Zvicra dhe Granit Xhaka, fitues në natën e emocioneve të larta - NACIONALE

Zvicra dhe Granit Xhaka, fitues në natën e emocioneve të larta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lojtarët e ekipit të Zvicrës, në një natë me emocione të forta futbolli, e dërguan në shtëpi kombëtaren e Serbisë. Zviceranët fituan dhe ecin tutje në ndeshjen e radhës me Portugalinë në Katar. Por ja çfarë ndodhi të premten në ndeshjen me Serbinë, kur Xhaka e Shaqiri i bënë krenarë sërish shqiptarët.

Mund të quhet ndeshja më e rëndësishme e xhiros së tretë të Kambionatit Botëror. Në fakt, kjo ndeshje pritej me shumë pompozitet nga të dyja kombëtaret dhe tifozët e tyre, duke e marrë parasysh edhe atë se çfarë kishte ndodhur në Botërorin e vitit 2018, kur Xhaka e Shaqiri i kishin festuar me shqiponjë golat e tyre.

Çka ndodhi të premten?

Pak para se të fillonte ndeshja, kishte përleshje mes tifozëve shqiptarë dhe atyre serbë në Doha, ku këta të fundit arritën ta goditnin njërin nga tifozët shqiptarë me shuplakë.

Krejt kjo filloi pasi u valëvit një flamur kuq e zi, teksa serbët u irrituan nga ky veprim.

Më pas, gjatë takimit, një tifoze u largua nga stadiumi, pasi u pa duke e bërë shqiponjën me duar.

Shaqiri shënoi gol dhe e gjithë Zvicra u çua në këmbë, sidomos tifozët shqiptarë të kësaj kombëtareje.

Serbia e përmbysi rezultatin shpejt në pjesën e parë dhe, pas golit të dytë, trajneri serb, Dragan Stojkoviq, i fyeu shumë rëndë shqiptarët, pamje që u kapën nga kamerat.

Zvicra u kthye në lojë dhe e përmbysi rezultatin e Shaqiri sërish ishte njëri nga kryesorët në golin e tretë, të fitores.

Xhaka u përfshi në një rast me bankën rezervë të Serbisë. Ai u ngacmua nga lojtarët rezervë, ndërsa ai ua ktheu me kapjen e organit gjenital dhe me një sharje drejtuar tyre.

Më vonë, gjatë takimit, sërish Xhaka u përfshi në një rast. Milenkoviqi e lojtarë të tjerë iu vërsulën atij, ndërsa ai u mbrojt si një luan i vërtetë. Më pas erdhi edhe ndihma nga shokët e skuadrës. Pas kësaj, të dy lojtarët u ndëshkuan me karton të verdhë.

Ndeshja përfundoi me fitore 3:2 të Zvicrës dhe me një kualifikim të saj në mesin e 16 skuadrave më të mira.

Festa shpërtheu. U festua gati në të gjitha qytetet e Kosovës e, gjithashtu, në Zvicër. Të gjithë u gëzuan për suksesin e Zvicrës së Shaqirit, Xhakës e Jasharit, por më shumë eliminimit të Serbisë.

Xhaka u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes dhe u pa në disa fotografi me fanellë të Ardon Jasharit. Menjëherë erdhën shkrimet nga mediet serbe, të cilat thanë se shpresonin se ky veprim nuk ishte provokim.

Ai publikoi edhe një fotografi në rrjete sociale, duke thënë se nuk mund ta përshkruajë këtë fitore.

Reagime, përveç sportit, pati edhe në rrafshin politik, ku figura të ndryshme të nivelit të lartë në Kosovë shkruan për këtë sukses të djemve shqiptarë me Zvicrën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi për fitoren e Zvicrës, duke shkruar shkurt: "Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës!"

Ndërsa presidentja Osmani, me fotografinë e Xhakës dhe Shaqirit, ka shkruar shkurt, "Bravo shqipe".

E kryetari i Lidhjes Demoraktike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi: "Gjurmë Kosove në këtë Botëror", ilustruar me festën "e çmendur" të Xhakës dhe të Shaqirit, që po i festonin golat e shënuar ndaj Serbisë.

Krenar me performancën e dy yjeve kosovare në ndeshjen kundër Serbisë u shpreh edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Zemra gjithmonë e bën dallimin. Krenarë, sot dhe përgjithmonë me ju djema. Urime të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Zvicër!” – shkroi ai në Facebook.

Lajme të ngjashme