KATAR 2022 | Shaqiri dhe Xhaka e dërgojnë sërish në shtëpi Serbinë, e kalojnë Zvicrën në 1/8 e finales - NACIONALE

KATAR 2022 | Shaqiri dhe Xhaka e dërgojnë sërish në shtëpi Serbinë, e kalojnë Zvicrën në 1/8 e finales

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Ashtu siç pritej, Zvicra përsëri e ka eliminuar Serbinë nga grupet e Botërorit me një fitore 3:2, edhe kësaj radhe të udhëhequr nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, të cilët ia siguruan kombëtares së tyre vendin e dytë dhe një vend në 1/8 e finales, së bashku me Brazilin që u rëndit e para në grupin G edhe pas humbjes ndaj Kamerunit në ndeshjen tjetër me rezultat 1:0.

Një ndeshje mjaft interesante është zhvilluar në stadiumin 974, ku rezultati u përmbys dy herë, fillimisht nga Serbia në pjesën e parë dhe më pastaj nga Zvicra në pjesën e dytë.

Image

Xherdan Shaqiri e zhbllokoi rezultatin pas 20 minutave lojë, ku shënoi një gol të bukur brenda zonës së 16-metërshit.

Serbia reagoi shpejt me dy gola, duke përmbysur rezultatin.

Fillimisht shënoi Aleksandar Mitrovic në minutën e 26-të, kurse pas nëntë minutave shënoi Dusan Vlahovic për rezultatin 2:1.

Zvicra arriti të kthehej në lojë, kësaj radhe shënoi Breel Embolo një minutë para përfundimit të pjesës së parë, për të shkuar në pushimin mes dy pjesëve me rezultat 2:2.

Me të nisur pjesa e dytë, rezultati u përmbys sërish. Kësaj radhe ishte Zvicra që me anë të yllit të Nottingham Forest, Remo Freuler, shënoi për 3:2 në minutën e 48-të.

Gola në vazhdim të ndeshjes nuk pati më dhe me rezultatin 3:2 përfundoi ndeshja, që i bie se Serbia sërish eliminohet nga faza e grupeve në Botëror, pikërisht nga e njëjta skuadër si në Botërorin e 2018-ës.

Zvicra kualifikohet tutje si e dyta në grupin G dhe në 1/8 e finales do të përballet me Portugalinë.

Përmbledhja e ndeshjes Zvicra - Serbia:

Kamerun – Brazil

Në ndeshjen tjetër të grupit G, Kameruni në frymën e fundit të takimit shënoi gol për të fituar ndaj Brazilit me rezultat 1:0.

Brazili ndonëse kishte siguruar kualifikimin tutje, dominoi në këtë takim, ani pse nuk pati formacionin më të mirë të saj në fushë.

Image

Sërish për Kamerunin vendimtar ishte Aboubakar, i cili shënoi në minutën shtesë të ndeshjes në golin e vetëm të takimit.

Ndonëse fitoi, Kameruni eliminohet nga Botërori i Katarit, ndërsa Brazili shkon tutje si lider.

Brazilianët në fazën tjetër do të përballen me Korenë Jugore, për të kërkuar një vend në çerekfinale.

Kujtojmë se pas përfundimit të ndeshjes Kamerun – Brazil me humbjen e kësaj të fundit, ky është Botërori i parë pas vitit 1994, ku asnjë skuadër nuk ka arritur pikët e plota në grup.

Përmbledhja e ndeshjes Kamerun - Brazil:

Lajme të ngjashme