Arteta e përshëndet me fjalim emocional Bellerinin drejt Barcelonës
Mbrojtësi spanjoll, Hector Bellerin, e la Arsenalin për t’iu bashkuar skuadrës së fëmijërisë, Barcelonës, pas 11 vite qëndrim te topçinjtë. Pas largimit të tij trajneri spanjoll i londinezeve, Mikel Arteta, ia dedikoj një fjalim emocional lojtarit.
Bellerin iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, me çka mbrojtësi anësor kthehet sërish te skuadra ku u rrit dhe qëndroi për tetë vite duke luajtur në gjeneratat e reja.
Për mbrojtësin 27-vjeç spanjoll Barcelona ka përgatitur një kontratë njëvjeçare, pasi ai gjatë orëve të fundit ka shkëputur marrëdhënien kontraktuale me Arsenalin.
27-vjeçari me Arsenalin ka fituar tre Kupa të Anglisë, ku është paraqitur 239 herë në të gjitha garat, dhe nuk kishte si të mungonin fjalët e teknikut të topçinjve.
Duke folur në konferencën e tij për shtyp, Arteta tha: “Unë e dua atë djalosh, e dua atë që ka bërë për klubin. Ai është një nga lojtarët që kam ndjenja të forta për të dhe e di se ishte ëndërr e tij të luante për Barcelonën, shpresojmë që ai të përmbushë ëndrrën e tij dhe të rikthejë karrierën e tij, sepse ai është ende shumë i ri dhe ka shumë për të dhënë në futboll”.
Arteta dhe Bellerin luajtën së bashku në Arsenal, duke fituar së bashku një FA Cup në 2015. Arteta më vonë u bë trajneri i Bellerinit.

Spanjolli e kaloi sezonin e kaluar si huazim te Real Betis, duke fituar Kupën e Mbretit me andaluzianët kundër Valencias.
Dyshja spanjolle kanë kaluar shumë momente së bashku si bashkëlojtarë dhe relacion lojtar-trajner, ndërsa janë të dy të ardhur nga shteti spanjoll.

Bellerin si pjesë e Barçës nuk do ta ketë fare të lehtë të sigurojë minutat në këmbët e tij, pasi që dihet se skuadra katalunase ka siguruar së fundmi shërbimet e Jules Kounde, i cili luan në pozicionin e njëjtë në fushë.
Përfitimet e mbrojtësit spanjoll në Barcelonën do të jenë relativisht të vogla. Ai do të paguhet rreth 3,5 milionë euro në vit.
Debutimi i Bellerinit me Barcelonën pritet të bëhet në Ligën e Kampionëve në mesjavë kundër Viktoria Plzen, pasi që shihet e pamundur debutimit për momentin në kampionatin spanjoll, pasi që kaltërekuqtë luajnë nesër në udhëtim te Sevilla me fillim nga ora 21:00.
