Policia e gjen Sokol Halilin, Sveçla thotë se vrau veten pas negociatave për dorëzim
Sokol Halili, i cili vrau ish-bashkëshorten e tij, Hamide Magashi dy netë më parë para repartit të Gjinekologjisë, ka kryer vetëvrasje gjatë ditës së premte. Kjo është konfirmuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla përmes një njoftimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se kanë tentuar të negociojnë me të dyshuarin, pasi ai fillimisht u lokalizua nga policia, por se i njëjti ka vrarë vetën.
“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, ka shkruar ai.
Sveçla më tutje, ka thënë se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë rast.
Vrasja e Hamide Magashit
Hamide Magashi, 35 vjeç, u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili. Viktima, ishte shtatzënë dhe pritej që ditën tjetër, të lindte foshnjën e saj.
Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, rasti i rëndë ka ndodhur të mërkurën rreth orës 18:00.
Nacionale, gjatë ditës së enjte qëndroi te shtëpia e familjes së viktimës, ku mësuam se Hamide Magashi do të lindte me operim, të enjten e 1 dhjetorit.
Dy ditë para se të futej në operacion, ajo ishte vizituar në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, nga familja e ish-burrit, më konkretisht, nëna dhe motra e Sokol Halilit.
Siç na tha motra e viktimës, Burbuqe Brahimi, atë ditë në spital familja e ish-burrit i kishte kërkuar Hamides që të ribashkohej me djalin e tyre.
“Një ditë përpara (të martën), ata (familja e ish-burrit) ishin në spital, ia sollën minelat edhe teshat e fmive aty e ia lanë. Me këmbëngulje i thoshin që të kthehej. Kjo i tha “unë për e gjallë nuk kthehna, e vdekur kthehna. I thoshin për hatër të djalit (foshnjës që e mbante në bark), kjo u ka thanë: "Nuk kthehna, foshnjën jua dha, por unë nuk kthena”- thotë znj.Brahimi për Nacionalen.

Çka tha babai i Sokol Halilit?
Nacionale bisedoi edhe me Halil Halilin, babai i Sokolit. Ky gjatë ditës së enjte na tha se “shpreson që ky të jetë rasti i fundit”.
“Jam i mërzitur, jam i nervozuar shumë. Shumë keq, shumë keq, shumë keq. E kam një mesazh: ishalla kurrë nuk ndodhin këso rastesh të rënda, të këqia, të liga, se jam shumë i mërzitur. Hiç nuk di sen për ta, ma mirë ai me pasë dekë me gjithë ta, masi e ka vendosë me bo ata, edhe ai me pasë metë qaty. Hiç s’du me pa, as me m'marrë kohë, shumë keq ka bo, shumë keq, tash me gru s’po dijmë çka me bo." - theksoi ai
Veç kësaj, ai na tha se e ka takuar të marten Hamide Magashin, e cila një ditë më pas do të vritej nga Sokol Halili.
“Na jemi kanë pardje, me ja çu teshat, unë, plaka jeme, çika jeme, edhe ja kanë çu teshat. Edhe i kanë thanë: "A të vyjnë pare për naj nevojë, najsen?", “Jo”,- ka thanë,- “Nuk më vynë kurgjo”. Edhe ma s’di çka foli për këtë punë ma, sen.” – theksoi Halili.

Halili ka thënë se ka pasur raporte të mira me bashkëshorten e të birit, por ka konfirmuar se çifti kishte pasur probleme.
“Valla me neve fort mirë, sikur me çikën tonë. Kanë pasë problem, qysh ka kallxu Sokoli, si ka metë shtatzanë, i kishin pasë do fjalë, do sene, ma thellë nuk di çka me thanë.” – përfundoi Halili.

Protesta
Mijëra protestues u mblodhën pasditen e së enjtes në sheshet kryesore të Prishtinës, pas vrasjes së 35 vjeçares shtatzënë.
Ndonëse ishte shi, kjo nuk i pengua qytetarët që t’i bashkohen protesta.
Në duart e tyre, protestuesit po mbanin parulla me mbishkrime të ndryshme.
“Kryeministër, armiku është patriarkati”, “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”, ishin disa prej tyre.
