejt Rumanisë për t’u përballur me Cluj në ndeshjen përmbyllëse të grupit.

Ballkani u bë klubi i parë kosovar që kualifikohet në një garë të madhe evropiane, pasi e tejkaloi Shkupin në play-off të kualifikimeve për një vend në fazën gruporë të Ligës së Konferencës të enjten.

Kampioni i Kosovës e mposhti 1:0 një Shkup, që luajti tërë kohën me 10 futbollistë në ndeshjen e kthimit, falë golit të Meriton Korenicës në Fadil Vokrri, dhe e siguroi një vend në fazën grupore në garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian me rezultat të përgjithshëm 3:1 pas dy ndeshjeve.

Asnjë klub kosovar nuk ka arritur të marrë pjesë në njërën prej tri garave të UEFA-s, Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës apo Ligën e Konferencës, pas pranimit të vendit në shtëpinë e futbollit evropian.

Më së largu që një klub kosovar kishte arritur deri sivjet ishte rrethi i tretë kualifikues i Ligës së Konferencës.

Ballkani ia doli ta bëjë këtë në tentimin e parë, pasi asnjëherë më parë nuk kishte marrë pjesë në kualifikime për një garë evropiane.

Ballkani ishte në vazon e katërt në shortin e hedhur dje në Stamboll të Turqisë dhe ishte me fat që shmangi disa grupe shumë më të vështira se Grupi G.

Lajme të ngjashme