Brenda tregut të transferimeve të futbollistëve në Kosovë: Pse klubet nuk blejnë as nuk shesin - NACIONALE

Brenda tregut të transferimeve të futbollistëve në Kosovë: Pse klubet nuk blejnë as nuk shesin

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Transferimet e lojtarëve në Superligën e Kosovës në futboll gjithmonë bëhen si transferime të lira apo falas. Kjo ndodh edhe në tregun e transferimeve në futbollin evropian, por në një përqindje shumë më të vogël.

Megjithëse klubet kosovare e forcojnë skuadrën me shumë futbollistë brenda çdo afati kalimtar, ato asnjëherë nuk blejnë lojtarë, thjesht i marrin ata si lojtar të lirë.

Kjo ndodh për disa arsyeje, përfshirë kontratat afatshkurta që lojtarët kanë nëpër klubet e tyre përkatëse, mungesa e ofertave nga klubet, likuiditeti edhe mungesa e profilizimit të klubeve.

Pak ditë më parë Drita ia mori falas kampionit të Kosovës një nga lojtarët kryesor dhe me potencial, kapitenin Blend Baftiu, i cili vitin e kaluar ishte afër të kalonte në Austri apo Turqi për qindra mijëra euro.

Profilizimi, sipas drejtorit sportiv të Dritës, Valon Zymberi, është një nga arsyet pse ndodhë kjo, që skuadrat nuk synojnë që të rrisin lojtarë e të shesin por që vetëm tentojnë me çdo kusht titullin kampion, patën apo nuk patën cilësinë.

“Klubet e Kosovës shumica nuk janë të profilizuara, këtu të gjitha ekipet shkaku i euforisë kur nisë kampionati hyjnë që të shpallen kampion, ndërsa në Evropë ke skuadra që janë të profilizuara vetëm që të rrisin lojtarë dhe të shesin për skuadrat që janë në garë për kampionë, pra nuk tentojnë titullin kanë qëllim vetëm tregun”, thotë Zymberi për Gazetën Nacionale.

Ndërsa për Drilon Sylejmanin, drejtorin e Gjilanit, është normale që klubet të luftojnë për të marrë lojtarë të lirë.

“Normale që klubet luftojnë për lojtarë të lirë, sepse gjithmonë shikohet kostoja financiare dhe mos-pagesa e ndonjë dëmshpërblimi është e mirë për financat e klubit. Kjo ndodh në krejt botën e jo vetëm në Kosovë, por tek ne është pak ma e theksuar.”

Shkëputja e kontratave apo marrëveshjet e dyanshme mes lojtarit dhe klubit ndodhin për shumë arsye, e njëra nga arsyet kryesore sipas Valon Zymberit janë kontratat afatshkurtra. Kjo ua mundëson klubeve të marrin lojtarë të lirë vazhdimisht, pavarësisht cilësisë së tyre.

Kjo dukuri para shumë viteve ka qenë ma e theksuar sepse kontratat afatgjata nuk kanë ekzistuar fare, këtë praktik pa modesti mund ta them se e kemi futur ne në pesë vitet e fundit ku kemi qenë të parët që një lojtari i kemi ofruar kontratë trevjeçare”, sipas Zymberit.

Që prej pavarësisë më 2008 e deri në pesë vitet e fundit, në Kosovë kontratat kanë qenë vetëm për periudhë gjashtëmujore e më së shumti njëvjeçare. Kjo ka bërë që lojtarët pas një sezone të jenë menjëherë të lirë dhe të kërkojnë skuadra tjera.

Shkëputja e kontratave, sipas Rrezart Kashtanjeves, i cili është menaxher i futbollistëve, ndodh sepse skuadrat nuk janë mjaftueshëm të forta financiarisht.

“Ekipet në Kosovë e dinë pak a shumë fuqinë financiare të njëra-tjetrës, dhe si marrëveshje skuadrat me lojtarë për t’i lënë të lirë që të kapin kontrata me skuadrat tjera merren vesh për të shkëputur kontratën momentale dhe të lehet si lojtarë i lirë, pra nuk ka nevojë të ofrojnë para për një lojtar që e dinë se mund ta marrin si lojtar të lirë e pa asnjë kosto.”

Rol të madh sipas tij kryen edhe likuiditeti financiar: “Frika që nuk mund t’i përmbushin detyrimet financiare e që në rastin më të keq do t’i fuste në borxhe, i shtynë skuadrat në marrëveshje për t’i lënë të lirë.”

Shkëputja e kontratave apo lirimi i futbollistëve për Drilon Sylejmanin ndodh sepse ka mungesë ofertash si dhe nuk ka treg të mirëfilltë.

“Normal që interes i klubeve është të shesin lojtarë e askush nuk dëshiron që t’i ikin lojtarët pa përfitim por kjo ndodhë se ka mungesë të ofertave si dhe tregu i transferimeve nuk është i mirëfilltë.”

Siç u cek edhe më lartë praktika e shitjes së lojtarit nga një skuadër kosovare në një tjetër ka ndodhur vetëm njëherë deri më tani, dhe kjo ndodhi në afatin kalimtar të vitit të kaluar kur Drita e bleu Muharrem Jasharin nga Trepça 89.

“Ne e kemi thyer tabunë në Kosovë, kur e kemi blerë Muharrem Jasharin nga Trepça 89 e shpresoj që do të vijë koha që të ketë më shumë shit-blerje mes skuadrave sepse ashtu rritet edhe kualiteti i ligës,” thekson Valon Zymberi.

Dukuria kur lojtari ka kontratë dhe pastaj arrihet marrëveshja mes klubit e lojtarit për t’u lënë i lirë ndodhë shumë shpesh, e sipas drejtorit sportiv të Dritës për këtë ka shumë arsye.

“Gjendja në klubet tona nuk është aq e qëndrueshme, në momentin që ti në skuadër ke një lojtarë me kontratë por që t’i nuk llogaritë në të për sezonin e ardhshëm, do të ishte barrë e madhe e skuadrës të mbahej me rrogë një lojtarë që nuk luan kurrë, e më këtë pajtohen edhe lojtarët të cilët nuk duan të humbin një sezon në bankë por gjejnë klube tjera të interesuara sepse e dinë se në Kosovë ka pak skuadra që mund të paguajnë dëmshpërblim.”

Zymberi tregon sesi klubet kosovare as që lodhen për të bërë oferta për lojtarë në klubet e tjera dhe këmbëngul se klubi i tij nuk do të shiste lojtar brenda Kosovës edhe po të merrte ndonjë ofertë.

“Nuk kemi pasur asnjëherë oferta për të na blerë lojtarë, por edhe nëse ka nuk është synimi jonë ai. Ne nuk mund t’i shesim lojtarët në Kosovë kur e dimë se çfarë gjendje financiare është. Ne tentojmë që lojtarët t’i përgatisim për tregun e jashtëm, ku edhe skuadra përfiton para të mira por edhe lojtari fiton një karrierë shumë më të mirë.”

Lajme të ngjashme