A duhet t’i ndalohet Agim Ademit garimi për president të FFK-së - NACIONALE

A duhet t’i ndalohet Agim Ademit garimi për president të FFK-së

4 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Agim Ademi, një njeri me një varg telashesh të pandërprera me ligjin, si vepër penale për detyrim në tentativë, nën hetime për kurdisje të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe i dyshuar për sulme të shpeshta fizike ndaj zyrtarëve të federatës, po këmbëngul në fitimin e një mandati tjetër katërvjeçar në krye të shtëpisë së futbollit.

Dhe jo rastësisht 60-vjeçari po akuzohet se po bën përpjekje të mëdha ta arrijë këtë duke e shkelur edhe më shumë ligjin, përkatësisht Statutin e federatës. Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre.

Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.

Eroll Salihu, ish-sekretar i përgjithshëm në FFK, e ka quajtur plotësisht të paligjshëm Kuvendin e 6 prillit, në të cilin Ademi - i cili e kishte shkarkuar Salihun nga posti vitin e kaluar - pritet të garojë kundër Gramoz Vokrrit, djalit të legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të federatës.

“Së pari ky kuvend është plotësisht i paligjshëm, kushdo që kandidon e shkel statutin e FFK-së, së dyti kur është i arrestuar i pamundësohet të kandidojë sepse nuk është fizikisht aty edhe pse ai ka shana qe lëshohet nga aty”, tha Salihu për Gazetën Nacionale.

Ademit nuk i mbaron mandati i tanishëm katërvjeçar deri në korrik dhe FFK-ja po akuzohet se nuk ka pasur asnjë arsyeje ligjore për ta thirrur Kuvendin Zgjedhor para kohe.

“Megjithatë çdo kuvend që mbahet tash është i paligjshëm dhe i vetmi kuvend që mund të mbahet si i ligjshëm është në korrik të këtij viti. Çdo mbledhje, çdo kuvend tjetër që mbahet është gabim, bile edhe nëse krejt kuvendarët vendosin me marr pjesë është gabim sepse me mandat përzgjidhet vetëm kryetari, e kryetari ka mandat 4-vjeçar, dhe pa përfunduar nuk ka kuvend zgjedhor”, shtoi Salihu.

Pse nuk po i ndalohet garimi Ademit pavarësisht telasheve të mëdha me ligjin?

Ademi është në pritje të rigjykimit për veprën penale detyrim në tentativë, nën hetime për kurdisjen e një ndeshjeje të ekipit kombëtar U21 të Kosovës dhe të mërkurën mbrëma u ndalua për disa orë në stacion policor nën dyshimet për sulm fizik ndaj zyrtarit të federatës Artan Govori.

Sulmi ndaj Govorit, të cilin 60-vjeçari e ka mohuar, është vetëm i fundit në një seri përleshjes fizike që ai dyshohet të jetë përfshirë gjatë mandatit të parë si shef i futbollit në vend. Më 2019, ai e kishte sulmuar mjekun e kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë në kryeqytet.

Ishte raportuar po ashtu për dy sulme të tij ndaj sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Erol Salihu, të cilin e kishte shkarkuar nga posti më vonë në vitin 2021.Vetëm katër muaj më parë, Ademi ishte ankuar në polici për një sulm ndaj tij në Parkun e Gërmisë.

Salihu beson se Ademi e ka thirrur Kuvendin Zgjedhor para kohe dhe jashtëligjshëm për t’i ikur një udhëzimi administrativ që Ministria e Sportit është duke e përgatitur për t’ua ndaluar garimin për poste publike në federata njerëzve me ndjekje penale.

“Këtë kuvend e ka thirrur vetëm për arsye personale dhe asgjë tjetër. E ka ditur që ka procese gjyqësore, e ka ditur që delegatët ndërrohen në qershor me inkuadrimin e ekipeve në ligë të parë e Superligë edhe e ka ditur që ministria është t’u e përgatit një udhëzim administrativ që nuk ua lejon kandidimin për kryetar atyre që kanë probleme me drejtësinë, pra krejt këto e kanë shtyrë që ky ta shkelë statutin për të mirën personale e jo për futbollin”, nënvizoi ai.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Sportit mund të jetë i vonuar për ta ndalë Ademin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke e përgatitur një udhëzim administrativ që nga muaji dhjetor i cili ua ndalon garimin për poste publike personave që janë të ndjekur penalisht apo nën hetime.

Kjo deri tani është parë si mundësia e vetme ligjore për ta ndalur Ademin, por udhëzimi administrativ nuk pritet të nënshkruhet nga ministri i Sportit Hajrullah Ceku para 6 prill, për shkak se është duke kaluar nëpër procedura administrative.

“Në statut të federatës nuk ka diçka që mund ta ndalojë [Ademin], sepse këta e bënë vetëm ligji... edhe udhëzimi që po e përgatit ministria e rregullon më së miri, kjo bëhet shumë shpejt brenda muajit edhe ajo e paralizon çdo person që është i akuzuar për diçka të mos mund të kandidojë në këso pozita”, tha Salihu.

Fikret Shatri, ushtrues detyre në Drejtorinë e Departamentit për Sport në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë ta ndalojnë Ademin.

“Pavarësisht udhëzimit administrativ, bile nuk çon peshë ai udhëzim administrativ, kur është në sport një njeri problematik, i cili ka probleme me ligjin, unë mendoj që organet e drejtësisë duhet t’ua ndalojnë çdo kujt me u marr me sport, qoftë nëse edhe unë Fikreti jam ai që kam probleme”, tha Shatri për Gazetën Nacionale.

Ai thotë që ministria e Sportit nuk mund të bëjë asgjë tani për tani për ta ndalur Ademin, pa miratimin e udhëzimit administrativ, por këmbëngul se FFK-ja ka bërë shkelje të ligjit duke e thirrur Kuvendin Zgjedhor para kohe.

“Ministria nuk përzihet për m’ia ndalu dikujt kandidmin e as për me përkrah dikend sepse s’është çështje e ministrisë kjo, mirëpo është evidente që statuti i FFK-së është i shkelur me këtë kuvend, është shkelje eklatante e statutit edhe ligjit të sportit”

“Është me procedura, s’ka afate kohore sepse njëherë duhet të dalë në lexim publik, por për këtë s’kam njohuri sepse s’jam marrë me këtë temë shumë, vetëm e di që ka pas me dal para vitit të ri po është vonuar pak si procedurë. Së pari shkon lexim publik e pastaj e nënshkruan ministri dhe pastaj çdo organizatë sportive duhet ta zbatojë”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme