Agim Ademi reagon pasi lirohet nga policia: Mediet i dhanë hov situatës, para zgjedhjeve
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pasi u lirua nga mbajtja në polici, të enjten në mesditë.
Ademi përfundoi në mbajtje, pasi ishte protagonist në një kacafytje me një prej punonjësve të FFK-së, Artan Govorin.
Ky i fundit, pasi u tha se u "kap për fyti" nga Ademi dhe u "gërrith" në fytyrë, doli para medieve duke shpjeguar incidentin, teksa potencoi se numri një i institucionit më të lartë të futbollit në Kosovë, kishte tendencë të ndërhynte në jetën private të punonjësve të Federatës. Një prej arsyeve të sulmit nga Ademi, që u nënkuptua nga deklarata e Govorit, ishte pikërisht për faktin se dikush e kishte fotografuar atë "duke nejtë me dikon që nuk i pëlqen Ademit."
Lexo më shumë
https://nacionale.com/Lajmet/Ngjarja/-A-duhet-ti-ndalohet-Agim-Ademit-garimi-per-president-te-FFKse-506
Pas tërë kësaj ngjarjeje, policia reagoi dhe dërgoi në mbajtje 60-vjeçarin për disa orë, para se ta lironte ditën tjetër.
Ademi, pasi u lirua nga policia, ka reaguar me një status në Facebook, ku ka potencuar se, ndër të tjerash, "situatës iu dha hov nga disa media dhe grupe të interesit, duke shfrytëzuar situatën zgjedhore që kemi në FFK."
Më poshtë, deklarata e tij e plotë:
Sqarim për opinion
Dje për shkak të një debati verbal që pata me një koleg të FFK-së, i cili debat kishte qëllim krejt të mirë për të sqaruar një situatë nga marrëdhënia e punës në FFK, përfundoi pa shkas në Polici dhe ju dha hov nga disa media dhe grupe të interesit, duke e shfrytëzuar situatën zgjedhore që kemi në FFK, me ç’rast unë përfundova për disa orë në Polici.
Pas deklaratave të të gjitha palëve të përfshira, u sqarua se e tëra ishte vetëm një keqkuptim, kështu që unë u lirova nga ndalimi dhe gjendem në mesin e familjarëve dhe kolegëve të FFK-së.
Ju falënderoj edhe njëherë të gjithë juve bashkëpunëtorëve të mi dhe komunitetin e futbollit për interesimin dhe mbështetjen, njëherit ju garantoj se do të punoj së bashku me ju për ngritjen e futbollit dhe avancimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ju siguroj se së bashkë me stafin e FFK-së do të vazhdojmë punën e madhe që na pret në organizimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe të rregullt për datën 06 prill 2022, si dhe në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës këtë muaj.
Faleminderit për mirëkuptim!
Me respekt,
A.A.
Çka ndodhi saktësisht?
Të mërkurën, në mesditë, u raportua se presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sulmoi fizikisht një zyrtar të po këtij institucioni.
Rasti u konfirmua për Nacionale edhe nga Policia e Kosovës, me zëdhënësen, Flora Ahmeti, që u shpreh për Redaksinë:
“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë”, tha Ahmeti për gazetën.
Nacionale zbuloi tutje se personi që u sulmua nga i pari i FFK-së ishte Artan Govori, pas një fjalosjeje në lidhje me përkrahjen e tij ndaj Gramoz Vokrrit, kundërkandidati i vetëm deri tash i Ademit për zgjedhjet e prillit.
Dhe, së fundmi, Govori ka folur para medieve, në oborrin e ndërtesës së FFK-së, por - paraprakisht - u konfrontua nga kryetari i "Dardanëve", Lulzim Berisha, i cili iu drejtua me "pse po rren kështu more Artan," koment ndaj të cilit Govori u përgjigj me "kush po rren?" Berisha pastaj u ndal, derisa kamerat ishin duke filmuar, duke i thënë:
"Mos i rrej opinionin o burrë, se qaty kesh une. Mos i rrej, ki pak dinjitet, se t'kom shok."
Govori pastaj u përgjigj me: "Une me pasë dinjitet a, dosti yt le t'ka dinjitet," qartazi duke iu referuar Ademit.
Berisha kundërpërgjigjet me: "Nuk e kom dost une, po osht kryetar i Federatës," koment ndaj të cilit Govori shtoi "i joti po, i jemi s'është."
Tutje, Govori vazhdoi duke dhënë deklaratën e plotë për medie, teksa tha:
"Është e vërtetë që s'ka pasë rrahje, debati s'ka pasë lidhje me punë. Ka pasë lidhje me shantazhe të llojit të Agim Ademit që i bën tash e sa kohë. Të fotografojnë, të përcjellin njerëzit. Të çon fotografi, të sheh dikun, 'pse po rrin me ata, pse po rrin me këta,' thuti që une... këto vjet i kom bo, ai duhet me më tregu me kon me nejtë. Pse bohet ajo, është mirë këtë pyetje m'ja drejtu Agim Ademit, pse ai menon me na caktu neve me kon me nejtë."
I pyetur nga një gazetar, "a jeni kapë për fyti," Govori potencoi: "Ai mu më ka kapë, unë ss... unë jam tip i qetë, sidomos në institucion. Dje më ka fotografu dikush prej këtyre, më falni në shprehje, 'llaskucave' të Agim Ademit, t'u nejtë me dikon që nuk i pëlqen atij."
Më tej, ai elaboroi rreth një lëndimi në qafë dhe një gërrithje në fytyrë që i ka shkaktuar Ademi, pas kacafytjes, duke thënë se numri 1 i FFK-së bën presione të tilla sepse mendon se "po i qesim informatat prej Federatës."
Në mesin e dëshmitarëve që panë incidentin, sipas Govorit, ishin kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani dhe nënkryetari, Agim Dibrani dhe kryetari i tifogrupit "Dardanët", Berisha.