A mund ta blejë Behgjet Pacolli Manchester Unitedin me 1 miliard euro pasuri?
Pronarët amerikanë të Manchester Unitedit dhanë lajm tronditës javën e kaluar kur njoftuan se duan ta shesin klubin, dhe çfarë është edhe më habitëse tani janë thashethemet se ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, dëshiron ta blejë atë.
Gazeta Nacionale nuk ka mundur ta konfirmojë këtë lajm nga vetë Pacolli.
Megjithatë, këshilltari i tij Jetlir Zyberaj tha për Nacionale: “Është çështje konfidenciale e grupit”.
Sa është pasuria e Pacollit dhe a i mjafton ajo për ta blerë një klub kaq të shtrenjtë?
Pacolli është njëri ndër njerëzit më të pasur por pasuria e tij nuk i afrohet aspak vlerës së Manchester Unitedit, apo çmimit që pronarët e tanishëm e kërkojnë për ta shitur atë.
Familja e Glazerëve, e cila e bleu Unitedin në vitin 2005 për rreth 900 milionë euro, njoftoi javën e kaluar se është duke i shikuar mundësitë strategjike për klubin, njëra prej të cilave është shitja e tij.

Sipas mediave britanike, çmimi që ata do ta kërkojnë për ta shitur Unitedin është nga 6 deri në rreth 10 miliardë euro. Përveç çmimit të lartë, Unitedi e ka edhe një borxh prej 590 milionë eurove i cili mund të jetë barrë e pronarit apo pronarëve të rinj.
Pacolli, ndërkohë, ka 1 miliard dollarë pasuri, apo 957 milionë euro, sipas revistës amerikane Forbes.
Pacolli kishte investuar në sport më parë, në basketbollin e pasluftës në Kosovës, me KB Mabetex, me të cilin u shpallë një herë kampion si dhe dy herë nënkampion i Kosovës, para se të tërhiqej dhe klubi të shuhej.
Në të vërtetë, nuk ka asnjë mënyrë praktike të Behgjet Pacolli ta blejë Manchester Unitedin i vetëm. Mënyra e vetme do të ishte nëse ai investon në një përqindje shumë të vogël të aksioneve me aksionarë dhjetëra herë më të pasur.
Blerja e klubit do të ishte vetëm një pjesë e harxhimeve dhe investimeve për cilindo biznesmen të interesuar.
Me pronarin apo pronarët e rinj, Unitedi do t’i nënshtrohet një mori ndryshimesh, duke nisur nga infrastruktura, përfshirë stadiumin Old Trafford, gjë që kërkon para të majme shtesë.

Mundësi e ndërtimit të një stadiumi të ri nuk është hedhur poshtë, por Glazerët kanë pasur plane që të investojnë në rinovimin e stadiumit që është markë për klubin, Old Trafford, në të cilin djajtë e kuq i kanë zhvilluar ndeshjet si vendas që nga viti 1910.
Përveç tjerash, do të duheshin fonde të mëdha për të investuar në rroga të majme të futbollistëve dhe për blerjen e lojtarëve të rinj, në mënyrë që trajneri Erik ten Hag ta ndërtojë skuadrën e dëshiruar për epokën e re të klubit.
Glazerët i investuan mbi 1 miliard euro në klub që prej vitit 2005, por nuk e kanë fituar Premierligë qëkur u largua trajneri Sir Alex Ferguson në vitin 2013.
