Arbër Zeneli na e rikujton se ai është lojtari më i mirë i Kosovës dhe se i duhet asaj
Asnjë lojtar s’e ka hijeshuar fanellën e Kombëtares së Kosovës si Arbër Zeneli. Askush nuk i ka bërë rreth 13 mijë tifozë në Fadil Vokrri të ngrihen nga karriget e tyre nga ngazëllimi si Arbër Zeneli. Dhe nëse diçka i ka munguar Kombëtares në këto dy vitet e fundit, ka qenë pikërisht Zeneli dhe futbolli i tij shpërthyes. Vetëm kujtojeni ndeshjen Kosovë (4:0) Azerbajxhan në vitin 2018 në Prishtinë pas së cilës u promovuam në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Pas dy viteve vuajtjeje nga lëndimet, këtë të diele ai shfaqi një shkëndijë të rikthimit të Zenelit të vjetër tamam në kohën kur Kosova do të përgatitet për ndeshjet e shumta të qershorit. Goli i tij në disfatën e Stade de Reims kundër Lens ishte aq magjik sa golat e tij në Fadil Vokrri.
Zeneli e mori topin në krahun e majtë të fushës dhe u fut në zonë duke e dribluar një mbrojtës, para se ta godiste topin me pjesën e brendshme të takës për ta çuar lart në cepin e majtë të portës. Ky ishte goli i tiji i dytë në tetë paraqitje për Reims në Ligue 1 këtë sezon, përkrah tri asisteve.
27-vjeçari i lindur në Suedi ka qenë i pafat që prej se iu bashkua Reimsit nga Heerenveen në vitin 2019. Dy lëndime të rënda dhe të gjata në gju, e lënë atë jashtë fushës së futbollit për rreth dy vjet dhe ia pamundësuan vazhdimin e rritjes së vrullshme. Në vitin 2019 ai e këputi ligamentin në një ndeshje me Kosovën dhe si pasojë mungoi mbi 250 ditë. Ky lëndim iu përsërit në verën e vitit 2021 dhe ai mungoi mbi 180 ditë.
Por Zeneli e ka gjetur forcën për t’i tejkaluar këto sfida të mundimshme dhe, edhe pse për Reims rikthimi i tij mund të jetë i vonshëm pasi jemi në fund të sezonit, për Kosovën rikthimi i tij është më shumë se i mirëseardhur.
Ai u rikthye në javët e fundit të këtij sezoni dhe, derisa ende nuk është 100 për qind i gatshëm fizikisht, po tregon shenja rikthimi në formë. Aftësitë e tij dribluese dhe teknike dhe shpejtësia një kundër një u vunë në pah përsëri të dielën.
Kosova ka vuajtur për gola në mungesë të tij, pasi përveç Vedat Muriqit, asnjë sulmues tjetër nuk ka qenë në gjendje të dalë në skenë për dardanët gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës 2022 dhe në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.
Gjatë edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, Kosova i shënoi vetëm katër gola në gjashtë ndeshje (Lirim Kastrati, Benjamin Kololli, Bernard Berisha, Vedat Muriqi), aq sa i kishte shënuar i vetëm Zeneli në sezonin që e promovoi Kosovën nga Liga D në Ligën C.

Përveç golave, Zeneli është në gjendje të krijojë, po ashtu, me aftësitë e tij për ta thyer mbrojtjen kundërshtare me driblime dhe lëvizje të shpejta nga krahu.
Nëse Zeneli është mjaftueshëm fatlum për t’i ikur ndonjë përsëritje të lëndimit, ai do të ketë mjaft shumë për t’i dhënë Kosovën dhe tifozëve dardanë në qershor. Si pjesë Grupit 2 në Ligën C, Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje brenda një kohë të shkurtër prej 10 ditëve muajin e ardhshëm. Kundër Qipros, Greqisë, Irlandës Veriore dhe përsëri Greqisë.
Liga e Kombeve është shtëpia e Zenelit aq sa është stadiumi Fadil Vokrri, ku ai e ka të shkruar të shkëlqejë aty. Ai i ka shënuar katër gola në nëntë paraqitje në këtë garë, pothuajse gjysmën e golave në fanellën dardane.