Vrasja në QKUK, rekomandohet suspendimi i komandantit të Policisë në Lipjan dhe tre zyrtarëve policorë - NACIONALE

Vrasja në QKUK, rekomandohet suspendimi i komandantit të Policisë në Lipjan dhe tre zyrtarëve policorë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka lëshuar një njoftim. Siç bëhet e njohur, IPK ka kryer hetimet me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në QKUK. IPK ka hetuar disa policë, përfshirë drejtorin e stacionit policor në Lipjan për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Inspektorati tashmë ka rekomanduar supsendimin e Drejtorit të Policisë në Lipjan dhe tre zyrtarëve të tjerë policorë.

"Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për "Dhunë në familje" dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës". - shkruan IPK.

Këto raste, siç bëhet e ditur tutje, janë trajtuar nga Stacioni Policor në Shtime, si dhe Stacioni Policor në Lipjan, i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e urdhërmbrojtjes të Hamide Magashit, 35 vjeçares shtatzënë që u qëllua për vdekje mbrëmjen e së mërkurës.

Por, në komunikatën e IPK-së, vërehet se në lidhje me hetimet që janë bërë deri tani, ka elemnte të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “falsifikim i dokumentin zyrtar”.

“Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) . Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”, thuhet në fund të komunikatës.

Hetime fillon edhe Inspektorati Shëndetësor

Edhe Inspektorati Shëndetësor tashmë ka filluar hetimet në Klinikën e Gjinekologjisë për rastin e gruas shtatzënë e cila u vra të mërkurën rreth ores 18:00 në oborrin e klinikës.

Inspektorati Shëndetësor ka konfirmuar se janë duke hetuar rastin e gruas shtatzënë në Klinikën e Gjinekologjisë, e cila u vra të mërkurën mbrëma nga ish-bashkëshorti i saj.

“Inspektorati Shëndetësor me të marrë informatën është duke kryer të gjitha veprimet në kuadër të kompetencave me këtë rast, janë duke u kryer edhe inspektime në Klinikën e Gjinekologjisë”, thuhet në përgjigjen e ISH-së përmes zyrës për media të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vrasja e Hamide Magashit

Hamide Magashi, 35 vjeç, u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili. Viktima, ishte shtatzënë dhe pritej që ditën tjetër, të lindte foshnjën e saj.

Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, rasti i rëndë ka ndodhur të mërkurën rreth orës 18:00.

Nacionale, gjatë ditës së enjte qëndroi te shtëpia e familjes së viktimës, ku mësuam se Hamide Magashi do të lindte me operim, të enjten e 1 dhjetorit.

Dy ditë para se të futej në operacion, ajo ishte vizituar në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, nga familja e ish-burrit, më konkretisht, nëna dhe motra e Sokol Halilit.

Siç na tha motra e viktimës, Burbuqe Brahimi, atë ditë në spital familja e ish-burrit i kishte kërkuar Hamides që të ribashkohej me djalin e tyre.

“Një ditë përpara (të martën), ata (familja e ish-burrit) ishin në spital, ia sollën minelat edhe teshat e fmive aty e ia lanë. Me këmbëngulje i thoshin që të kthehej. Kjo i tha “unë për e gjallë nuk kthehna, e vdekur kthehna. I thoshin për hatër të djalit (foshnjës që e mbante në bark), kjo u ka thanë: "Nuk kthehna, foshnjën jua dha, por unë nuk kthena”- thotë znj.Brahimi për Nacionalen.

Sokol Haliti vret veten

Ditën e sotme, policia e Kosovës e ka lokalizuar vendodhjen e Sokol Halitit, pas plot 44 orëve në arrati.

Pavarësisht tentativës të zyrtarëve policorë për të negociuar dorëzimin, siç ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky ka kryer vetëvrasje.

“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, ka shkruar ai.

Sveçla më tutje, ka thënë se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë rast.

Lajme të ngjashme