Ballkani - Cluj: Analizë, statistikë, vlerat e dy skuadrave dhe formacionet e mundshme - NACIONALE

Ballkani - Cluj: Analizë, statistikë, vlerat e dy skuadrave dhe formacionet e mundshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, Ballkani ditën e enjte do të debutojë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ku në shtëpi do të përballet me skuadrën rumune CFR Cluj.

"Xhebrailat" pasi bënë historinë, duke u bërë skuadra e parë që kualifikohet në grupe të Evropës, synon që tani të bëjë "mrekullinë" në ndeshjet e radhës.

Në xhiron e parë të Ligës së Konferencës, skuadra e Ilir Dajës përballë ka Cluj, skuadër kjo që favorizohet shumë nëse shohim statistikat.

Fillimisht e nisim me vlerat e dy skuadrave. Në "Transfermarkt", mysafirët janë dukshëm më të vlerësuar me skuadrën që kushton 29.05 milionë euro, për dallim nga Ballkani që kushton vetëm 4.18 milionë euro.

Futbollisti më i shtrenjtë të rumunët padyshim është qendërmbrojtësi Andrei Burca me 4 milionë euro, ndjekur nga mbrojtësi i krahut të djathtë Cristian Manea me 2.7 milionë euro dhe qendërsulmuesi Gabriel Debeljuh me 2.2 milionë euro, fatmirësisht për Ballkanin ky është i lënduar dhe nuk do të paraqitet në "Fadil Vokrri".

Kurse, te Ballkani - Ermal Krasniqi mbetet më i vlerësuari me 350 mijë euro, ndjekur nga Armend Thaqi dhe kapiteni Edvin Kuc me 300 mijë euro, por ky i fundit mungon shkaku i lëndimit.

“Mund ta konfirmojë që Kuc do të mungojë. Është një mungesë shumë e rëndësishme për ne, pasi që me të në fushë, ekipi duket më i kompletuar, por do mundohemi që me lojtarët që kemi në dispozicion ta bëjmë më të mirën”, ishte deklarata e Dajës dje në konferencë për shtyp që konfirmon mungesën e Kuc.

Mënyra e lojës: Cluj shumë ofensive dhe klasike në formacionin bazë

Nëse shohim ndeshjet e fundit që kanë zhvilluar, trajneri i Cluj, Dan Petrescu zhvillon lojë shumë ofensive me formaionin klasik të preferuar 4-3-3 ose 4-4-2.

Në ndeshjen e fundit në ligë, Cluj luajti 4-3-3 kundër Boluntari duke fituar me rezultat 4:0, ku të tre sulmuesit që ishin nga fillimi kishin gjetur rrugën drejtë rrjetës.

Vlen të ceket që Petrescu gjithashtu ka rezerva të shumta, ku xhiron e fundit ai inkuadroi në lojë dy qendërsulmues duke ndryshuar formacionin në 4-4-2.

Sa i përket Ballkani, tashmë dihet që trajneri shqiptar Ilir Daja preferon 4-2-3-1, ku shumicën e rasteve provojnë nga Armend Thaqi që jep harkime të shkëlqyeshme, e që shpesh e ka gjetur Albion Rrahmanin.

Formacionet e mundshme:

Tashmë pak a shumë dihen edhe formacionet e mundshme, meqenëse të dy trajnerët nuk është që bëjnë zëvendësime.

Ballkani pritet të mos bëjë ndryshime, përpos mungesës së Kuc, që mund të zëvendësohet më gjasë nga Qëndrim Zyba.

Formacioni i mundshëm i Ballkanit (4-2-3-1): Frashëri; Thaqi, Jashanica, Dellova, Thaqi; Emërllahu, Zyba; Gripshi, Korenica, Krasniqi; Rrahmani.

Ndërsa, Cluj pritet ta nis me këtë formacion titullar (4-3-3): Scuffet; Manea, Matias, Burca, Camora; Deac, Boateng, Cvek; Yeboah, Betancor, Petrila.

Për fund, kujtojmë se përballja mes Ballkanit dhe Cluj zhvillohet në "Fadil Vokrri" me fillim nga ora 18:45.

Lajme të ngjashme