Apokalipsi i kombëtares axurre në harmoni me vendnumërimin e futbollit italian
Futbolli italian ka prekur fundin e tij më të errët. Kombëtarja axurre për herë të parë do të mungojë në dy Botërore radhazi. Një herë Suedia, e pastaj Maqedonia e Veriut, u shndërruan në makthet e kombëtares 4 herë fituese të Kupës së Botës. Kriza prek tërë sistemin e futbollit italian dhe si e tillë nuk mund të ngushtohet debati vetëm te kombëtarja. Rezultatet e klubeve në arenë ndërkombëtare gjithashtu lënë për të dëshiruar.
Goli i shënuar në minutën e dytë të kohës shtesë nga Aleksandar Trajkovski në Renzo Barbera, ka lëkundur themelet e futbollit italian. Një dështim që ka hapur një debat të gjerë e të thellë në Itali mbi krizën që futbolli italian po përjeton me rezultate si në nivel klubesh, ashtu edhe me kombëtaren në nëntë muajt e fundit. Sot, pritet të definohet e ardhmja e Roberto Mancinit si përzgjedhës i Italisë. Kryetari i Federatës së Futbollit italian, Gabriele Gravina, i ka dhënë përkrahje të plotë. Ndjesia është që mund të vazhdohet tutje. Në çdo rast Paolo Cannavaro do të ishte trajneri më i favorizuar për ta marrë drejtimin e stolit italian. Sido që të jetë, reformat në futbollin e "penisola" duhen filluar para çdo prioriteti tjetër që do të mund të vendosej në përparësi.
Botërori për Italinë vetëm si reminishencë
Italia dhe Botërori, binom që ka bërë të dashurojë miliona tifozë të futbollit anembanë botës. Në kohën e sotme, kur flitet për Italinë dhe Botërorin, mund të bëhet vetëm nga prizmi i reminishencës. Për fatin e keq të italianëve, për t'i kujtuar momentet e fundit të Italisë në Botëror mund të përmendim këto:
- Topi i fundit i prekur në Botëror: nga De Sciglio në vitin 2014;
- Goli i fundit i shënuar në Botëror: nga Mario Balotelli në vitin 2014;
- Goli i fundit i shënuar në Botëror në fazë eliminimi: nga Fabio Grosso me anë të penaltisë që fitoi Botërorin e katërt në 2006;
- Lojtari i fundit me numrin '10' në Botëror: Antonio Cassano në vitin 2014

Të dhëna që bëjnë të ndihen keq çdo italian dhe dëshmojnë një rënie në cilësi që ka përfshirë futbollin e tyre tani e mbi një dekadë.
Pasojat financiare nga eliminimi në playoffin e Botërorit
Kur Italia pësonte disfatë nga Suedia dhe nuk arrinte ta përmbyste rezultatin në San Siro për t'u kualifikuar në Botërorin e 2018-ës, ajo u ballafaqua me një mori problemesh që pasuan më vonë. Duhet thënë që puna e mirë e federatës italiane kishte bërë të mundur që të rriteshin inkasimet, përkundër eliminimit të rëndë. Përmes disa nismave si ajo e strukturës së biznesit që drejtohej nga Giovanni Valentini dhe fondeve të marra nga UEFA, ia dolën ta shmangin më të keqën.
Megjithatë, kur një dështim përsëritet, vështirë është të bësh dy herë mrekullinë. Disa kontrata komerciale janë nënshkruar dhe ky është fati i mirë i futbollit italian. Por, në çdo rrethanë parashihet një rënie prej 10% në rinovimin e kontratave me partnerët komercialë. Përfitimet nga të drejtat televizive prekin shifrën prej 180 milionë euro, pasi të njëjtat kishin qenë 140 milionë euro më herët. Gjithashtu ka progres edhe sa i përket sponsorit të veshmbathjeve, me Adidas që derdh në arkat e kombëtares italiane plot 125 milionë euro, ndryshe nga 90 milionë euro që i ofronte Puma më herët.
Aty ku s'do të mund të shpëtojë Italia ka të bëjë me fondet që merr nga dy instancat më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA. Me tërë përllogaritjet rrezikohet që kombëtarja italiane të bjerë nën shifrën e 107 milionë eurove në vit që kalkulohet se do t'i arkëtojë në katër vitet në vijim.
Shuarja dhe margjinalizimi i lojtarëve të rinj italianë
Nëse Barcelona dhe kombëtarja spanjolle po e shijojnë zhvillimin e një mesfushori me talent dhe përspektiv si Pedri, Italia në anën tjetër është spektatore në këtë mes. Të tjerat vende fluturojnë duke prodhuar lojtarë, kurse Italia ngec aty ku ishte, me vështirësitë e zakonshme.
Në gusht të vitit të kaluar u publikua lista me 100 lojtarët më premtues të grupmoshës U20 nga The CIES Football Observator. Nëse e bëni një kërkim të thjeshtë në internet, ju mund t'i lexoni emrat një nga një, por vetëm ndonjë lojtar italian nga futbolli vendor i saj nuk do ta shihni asgjëkundi.
Ta fillojmë me radhë analizën!
Para se Italia ta luante ndeshjen e playoffit përballë Maqedonisë së Veriut, përzgjedhësi italian i grupmoshës U20, Alberto Bollini, kishte deklaruar për gazetarët se si po haste në vështirësi për t'i ftuar lojtarët, aq sa po detyrohet të gjurmojë në Serie C për ta plotësuar listën. Në emëroren e fundit ka ftuar 8 lojtarë nga kampionati i tretë italian, nga 26 futbollistë sa i ka grumbulluar në tërësi.
Zhgënjimet e njëpasnjëshme me grupmoshën U21 flasin njashtu shumë. Edhe kur Italia ishte organizatore e Evropianit, nuk ia doli të ketë sukses, përkundër një euforie të madhe që i kishte shoqëruar ndeshjet e zhvilluara në qershor të 2019-ës.
Kryetari i FIGC (Federata e Futbollit të Italisë), Gabriele Gravina, menjëherë pas humbjes ndaj Maqedonisë së Veriut u paraqit në konferencë për shtyp, ku vuri theksin që ky dështim duhet t'i faturohet krizës së thellë në sektorin e futbollit të të rinjve. Po flasim për një tkurrje të futbollistëve italianë në Primavera (kampionatin junior), ku, siç thoshte kryetari Gravina, "numri i lojtarëve të huaj titullarë në ekipet e të rinjve shkon në mbi 30%".

Në bazë të të dhënave që mund të nxirren nga periudha e tre mujorit të fundit të vitit që lamë pas, përqindja e futbollistëve të rinj vendorë që janë aktivizuar në kampionatet respektive shkon në 29.4% në Argjentinë, si vendi lider i promovimit të lojtarëve të rinj. Pasojnë La Liga me 17.5%, Ligue 1 me 11.6%, Bundesliga me 10.1% dhe Serie A zhytet e fundit me vetëm 7.4%.
Në Itali nëse llogariten lojtarët me kontrata profesioniste, numri i atyre të huaj shkon në 42.89%.
Burokracia italiane është aq e çuditshme për ata që e njohin nga brenda dhe aq e ndërlikuar, aq sa i favorizon lojtarët e rinj të huaj të federohen para atyre vendorë. Një histeri e llojit të vet, për çka klubet refuzojnë të ndërmarrin hapa konkretë në ndryshim të normave dhe statuve në fuqi.
Krisja e thellë mes federatës dhe klubeve
Hisedare të dështimit të kombëtares italiane janë edhe klubet. Ato janë kritikuar vazhdimisht nga Roberto Mancini se nuk operojnë si dikur, kur shihej me prioritet kombëtarja. Ato në ditët e sotme janë më shumë ndërmarrje biznesore, ku kërkojnë të mbrojnë interesin e tyre, pa lënë hapësirë për çfarëdo ndihmese për kombëtaren italiane. Ashtu siç i dekonspiroi Gabriele Gravina në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, klubet e Serie A kanë refuzuar kërkesën e Federatës italiane për ta shtyrë zhvillimin e xhiros së fundit që ishte në program, për hir që t'i jepej ekipit kombëtar një javë shtesë më shumë, për t'i rigjeneruar dhe përgatitur lojtarët ata sfidat vendimtare që i prisnin.
Kërkesa u hodh poshtë nga klubet dhe kryetari i sapoemëruar i ligës së Serie A, Lorenzo Casini. Një kërkesë e përligjur që nuk hasi në mirëkuptimin e klubeve flet shumë për krisjen mes palëve. Vetë zgjedhja e Casinit në krye të ligës së Serie A, ishte në kundërshtim me qëndrimet e kryetarit të Federatës, Gravina.
Dallimi mes Mancinit dhe paraardhësve të tij
Mediat italiane hapën editorialet në mengjesin e 25 marsit me titullin "Mancini, të lutemi, mos u largo!"
Ai është amnistuar nga kritikat prej të gjithëve, duke filluar nga Alessandro Costacurta, Arrigo Sacchi, Lele Adani dhe vetë kryetari i Federatës, Gravina.
Arsyeja pse po kërkohet qëndrimi i Mancinit, ndryshe nga më herët seç bëhej me paraardhësit e i tij që dështuan në Botëroret e 12 viteve të fundit, si Marcello Lippi, Cesare Prandelli dhe Gian Piero Ventura - është për shkak se ky i fundit, përkundër eliminimit, la prapë një ide të lojës. Te kombëtarja italiane instaloi një mentalitet futbolli më bashkëkohor. Qarkullimi i topit, vertikalizimet, shpejtësia e lëvizjes së lojtarëve pa top, manovrat sulmuese të shpeshta, kërkimi i golit më me këmbëngulësi, dalja nga petku i futbollit konservator dhe promovimi i të rinjve në kombëtare - janë ato veçori për të cilat italianët e falënderojnë përzgjedhësin Mancini. Natyrisht pa e harruar që një futboll i tillë, që përbënte risi për Italinë, bëri që këta të fundit para tetë muajsh të shpallej kampione e Evropës.

Në dështimet e mëparshme të ish-përzgjedhësve të lartëpërmendur, ata përveç rezultateve të mangëta, kishin transmetuar edhe futboll të varfër dhe nuk kishin lënë asnjë themel pass vetes. Tani nuk mund të thuhet e njëjta. Nëse futbolli italian ka me mijëra probleme, përfshirë edhe ato jo-sportive, me klubet që vazhdimisht janë në bankën e të akuzuarve nga Prokuroria në 16 vitet e fundit, nga Calciopoli, për të vazhduar me skandalin e bastvënies që preku presidentë klubesh, drejtorë sportivë, trajnerë dhe madje vetë lojtarë, e deri te rasti i freskët i mashtrimit dhe falsifikimit të të ardhurave vjetore me anë të shkëmbimit të lojtarëve me një nivel shifrash, që janë në kundërthenie me paratë që janë deponuar në transaksionet bankare - të paktën përzgjedhësi Mancini një identitet të lojës ia ka dhënë kombëtares së tij.
Hiç triumfin e fundit në Londër në Evropianin e fituar gjatë muajit qershor të vitit të kaluar, nuk është rastësi pse rënia në nivel klubesh në arenë ndërkombëtare nga 2010 (me titullin e fundit të fituar nga Inter në Ligën e Kampionëve), përkon mu me nisjen e krizës së kombëtares axurre me rezultate të mangëta në Botërore.