Andy Ruiz i kërkon luftë Wilderit, ky i fundit i hapur ta pranojë
Andy Ruiz dëshiron të përballet me ish-kampionin e botës në kategorinë e rëndë në WBC, Deontay Wilder, në luftën e radhës, pasi e mundi Luis Ortizin në një meç argëtues të dielën në Kaliforni.
Ish-kampioni Wilder ishte në stadium për ta parë meçin dhe ishte i hapur për ta pranuar ofertën e Ruizin për një luftë në të ardhmen e afërt.
Wilderi do të përballet me Robert Helenius më 15 tetor në Nju Jork, në atë që do të jetë lufta e tij e parë që prej disfatës shkatërruese me nokaut kundër Tyson Fury në trilogjie epike.
“Nëse Deontay fiton në tetor, unë dhe ai e kemi të njëjtin menaxher, prandaj mund ta bëjmë këtë luftë. Eja ta bëjmë. Unë jam i uritur dhe dëshiroj të bëhem kampion përsëri dhe t’i kthej titujt në Meksikë”, tha Ruiz pas fitores kundër Orizit.
Wilderi, i cili ka dy humbje në karrierë dhe të dyja të pësuara nga duart e Furyt, i tregua i hapur për ta pranuar sfidën e Ruizit.

“Deontay Wilder është rikthyer dhe mezi pret t’iu ofrojë tifozëve luftëra të mëdha dhe interesante. Nëse kjo është ajo çfarë kërkojnë tifozët, eja ta bëjmë”, tha Wilder.
Paraqitje brilante e Ruizit kundër Ortizit
Andy Ruiz e mposhti Luis Ortizin me vendim unanim të gjyqtarëve, pasi e rrëzoi tri herë gjatë luftës eliminatore për titull në WBC, që zgjati 12 runde.
Boksieri 32-vjeçar nga Meksika, i cili u fut në ring për herë të parë që prej fitores kundër Chris Arreola në maj të vitit 2021, e rrëzoi Ortizin dy herë në rundin e dytë dhe një herë në rundin e shtatë, që i mjaftoi për të fituar dhe për ta përmirësuar rekordin në 35 fitore dhe dy disfata.
22 prej 35 fitoreve të tij kanë ardhur me nokaut.
Gjyqtarët votuan 114-111, 114-111 dhe 113-112 në të mirë të Ruizit, pasi nokdaunët ishin vendimtarë.
Ky fitore e afron Ruizin afër një mundësie tjetër për të luftuar për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë në WBC.
“Jam i gatshëm. Jam i uritur. Dua të jem kampion përsëri dhe ta kthej rripin në Meksikë”, tha Ruiz pas meçit.
Me nokdaunin e parë dhe atë të tretë, Ruizi i tregoi divizionit të kategorisë së rëndë se çfarë fuqi të rrezikshme zotëron ai, derisa i dyti ishte mbase më shumë një shtyrje ndaj një Ruizi që ende ishte duke e marrë veten nga nokdauni i parë.
Ortiz, 43-vjeçar nga Kuba, bëri boks të mirë kohe pas kohe duke i dhënë disa goditje direkte Ruizit.
