Asgjë nuk ka mbaruar pavarësisht fitores 5:2 – thotë Carlo Ancelotti
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka këmbëngulur se skuadra e tij nuk ka kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pavarësisht se e mundi 5:2 Liverpoolin në ndeshjen e parë të rrethit të 16 më të mirëve në Anfield të martën.
Triumfi i Madridit, i cili u arrit pavarësisht se po humbiste 2:0 pas 14 minutave të parë, është disfata më e thellë e Liverpoolit në historinë e garës evropiane pas asaj 5:1 kundër Ajaxit në Amsterdam.
Vinicius Junior dhe Karim Benzema me nga dy gola dhe Eder Militao me një sosh i ndihmuan Madridit ta mposhtë Liverpoolin me rikthim të jashtëzakonshëm, pasi Darwin Nunez dhe Mohamed Salah e kishte kaluar në epërsi të dyfishtë skuadrën vendase.
Por duke qenë se Liverpooli ka histori të njohur për rikthimin e rezultateve dramatike në Ligën e Kampionëve – si triumfet kundër Milanit dhe Barcelonës më 2005 dhe 2019, përkatësisht, pasi po humbiste me nga tri gola dallim – trajneri i Madridit Ancelotti theksoi pas ndeshjes së përballja mes tyre nuk ka përfunduar, pasi është edhe loja e kthimit në Madrid.
“Kjo është vetëm pjesa e parë e një përballjeje të eliminimit direkt. Shkoi në favorin tonë, por ne duhet të paramendojmë se në ndeshjen e kthimit duhet të vuajmë dhe të punojmë fort”, tha Ancelotti.

“Natyrisht, ne nuk pritëm ta nisim ndeshjes siç e nisëm, por kur po humbnisim 2:0 po mendoja për ndeshjen kundër Manchester City vitin e kaluar dhe po shpresoja se do ta bënim të njëjtën edhe këtu, por ia dolëm edhe më mirë në këtë ndeshje”.
Ai shtoi: “Liverpooli është ekip madhështor që na bëri të vuajmë në pjesën e parë, prandaj do të thosha, fatkeqësisht, asgjë nuk ka përfunduar. Në asnjë mënyrë”.
Ndeshja e kthimit në Madrid do të zhvillohet në fillim të muajit mars.
