Juventus dëshiron ta bindë Di Marian që ta rinovojë kontratën edhe për një tjetër sezon
Gjatë kësaj vere Juventus arriti t’i siguronte shërbimet e Angel Di Maria. Pas një finale të Kupës së Botës si protagonist, klubi torinez është bindur edhe më shumë për gjendjen e tij fizike dhe dëshiron t’ia rinovojë kontratën edhe për një sezon shtesë.
Deri tani sulmuesi argjentinas nuk është se ka pasur një minutazh të madhe për klubin më të trofeshëm italian. Diçka e tillë ka ardhur si pasojë e shumë lëndimeve dhe pezullimeve që ka pasur në këtë periudhë kohore.
Megjithatë, bazuar me atë çfarë ka shfaqur në Kupën e Botës, sipas shtypit italian Juventus është thellësisht i bindur se meriton t’i rinovohet kontrata edhe për sezon tjetër. Një gjë të tillë e shkruan edhe agjencia e lajmeve “Sportmediaset”.

Sigurisht se për ta arritur një gjë të tillë është vetë 34-vjeçari që duhet të bindet, pasi i njëjti ka shfaqur spekticizëm që do të mund të vazhdojë më gjatë se kaq kapitullin te “Zonja e Vjetër”.
Ai iu bashkua Juventusit gjatë verës duke nënshkruar kontratë njëvjeçare. Ai në Serie A ka arritur të bëjë vetëm pesë (5) paraqitje, duke shënuar një (1) gol të vetëm.
Dëshira për ta mbyllur karrierën në vendlindje
Di Maria asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën e tij të madhe që një ditë ta mbyllë karrierën si futbollist aty ku e ka filluar: në Rosario Central.
Juventus shpreson se euforia e triumfit në Kupën e Botës të mund të ndikojë ndopak tek ai, që të reflektojë dhe ta vazhdojë kështu karrierën në Evropë.

Në Rosario Central kishte luajtur nga 1992 deri më 2007, duke kaluar në të gjitha etapat. Njëherësh, Rosario, sikur në rastin e Messit, është edhe vendlindja e Di Marias.
Ai është shumë i lidhur ngushtë me tokën e tij. Për këtë arsye ai ka një kohë që ka premtuar se karrierën do ta mbyllë pikërisht aty.

