Analizë: Edon Zhegrova, hyn në lojë dhe bën dallimin - zhvillimi i tij nuk ka të ndalur
Edon Zhegrova këtë fundjavë ka regjistruar paraqitjen e tij të 6-të në Ligue 1 në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai me t'u inkuadruar në lojë arriti ta bëjë dallimin për skuadrën e tij, Lille, duke i ndihmuar kësaj të fundit që ta merrte një pikë, falë golit që ai shënoi. Atij iu deshën vetëm tetë minuta lojë që ta gjente rrugën e rrjetës, respektivisht në minutën e 74-të. Megjithatë, ky nuk ishte elementi i vetëm që vuri në spikamë. Për më tepër ishte lojtari dardan me paraqitjen më të mirë dhe për këtë arsye e meriton plotësisht që t'i dedikohet kjo analizë.
Trajneri francez, Jocelyn Gourvennec, ende nuk është bindur që t'ia besojë Edon Zhegrovës statusin e lojtarit titullar për skuadrën e tij. Duke qëndruar kështu gjërat, Zhegrova hyn në fushë kryesisht nga pjesët e dyta, për t'i dhënë dinamikë dhe infuzion skuadrës. Njësoj ndodhi në fundjavën që shkoi. Lille gjendej në disavantazh para se sulmuesi dardan të inkuadrohej në lojë. Ai hyri në fushë dy minuta pasi skuadra e tij e pësoi golin. Pjesa tjetër njëmend ishte histori!
Paraqitje me personalitet që prej inkuadrimit në fushë
Menjëherë pasi u fut në lojë, Zhegrova tregoi shenjat e para që kishte hyrë me qasjen e duhur dhe me idetë e qarta. Ai u tregua shumë kërkues qysh në kontaktet e para me topin, duke i dhënë shtyesë skuadrës përpara. Siç mund ta analizojmë përmes këtyre pamjeve, nuk kaluan as 100 sekonda që prej inkuadrimit të tij kur provoi goditjen nga distanca, me anë të lëvizjes së tij të zakonshme, duke u nisur nga këndi i djathtë i gjysmëfushës kundërshtare, për të dribluar vertikalisht deri në goditjen me këmbën e majtë. Goditja e tij e parë u bllokua nga mbrojtja kundërshtare, por ky ishte vetëm sinjali fillestar.
Ai ishte tej mase i pranishëm me topin në pronësi në të gjitha aksionet që nisnin nga ana e djathtë, duke marrë përgjegjësitë që të fuste sa më shumë topa brenda zonës së rreptësisë të Angers. Zhegrova për 14 minuta harkoi 5 herë, sa për ta vënë çdoherë në rrezik mbrojtjen kundërshtare të Angers.
Nëse goditja e parë nuk i shkoi mbarë, e dyta u përkthye në një gol magjeps. Gjithçka nisi kur ai me ta pranuar topin nga këndi i djathtë i fushës, arriti mjaft mirë të lirohej nga mbrojtësi i majtë Doumbia, për ta liruar një predhë të vërtetë, e cila e la të shtangur portierin Mandrea, duke barazuar rezultatin në 1 me 1. Me fjalë tjera, ky ishte goli i dytë në Ligue 1 në 6 paraqitje sa numëron tërësisht. Falë këtij goli Lille në fund doli me një pikë.
Zhegrova ushtroi tryesni të madhe në mbrojtjen kundërshtare
Për ta kuptuar se sa shumë ishte i pranishëm kur u inkuadrua në lojë sulmuesi prishtinas, mjafton t'ia hedhim një sy kësaj pamje ku shihet se ku e ka ushtruar më së shumti mbulimin e fushës Zhegrova gjatë ndeshjes. Ai gjithmonë ishte në kontakt me topin, shpeshherë edhe duke luajtur rolin e organizatorit të lojës fals, pasi nga këmbët e tij nisej ndërtimi i aksioneve të Lille.

Prej momentit të hyrjes së tij në fushë, Lille pushoi së sulmuar nga ana e majtë e fushës, për t'i dhënë besimin e plotë sulmuesit dardan që këtë përgjegjësi ta merrte ai mbi supe. Këtë gjë e mori dhe e bëri në mënyrë të përkryer.
Elementet tjera që u vunë re në paraqitjen e Zhegrovës
Zhegrova të vetmen çalesë që e vuri re gjatë ndeshjes ishte ajo që botërisht dihet për të, e që është dobësia në markim të kundërshtarëve në mbrojtje, kur nuk është në posedim të topit.
Këtë tipar të lojës e ka të mangët. Duke e analizuar lojën, shihet qartë kur në një moment që Angers ishte duke e ekzekutuar një goditje dënimi nga pozita anësore, ku sado që Zhegrova është i penalizuar edhe nga mungesa e shtatlartësisë, vërtetoi se edhe mbulimin 1 për 1 nuk e ka më të mirin, qoftë në ajër apo në duele tokazi.
Ende pa arritur mirë topi te kundërshtari që markonte, Zhegrova humbi kontrollin, por distanca jo e shkurtër dhe për fatin e tij të mirë mundësia që skuadra e tij të ndëshkohej ishte jo enorme - bëri që aksioni të kalonte pa rrezik.
Megjithatë, në një moment të dytë, sulmuesi prishtinas tregoi vendosmërinë e duhur që ta rrëmbente shpejt një top, pasi e kishte humbur paraprakisht, duke fituar kësisoj duelin ndaj mbrojtësit të majtë, Doumbia. Diçka që nuk ishte në karakteristikë të Edonit më herët, pasi fare rrallëherë ai ia dilte që të shfaqej këmbëngulës në rekuperim të shpejtë të topit pasi e humbiste. Këtë gjë e kemi vërejtur edhe në paraqitjet e tij me Kosovën më herët. Pra, edhe ky ishte një tipar tjetër pozitiv nga paraqitja e tij.
Kësisoj ai rriti vetëbesimin. Në një moment fantazisti i Angers, Angelo Fulgini, iu afrua Doumbias për ta marrë përsipër mbulimin e Zhegrovës, por këtij të fundit nuk i shkaktoi pengesë asnjëri - duke u liruar me një sllallom të bukur nga Fulgini, për ta liruar pastaj me këmbën e majtë një goditje tjetër të fortë, por që mesfushori algjerian Bentaleb u tregua syhapur për ta devijuar topin në këndore.
Kjo ishte pasqyra e paraqitjes së Edon Zhegrovës ndaj Angers, duke u ndalur në specifika të detajuara. Progresi i tij nuk do mend.
Zhegrova pret që t'i jepet rasti me durim dhe maturi, ndonëse trajneri shprehet se nuk do të bëjë ndryshime në formacionin titullar
Pavarësisht paraqitjeve të mira të Edon Zhegrovës, duket që trajneri i tij Gourvennec nuk është i bindur që të bëjë ndryshime në formacionin titullar në këtë fazë të fundit të kampionatit.
"Të gjithë lojtarit japin kontributin e tyre. Edoni na është bashkuar në janar. Tani është duke i marrë vlerësimet që i meriton. Ajo që më pëlqen është se dëgjon shumë. Duhet të vazhdojë që të integrohet edhe më mirë në lojën ekipore.
"Lojtarët e rinj do ta kenë të vështirë të luajnë kur jemi me skuadrën e plotë, pa lëndime. Deri në përfundim të kampionatit do të kemi më pak hapësirë të bëjmë manovrime në 11-shen startuese. Lojtarët mentalisht më të përgatitur do të jenë ata që do të thirren për ta dhënë kontributin e tyre", deklaroi trajner francez.
Në anën tjetër Zhegrova i pyetur për këto deklarata të trajnerit të tij, u tregua i matur dhe i qetë, duke respektuar zgjedhjet e trajnerit Gourvennec.
"Punoj fort çdo ditë në stërvitje. Këto në fund janë zgjedhje të trajnerit. Do të përpiqem gjithmonë ta ndihmoj skuadrën dhe të jap maksimumin kur të më kërkohet. Duhet ta shfrytëzoj rastin dhe të jap më të mirën në çdo ndeshje", deklaroi sulmues 23-vjeçar kosovar.