Vrasja në Gjinekologji | Reagime të shumta ndaj fjalëve të Kurtit e kërkesa për llogaridhënie - NACIONALE

Vrasja në Gjinekologji | Reagime të shumta ndaj fjalëve të Kurtit e kërkesa për llogaridhënie

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 18:00 në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, konkretisht përballë Klinikës Gjinekologjike.

Një grua shtatzënë u vra me disa plumba nga ish-bashkorti i saj i cili për momentin gjendet në arrati.

35-vjeçarja e cila u vra sot para repartit të Gjinekologjisë, u raportua se më parë kishte kërkuar ndihmë nga organet e drejtësisë.

Rasti i rëndë i vrasjes së gruas ka tronditur opinionin dhe ka shkaktuar reagime të shumta.

Mirëpo, disa reagime, si ai i kryeministrit Kurti, kanë shkaktuar reagime të mëdha në opinionin e gjerë lidhur me një pjesë të statusit të tij në Facebook, i cili po cilësohet si skandaloz.

“Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë” – janë pjesët e tekstit të Kurtit në reagimin e tij në Facebook që ka shkaktuar nervozizëm me seksizimin dhe gjuhen aspak të duhur të përdorur në një ngjarje të tillë.

Analisti Ilir Mirena tha se është mirë që dikush i redakton postimet e kryeministrit Kurti.

Reagimi i kryeministrit Kurtit nuk i ka pëlqyer aspak edhe aktivistes Zana Avdiu, e cila tha se mendësia e tij i vret gratë.

“Kryeministri thote: “Edhe nje burre qe qellon mbi gruan qe duhej ta mbronte”. Kryeminister qikjo mendesi vret. Qikjo mendesi i jep te drejta burrit, mbi gruan, mbi jeten dhe sigurine e saj. Pse nje burre po duhet me mbrojte gruan? Kjo eshte kur obligimet e shtetit, ua jep qytetareve burra! Jo z. Kryeminister, asnje burre nuk e mbrone gruan. Ky eshte vec justifikim, per me i mirembajte dhunen, shtypjen e vrasjet. Ate gru u dashte mi mbrojte shteti, jo burri i saj. Se qe qysh e mbrojti! – tha ajo.

Ndaj shkrimit të Kurtit kanë reaguar edhe qytetarë të shumtë, të cilët e kanë akuzuar qeverinë e tij për mosveprim në parandalimin e rasteve të shpeshta të vrasjeve ndaj grave në kohët e fundit.

Fakti që 35-vjeçarja e cila u vra sot para repartit të Gjinekologjisë, më parë kishte kërkuar ndihmë nga organet e drejtësisë, ka bërë që që shumë figura publike të akuzojnë pushtetin për dështim në ofrimin e sigurisë dhe drejtësisë së premtuar.

Analisti Petrit Zogaj ka thënë se Kryeministri të llogarisë sa më shumë se sa shqiptarë kanë mbetur nga kjo vrasje, por le ta dinë se pushteti i tij tashmë është përgjakur.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka thënë se lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së gruas që ndodhi sot, më e pakta që mund të bëhet është dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu akuzoi qeverinë Kurti se është duke e shkatrruar sistemin e drejtësisë me veprime kundër KGJK dhe KPK.

Pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në repartin e Gjinekologjisë, ka reaguar edhe një kardiokirurg nga QKUK-ja, i cili duke dënuar rastin, ka thënë që shumë persona duhet të kërkojnë falje publike e të japin dorëheqje.

Leonard Bytyqi, ndër të tjera është shprehur me fjalët se, “kena dështu komplet si shtet, si shoqni, si individ e si burra”.

Ai ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje, përkundër që rasti nuk lidhet direkt me punën e tyre, por se një gjë e tillë duhet të bëhet për të treguar se dikujt i intereson për njerëzit që po vriten.

“Lshoni karriget, ikni prej atyne 2 grosh vota që keni me i marr mas 1 viti, e ndjera ishte nën urdhër mbrojtjeje. Mane n'mend, kena me u turpnue edhe n varr,” ka shkruar Bytyqi.

Lajme të ngjashme