Bale e këshillon Messin: Në MLS e pranojnë humbjen më lehtë
Ish-ylli i Real Madridit, Gareth Bale, i ka dhënë një këshillë Lionel Messit, sa i përket Major League Soccer, ku tha se atje presioni për të fituar është më i vogël dhe i pranojnë humbjet më lehtë.
Në fillim të këtij muaji, Messi njoftoi se synon t'i bashkohet klubit të MLS Inter Miami pas largimit të tij nga Paris Saint-Germain, megjithëse një marrëveshje ende nuk është finalizuar.
Fituesi i Kupës së Botës 2022 ishte i lidhur me një rikthim në ish-klubin e tij Barcelonën, por vendosi të transferohej në Shtetet e Bashkuara dhe tha se dëshironte të shijonte futbollin e tij "në një mënyrë më të qetë".
Barcelona për vendimin e Messit lëshoi një deklaratë ku tha se ai ka vendosur të garojë në një ligë me më pak kërkesa.
Bale, i cili e përfundoi karrierën e tij të futbollit në MLS te Los Angeles, ra dakord që Messi do të gëzonte një jetë më të lehtë në ShBA pa qendër të vëmendjes për të fituar çdo javë.
“Është shumë më relaksuese”, tha Bale për BT Sport. “Nëse humbet në Real Madrid, është sikur bota të ketë marrë fund. Ju jeni të kryqëzuar. Ndiheni keq. Shkoni në shtëpi dhe nuk jeni të lumtur. Në MLS ata pranojnë të humbasin pak më shumë. Nuk ka asnjë pasojë. Nuk mund të biesh më poshtë. Kur humbet një ndeshje kalon në tjetrën. Ata pranojnë të humbasin në mënyrë më të lehtë. Ata dinë të humbasin, por ata festojnë çdo fitore sikur të keni fituar kampionatin. Ai patjetër do ta shijojë atë."

Vitin e kaluar përpara se të shpallte pensionimin e tij, Bale iu bashkua LAFC-së në një marrëveshje 12-mujore dhe i ndihmoi ata të siguronin trofeun e tyre të parë të madh duke mundur Philadelphia Union me penallti në finalen e Kupës MLS.
Në fillim të kësaj jave, pronari i Inter Miami, Jorge Mas, u tha gazetarëve se klubi po planifikon që Messi të debutojë më 21 korrik në një ndeshje të Kupës së Ligës kundër Cruz Azul të Liga MX .



