Publikohet një letër, pretendohet se Sokol Halili e ka lënë për prindërit e tij
Disa orë pas vetëvrasjes së Sokol Halilit është publikuar një letër për të cilën po raportohet se ky i fundit ia ka lënë prindit të tij. Në këtë letër gjatë, pretendohet se tashmë i ndjeri, nuk pasur probleme me bashkëshorten e tij.
Në letrën e siguruar nga T7, e cila thuhet se është e shkruar nga Halili dhe e lënë për prindërit e tij, ky ka thënë se problemet kanë nisur kur gruaja e tij ka mbetur shtatzënë.
Sipas letrës, Hamide Magashit i kishte kërkuar që të bënin një marrëveshje për fëmijën e tyre.
“Gruja jem ma kallzoj një plan pasi ka mbet shtatzëne, me patë thanë që me e bo një marrëveshje veç unë edhe ti, me patë thanë të paguaj sa t’shkon ni gjak ti dha 25 mijë euro, qit fmi qe e kam në bark me ma qu ti te shpija babës tem, dhe me rrit unë këtë fëmija me vakaf të babës tem dhe me zanë hise te shpija e babës tem. Dhe ketë punë mos me e ditë kërkush përveç unë edhe ti”, thuhet ne letër.
“…E kam pa që përnime e paska pas punën e thmis dhe pse më shtini në polici dhe pse me shtini në gjykata, unë gjat gjith kohës e kom lut mos ta lajnë fminë jetim. Jam kam qu dajt e vet per me afru punë, ja kom qu dhandrrin e vet për me afru punë, veq kan kujtu që let asht m`ja marr dikuj thmin”, është thënë në letër.
Mes tjerash, në letrën që pretendohet se është lënë nga Haliti, thuhet se ai ka treguar edhe momentin kur e qëlloi për vdekje, Hamide Magashin, 35 vjeçaren shtatzënë.
“…kur më tha aty për aty, për fmi, ashtu unë i kom kallxu se nuk muj ashtu me lanë fminë tem, dhe në moment, e kom nxjerr alltinë, edhe i kom shkrep dy herë në gjoks edhe kur ka ran ë tokë, i kom shkrep edhe një herë në kokë edhe kom pas qef me ia pa ceremoninë e varrimit edhe kom kpas qef me pa a po flitet najkun fjala e vërtetë, se kom mujt me shku kry për kry me ta, po kom pas qef me pa edhe me ni qysh po shkon e vërteta…”, ka thënë ai.
Sokol Haliti vret vetën
Ditën e sotme, policia e Kosovës e ka lokalizuar vendodhjen e Sokol Halitit, pas plot 44 orëve në arrati.
Pavarësisht tentativës të zyrtarëve policorë për të negociuar dorëzimin, siç ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky ka kryer vetëvrasje.
“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, ka shkruar ai.
Sveçla më tutje, ka thënë se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë rast.
Vrasja e Hamide Magashit
Hamide Magashi, 35 vjeç, u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili. Viktima, ishte shtatzënë dhe pritej që ditën tjetër, të lindte foshnjën e saj.
Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, rasti i rëndë ka ndodhur të mërkurën rreth orës 18:00.
Nacionale, gjatë ditës së enjte qëndroi te shtëpia e familjes së viktimës, ku mësuam se Hamide Magashi do të lindte me operim, të enjten e 1 dhjetorit.
Dy ditë para se të futej në operacion, ajo ishte vizituar në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, nga familja e ish-burrit, më konkretisht, nëna dhe motra e Sokol Halilit.
Siç na tha motra e viktimës, Burbuqe Brahimi, atë ditë në spital familja e ish-burrit i kishte kërkuar Hamides që të ribashkohej me djalin e tyre.
“Një ditë përpara (të martën), ata (familja e ish-burrit) ishin në spital, ia sollën minelat edhe teshat e fmive aty e ia lanë. Me këmbëngulje i thoshin që të kthehej. Kjo i tha “unë për e gjallë nuk kthehna, e vdekur kthehna. I thoshin për hatër të djalit (foshnjës që e mbante në bark), kjo u ka thanë: "Nuk kthehna, foshnjën jua dha, por unë nuk kthena”- thotë znj.Brahimi për Nacionalen.
Hamide Magashi dhe fëmija i saj, janë varrosur pasditen e së mërkurës.












