Aksidentohet ylli i Kombëtares së Kosovës, shpëton lehtë ndonëse vetura e tij mbeti e dëmtuar
Një aksident i rëndë ka ndodhur disa orë më parë në Torino, më saktësisht në Corso Galielo Ferraris, afër një spitali. Aty i përfshirë ishte ylli i Kombëtares së Kosovës, Mergim Vojvoda, që luan për Torinon. Ndonëse vetura e tij e tipit Mercedes C-Class u dëmtua shumë, futbollisti ka shpëtuar pa dëmtime të rënda.
Ende nuk dihet fajtori i aksidentit, pasi të përfshirë ishin dy makina. Vojvoda u aksidentua me një tjetër person që voziste një Jeep. Policia bashkiake doli menjëherë në vendngjarje.


Vetura e Mërgimit ka pësuar dëmtime të mëdha, me pjesën e përparme pothuajse të coptuar krejtësisht. Jastekët (AIR BAG) kanë dalë si masë mbrojtëse dhe futbollisti nuk ka pësuar dëmtim të rëndë. Si rodhi aksidenti ende nuk është zbuluar, por mediat italiane raportojnë që erdhi si rrjedhojë e një manovre nga njëra prej dy veturave.

Pavarësisht këtij aksidenti të pësuar me veturën e tij të shkatërruar, Mërgim Vojvoda, është në gjendje të mirë, madje ka vazhduar me seancat e rregullta stërvitore me shokët e skuadrës së Torinos, në përgatitje për ndeshjen e së hënës kundër Atalantës.