Dita e ndeshjes: Ballkani debuton në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, do ta presë Clujin
Kampioni i Kosovës, Ballkani ditën e enjte do të zhvillojë përballjen kundër CFR Cluj, në kuadër të xhiros së parë për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
"Xhebrailat" u bënë skuadra e parë kosovare që mbërrin në një fazë grupore, derisa tani synon të bëjë historinë me një kualifikim, pavarësisht që do të jetë shumë e vështirë.
Për ndeshjen e parë, Ballkani do ta zhvillojë në shtëpi, pra në stadiumin "Fadil Vokrri", ndaj skuadrës rumune CFR Cluj.
Edhe pse mysafirët shihen si favoritë, ditën e mërkurë - trajneri Ilir Daja në konferencë për shtyp theksoi se hynë për fitore.
“Ekipet që kemi përball janë më favorite. Ne do të promovojmë me forcën tonë. Nuk jemi në raporte të barabarta, vijnë më të freskët se ne, sepse s’kanë luajtur në fundjavë. Shpresojmë që nesër të gjejmë djemtë në formën më të mirë”, deklaroi Daja.
Ai gjithashtu konfirmoi mungesën e kapitenit Edvin Kuc, i cili u lëndua në sfidën e të dielës kundër Prishtinës.
“Mund ta konfirmojë që Kuc do të mungojë. Është një mungesë shumë e rëndësishme për ne, pasi që me të në fushë, ekipi duket më i kompletuar, por do mundohemi që me lojtarët që kemi në dispozicion ta bëjmë më të mirën”.
Kurse, mbrojtësi Lumbardh Dellova shtoi se duan rezultat pozitiv dhe që tashmë janë mësuar me këso ndeshjesh.
"Duke marrë parasysh që kundërshtari ka traditë në këtë nivel të garave, ne jemi përgatitur maksimalisht dhe do ta japim më të mirën të gjithë të fokusohemi në ndeshje dhe të kërkojmë rezultat pozitiv. Jemi të mësuar nga emocionet e ndeshjeve evropiane dhe nuk jemi të ngarkuar emocionalisht. Nuk do të jetë ndonjë problem kjo për ne".
Nga ana tjetër, trajner i skuadrës rumune, Dan Petrescu gjithashtu e vlerësoi sfidë të vështirë, por njëkohësisht kërkon pikët e plota edhe pse shtoi se gjasat janë 50-50.
“Çdo ekip që hyn në fushë dëshiron të fitojë. Nuk mendoj se ka ndonjë ekip në grupet evropiane që nuk dëshiron të fitojë. Nuk mund të arrish këtu nëse nuk ke vlera. Në grupin tonë nuk ka skuadra të vogla apo të mëdha, është një grup i balancuar”.
“Tifozët, emocionet, mënyra se si luajnë më bëjnë të mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Kam parë disa ndeshje, më pëlqeu ajo që pashë. Kundërshtari do ta jep më të mirën në ndeshjen kundër nesh dhe gjasat janë 50-50”, deklaroi Petrescu.
Kujtojmë, se përballja mes Ballkanit dhe Cluj do të zhvillohet me fillim nga ora 18:45.