Zyrtari i lartë në MMPHI që po mban grevë: Listat e grevistëve keni me i marrë, kur të bën “shelnja” rrush
Zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ali Sefaj, i cili njëherit është sindikalist e grevist, ka bërë një reagim në lidhje me kërcënimet e Qeverisë se ata që po mbajnë grevë, do të mbesin pa paga.
Sefaj pëmres një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka paralajmëruar Qeverinë, duke thënë “rrini gati”’.
“Listat e grevistëve keni me i marrë, kur të ban shelnja rrush. Andaj rrini gati”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së sotme u publikuan email-e të komunikimit të Ministrisë së Financave me anëtarët e këshillit grevist, në lidhje me pezullimin e pagave për punëtorët që po mbajnë grevë.
Ndërkaq, sekretari i këtij institucioni, Enis Spahiu, i tha REL-it se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë.
Gjatë gjithë ditës, ka pasur reagime ndaj Qeverisë së Kosovës në lidhje me këto kërcënime ndaj punëtorëve të sektorit publik, pikërisht në ditën kur nisi greva e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
