Allegri: Objektivi minimal është vendi i katërt, Di Maria do të jetë vlerë shtesë
Max Allegri është deklaruar për “Sky Sport” në vazhdën e përgatitjeve që po bën skuadra e tij para se të rifillojë sezoni në Serie A. Ai ka thënë se objektivi minimal për t’u arritur në fund të sezonit do të jetë pozita e katërt tabelore.
Juventus shënoi një tjetër fitore në miqësore, kësaj radhe duke mposhtur me rezultat të ngushtë 1:0 Rijekën. Në fund të ndeshjes Allegri u deklarua edhe rreth asaj se çka pret për pjesën e dytë të sezonit.
Pas një nisje vërtet të dobët të kampionatit, Juventus arriti disi që ta ngushtojë diferencën me Napolin, duke u pozicionuar në vendin e tretë me dhjetë pikë mbrapa.
“Të gjithë skuadra duhet të jetë e vetëdijshme që kemi para vetes pesë muaj të rëndësishëm. Objektivi minimal mbetet që të qëndrojmë në katër pozitat e para dhe të mundohemi që t’i afrohemi Napolit, i cili po marshon në formë të rrufeshme”, tha ai.

Juventus bëri një figurë të shëmtuar në Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar që në fazën e grupeve. Megjithëse me shumë vështirësi, torinezët disi ia dolën që të kualifikoheshin për në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Evropës.
Allegri u shpreh se nuk do t’i neglizhojnë edhe dy garat tjera, siç janë Liga e Evropës dhe Kupa e Italisë, në të cilat skuadra synon që të arrijë deri në fund.
“Kemi para vetes edhe Kupën e Italisë dhe Ligën e Evropës. Do të ishte mirë nëse arrijmë deri në fund të këtyre kompeticioneve dhe kështu t’i luajmë 36 ndeshjet”, u shpreh ai.
Shpresat te Di Maria
Ndër të tjera, trajneri i Juventusit u shpreh i lumtur se do të mund të llogarisë edhe te një lojtar shumë cilësor siç është Di Maria, të cilin deri tani nuk është se ka arritur ta përdorë shumë, për shkak të pezullimeve dhe lëndimeve të shumta që ka pasur.
Trajneri i “Zonjës së Vjetër” tha se ka zhvilluar një telefonatë me Di Marian pas dëlirit në Kupën e Botës, kur u shpall kampion bote për herë të parë me Kombëtaren e Argjentinës.
“Di Maria është një futbollist i jashtëzakonshëm. Duhet të jetë një vlerë shtesë për ne për pjesën e dytë të sezonit, ashtu sikur edhe vetë Paredes”, deklaroi ai.

Juventus do ta zhvillojë edhe një tjetër miqësore para se të rifillojë Serie A. Ndeshjen e parë në kampionat pas pushimit dimëror do ta zhvillojë më 4 janar në udhëtim kundër Cremoneses. Ndërkaq te ditë më vonë do ta presë në “Allianz Stadium” Udineses.

