Arsenal vazhdon me rekordin e të pamposhturit, Man City 'shpartallon' Nottingham Forestin - NACIONALE

Arsenal vazhdon me rekordin e të pamposhturit, Man City 'shpartallon' Nottingham Forestin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Arsenal ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Aston Villas (2:1), derisa Manchester City ka demoluar Nottingham Forestin (6:0).

“Topçinjtë” fituan sfidën që doli të jetë mjaftë e vështirë me rezultat të ngushtë 2:1 midis "Emirates Stadium".

Arsenal nisi të sulmojë nga minutat e para duke rrezikuar përmes Bukayo Saka e Gabriel Jesus, mirëpo ish bashkëlojtari i tyre Emiliano Martinez i ndaloi të dyja gjuajtjet me super pritje.

Saka kishte një rast të artë, por që bëri një huqje tejet të madhe nga afërsia edhe pse porta ishte plotësisht e zbrazur (24').

Sidoqoftë, disa minuta më vonë Gabriel Jesus përfitoi nga top i kthyer prej gditjes së Granit Xhakës për të vendosur Arsenalin në epërsi (30').

Edhe në pjesën e dytë, vendasit ishin më të mirë duke dominuar tërë kohën dhe rrezikuar përmes Martin Odegaard, gjuajtja e të cilit u devijua në fund.

Aston Villa në fakt u këndell duke barazuar përmes Duoglas Luiz, që realizoi një eurogol nga rivendja këndore, duke lënë të shtangur Ramsdale (74').

Sidoqoftë, vetëm dy minuta më vonë, Saka harkoi për Gabriel Martinellin që me një gjuajtje fantastike ktheu epërsinë e Arsenalit, që në fakt doli të jetë rezultati përfundimtar në këtë sfidë (77').

Kështu, Arsenal merr fitoren e pestë radhazi në Premierligë, duke qenë lider në tabelë me 15 pikë, derisa Aston Villa qëndron në pozitën e parafundit me tre sosh.

Ndërsa, në sfidën tjetër kampioni i Anglisë shënoi fitore shumë të thellë ndaj Nottingham Forestit me rezultat 6:0.

"Qytetarët" ishin thjeshtë të jashtëzakonshëm me sulmuesin Erling Haaland që shkëlqeu me het-trik për vetëm 38 minuta.

Haaland i dha epërsinë Man Cityt në minutën e 12-të të lojës duke shënuar nga afërsia pas një harkimi të bukur të Phil Foden (12').

Pas një kundëraksioni të shpejtë, anglezi pasoi sërish për norvegjezin që e kishte të lehtë të realizonte në portën e zbrazur (23').

Ndërsa, het-trikun e kompletoi duke shënuar me kokë pas një asistimi të bukur të John Stones (38'), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.

Man City vazhdoi të jetë shumë më i mirë edhe në pjesën e dytë, ku shënuan edhe tre herë për të vulosur fitoren.

Ishte mbrojtësi i krahut të djathtë, Joao Cancelo që shënoi një eurogol nga distanca pas një asistimi të Bernardo Silvas për epilogun 4:0 (50').

Ndërsa, golin e parë të tij në Premierligë e shënoi futbollisti më i ri Julian Alvarez që shënoi nga afërsia pas asistimit të Riyad Mahrez (65').

Mahrez kishte edhe një rast tejet të mirë, por që dështoi keq nga afërsia.

Alvarez nuk u ndal me vetëm një gol, duke vulosur fitoren tre minuta pa përfunduar koha e rregullt (87’).

Kështu, Man City merr fitoren e radhës në Premierligë, ku tani renditët e dyta me 13 pikë të mbledhura, derisa Nottingham bie në pozitën e 15-të me katër sosh.

Lajme të ngjashme