Anglia në gjysmëfinale të EURO 2024, fiton në penallti ndaj Zvicrës
Kombëtarja e Anglisë është gjysmëfinalistja e tretë e Kampionatit Evropian dhe kjo pasi Tre Luanët fituan në penallti ndaj Zvicrës, pasi 120 minuta përfunduan me barazim 1:1.
Të dy kombëtaret zhvilluan një pjesë të parë shumë të kujdesshme, duke mos lënë shumë hapësira për goditje në drejtim të portës.
Zvicra pati iniciativën në fillim të ndeshjes, me disa gjysmëraste të krijuara, e pastaj Anglia e mori në dorë kontrollin, por që edhe këta nuk krijuan më shumë se disa gjysmëraste.
Të dy kombëtaret nuk goditën asnjëherë në drejtim të portës, me Tre Luanët që patën posedimin e topit.
Pas një pjese të parë pa gola në Dusseldorf Arena, ku nuk kishte asnjë goditje në drejtim të portës, 45 minutat në vazhdim ishin më interesante, me të dy skuadrat që shënuan nga një gol.
Të dy golat u shënuan në 15 minutat e fundit të takimit.
Ishte fillimisht Embolo që çoi Zvicrën në epërsi, kur Ndoye dërgoi një top në thellësi të zonës, për rezultatin 1:0.
Goal: Embolo | England 0-1 Switzerland | 🅰️ Ndoyepic.twitter.com/fVDSp6WCPY
— PushGoals (@PushGoals) July 6, 2024
Vetëm pesë minuta më vonë, në skenë doli i disponuari i vetëm për lojë te Anglia, Bukayo Saka.
Ai mori një top nga Declan Rice, për të lëshuar një goditje të fortë nga distanca, kështu duke e mposhtur Yann Sommer dhe për të barazuar rezultatin në 1:1.
Pasi në lojën e rregullt nuk pati fitues, ndeshja shkoi në vazhdime, me Zvicrën që u treguan disa herë të rrezikshëm, e Xherdan Shaqiri provoi një goditje direkt nga këndi, për të goditur shtyllën.
Gjysmëfinalisti i tretë u vendos vetëm pas penalltive.
Lojtarët e Anglisë u treguan shumë të saktë nga pika e bardhë, duke mos humbur asnjë, me Zvicrën që humbi vetëm një me Akanjin.
Cole Palmer, Jude Bellingham, Bukayo Saka, Ivan Toney edhe Alexander Arnold ishin të saktë nga pika e bardhë, ndërsa te Zvicra shënuan Xherdan Shaqiri, Schar dhe Amdouni, por një nga më të mirët në ndeshje, Manual Akanji, ishte fytyra tragjjike.
Anglia me këtë fitore avancon në gjysmëfinale të Evropianit, ku do të përballet me fituesin nga ndeshja Holandë - Turqi, ndërsa për Zvicrën përfundon rrugëtimi evropian këtu.