Vrasja e gruas në QKUK: Si plasën seksizmi e patriarkalizmi i Albin Kurtit e i Vjosa Osmanit?
Javën e kaluar shkruajta për mungesën e reagimeve për vrasjen me sëpatë të mësueses, që dyshohet se u vra nga burri i saj. Një krim i tmerrshëm e makabër, por që mori shumë pak vëmendje. Heshtja për vrasjen e mësueses Sadije Godeni ishte paralajmërim për skenën e ardhshme, po aq tragjike: vrasjen e Hamide Magashit.
Kur një vrasje si e mësueses kalon disi pa u vërejtur, flet qartë se vrasjet e grave janë, fatkeqësisht, normale dhe të pranueshme në shumë raste. Dhe të arsyetuara e të arsyetueshme. Prandaj, vrasja e gruas shtatzënë ka qenë e paralajmëruar, e pritshme, një akt që shënjon dështimin e shoqërisë.
Në vrasjen e 35- vjeçares është bashkëfajtor edhe shteti, për dallim nga rasti i mësueses, sepse Hamidja u vra brenda institucionit të shtetit, ku vrasësi ka pasur mundësi të hy brenda hapësirës së spitalit shtetëror dhe ta qëllojë për vdekje një paciente dhe të largohet nga aty pa u penguar nga askush.
Si është e mundur që një institucion i tillë shtetëror, që paguan mijëra euro për sigurim fizik, nuk ofron as sigurinë minimale të jetës?
Pastaj skandalin e thellon edhe më tepër fakti që viktima e kishte raportuar dhunën e bashkëshortit dhe ishte nën urdhër mbrojtjeje nga Policia. Dhe, aq më tragjike: kufoma qëndroi mbi një orë e gjysmë duke i pritur policët dhe autoritetet e tjera të drejtësisë dhe asnjë doktor nuk iu ofrua.

Dhe për ta thelluar skandalin edhe më shumë përkujdesen Presidentja, Kryeministri, u.d e ministres së Shendetësise, me reagimet e tyre seksiste. Gjuha e tyre e është funndamentalisht seksiste, dhe hyn në kuadër të asaj që quhet seksizem dashamirës (anglisht: benevolent sexism).
Seksizmi dashamirës ka për qëllim mirëmbajtjen e pabarazisë gjinore, duke vazhduar me ndarjen e rolëve gjinore pasi nënkupton inferioritetin e grave, të cilat i paraqet më të dobëta, të paafta dhe me nevojën për mbrojtje. E burrat, natyrshëm, janë heronjët e kohës bashkëkohore.
Statusi nr.1: Vjosa Osmani
"Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur", shkruan presidentja Osmani që në hyrje.
Komenti jem:
Presidentja e nis postimin e saj duke e reduktuar gruan në rolin biologjik. Tragjedia për Osmanin nuk është se një grua u vra, e humbi jetën, por që nuk arriti të bëhej nënë. Pra po të vritej pas 2 jave, më konkretisht pasi të lindte, vrasja e saj nuk do të ishte po kaq e rëndë. Kosova nuk do të vajtonte (sic). Kjo pra është ajo gjuha seksiste që e mirëmban dhe e ushqen dhunën, diskriminimin dhe vrasjën e grave.
Ky shkrim i shefës së shtetit nuk i jep aspak vlerë jetës së grave. Tani, presidentja e vajton "bijen e humbur", jo gruan e humbur, pra nuk është më rëndësi jeta e viktimës por ndjenjat e familjarëve të saj, ekzistenca e saj ka rëndësi veç në raport me familjarët e saj, konretisht me burrat përrreth saj.
Dhe, në pikën ku presidentja i vë kulmin reagimit të saj seksist është kur fjalën burrë e futë në thonjëza, teksa thotë për vrasësin “një "burrë" që nuk mund të quhet qenie njerëzore”. Pse duhet të vendosen thonjëzat mbi fjalën burrë në këtë rast?
Kush po i vret gratë? Burrat.
Pra, termi burrë nuk nënkupton konstruktin biologjik, por atë social. Burrëria është e ndërtuar në atë formë që vret dhe dhunon, diskriminon dhe abuzon. Sepse burri kontrollon, dominon dhe vendosë për jetën e të tjerëve. Burrëria është propaganduar si ideal i përsosmërisë për t'i arsyetuar dhunën, shtypjen dhe abuzimet ndaj grave.
Sipas gazetes norvegjeze vg.no të qenurit burrë është nga faktorët më të mdhenj të rrezikut për të kryer vrasje. 96% e vrasjeve në Norvegji në vitin 2021 janë kryer nga burrat. Dhe nëntë në dhjetë vrasje globalisht kryehen nga burrat. Pra, burrëria është problem, sepse në vetëvetë është toksike. Dhe për këtë gjë duhet të flasim nësë dëshirojmë ta ndalim dhunën.
Se sa e lidhur është burrëria me dhunën e shpjegon më së miri autorja feministe Margarete Stokowski, e cila në një artikull me titull “është djalë”, thoshte se kur shohim një grua shtatzënë kemi një pyetje "a ështe vajzë a djalë?". Ndërsa kur degjojmë ndonjë vrasje, vjedhje, akt terrorist, ne nuk pyesim për gjininë e autorit, ngase marrim me mend se është burrë.
Statusi nr.2: Albin Kurti
"Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte"- shkruan Kryeministri Albin Kurti.
Komenti i jem:
Prej kujt duhej ta mbronte z.Kryeministër? Pse duhet ta mbrojë burri i saj? Për çfarë është policia dhe ushtria?
Pra reagimi i kryeministrit ishte në logjikën e një babaxhani që mbron gruan e fëmijët, duke përforcuar edhe me shumë stereotipet seksiste që krijojne pabarazinë ndërmjet grave që nuk kanë mundësi të mbrohen dhe burrave shpatullgjërë. Përsëritja e këtyre stereotipeve nuk bën gjë tjetër, pos përjetësimit të dominimit gjinor të burrave mbi gratë.
Është fatkeqësi që një kryeministër e një presidente që u votuan masivisht nga gratë të harxhojnë energjinë e tyre reaguese e riprodhimin e shtypjes gjinore. Më pas Kryeministri tha që "ka pak policë", por vrasja e djeshme e Hamidës nuk erdhi si pasojë e numrit të ulët të policëve, por si pasojë e dështimit të zingjirit komandues, që nis prej policit të thjeshtë, e deri te Ministri i Brendshëm. Kur nuk respektohen urdhërat e gjykatave, nuk mjaftojnë as 1 polic për kokë banori, e lërë më 10 mijë policë. Pra problemi nuk është sasior, por cilësor, dhe për këtë përgjegjësia është institucionale.
Statusi nr.3: Dafina Gexha.
"Plumba mbi një grua - burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë"- shkruan u.d e ministres së Shëndëtësisë, Dafina Gexha.
Komenti i jem:
Edhe ushtruesja e detyrës se ministres së Shëndëtesisë, Dafina Gexha gratë i redukton vetëm në rolin biologjik të tyre. Gratë duhet të lindin. Dhe më me rëndësi se me jetu për gratë, është më lindë, me sjellë djem në jetë, që është gjinia e parapëlqyer e kosovarëve. Nuk ka si me qenë ndryshe kur nuk i bën përshtypje që 35- vjeçaren nuk e lejuan të jetojë, por që nuk e lejuan të lindte një fëmijë.
Statusi nr. 4: Ramush Haradinaj
"Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore" shkruan ndër tjera ish-kryeministri Haradinaj.
Komenti jem:
Tradita shqiptare nuk e kundërshton aspak vrasjen e grave, përkundrazi i legjitimon. Gratë në traditën shqiptare nuk gëzojnë thuajse asnjë të drejtë elementare, që nuk kanë të drejtë trashëgimie e as martese e divorci. Burrat e familjës e kryjnë këtë punë kur është nevoja. Këto deklarata se vrasjen e grave e kundërshton tradita shqiptare janë për të mos u diskutuar normat e traditës që çojnë në akte të tilla makabre. Janë thirrje për të mos ndryshuar, dhe për këtë janë problematike.