Atletët më të paguar: Ronaldo e rrëzon Messin nga froni, Federeri ende në top 10 edhe pse i pensionuar - NACIONALE

Atletët më të paguar: Ronaldo e rrëzon Messin nga froni, Federeri ende në top 10 edhe pse i pensionuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ylli i Al-Nassr, Cristiano Ronaldo, e ka rrëzuar Lionel Messin nga kreu i listës së Forbesit për atletët më të paguar në botë për vitin 2023, ndërkohë që Roger Federer vazhdon të jetë ndër 10 atletët më të paguar edhe pse u pensionua vitin e kaluar.

Ronaldo është atleti më i paguar në botë me 136 milionë dollarë (123 milionë euro), duke e zbritur Messin në vendin e dytë me 130 milionë dollarë (117 milionë euro).

Sulmuesi portugez u detyrua të largohej nga Manchester Unitedi në dhjetor të vitit të kaluar pas fjalëve të rënda ndaj klubit.

Megjithëse shkoi në Arabinë Saudite ku cilësia e futbollit lë shumë për të dëshiruar, Ronaldo nuk ka vuajtur aspak nga ana financiare, sepse 38-vjeçari i fiton hiç më pak se 123 milionë euro brenda vitit nga paga në Al-Nassr, bonuset, si dhe nga marrëveshjet me sponsorët.

Atleti i tretë më i paguar në botë është po ashtu një futbollist, bashkëlojtari i Messit te Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, me 108 milionë euro në vit.

Ronaldo është tani lojtari më i paguar në histori dhe kjo i ka ndihmuar të jetë atleti më i paguar në botë për herë të parë që prej vitit 2017, sipas revistës Forbes.

Ndërkohë, legjenda e tenisit Roger Federer, i cili u vuri reketin në gozhdë në shtator të vitit të kaluar, kur e luajti ndeshjen e fundit në karrierë përkrah rivalit të madh dhe mikut Rafael Nadal në Laver Cup – turne që e krijoi vetë më 2017 – është në mesin e 10 atletëve më të paguar në botë, duke u renditur i nënti me 86 milionë euro.

Për dallim nga atletët e tjerë në top 10-she të cilët gjysmën e fitimeve i kanë nga pagat, zvicerani 41-vjeçar të gjitha fitimet i ka nga sponsorët.

Marrëveshjet e tij me shumë sponsorë kanë mbetur të paprekura edhe pas pensionimit të tij nga loja e tenisit.

Top 10-shën e kompletojnë basketbollistët Lebron James (4), Stephen Curry (8) dhe Kevin Durant (10), lojtarët e golfit Dustin Johnson (6) dhe Phil Michelson (7), si dhe boksieri Canelo Alvarez (5).

Lajme të ngjashme