Copa më e madhe e mishit për djemtë, shkak i vrasjes së grave
Kishte tre vajza, edhe shtatzënia e katërt ishte vajzë. Aty u vendos që foshnja të abortohej, me shpresën që herën tjetër të jetë djalë. Gruaja tashmë ndihej në borxh që të lindte një djalë. Kohë më pas ndodhi edhe ajo. Ndërkohë që vajzat që kishte, ishin lënë në hije nga të gjithë në familje, djali u rrit si mos më mirë. E dini, edhe copa më e madhe e mishit i ndahej atij.
Shkruajnë: Arta Avdiu dhe Miranda Shala
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vendin tonë shkalla e lindshmërisë së djemve është ndërmjet 110 deri 112 djem, në 100 vajza. Ndërsa, raporti natyror është 104 djem për 100 vajza – domethënë aborti selektiv vazhdon të jetë në shifra alarmante.
Pra, pabarazia gjinore që nis që para lindjes e vazhdon në tryezën e bukës, një ditë patjetër që do të na sillte mëngjese ku sytë i hapim me lajmin e vrasjes së një gruaje. Ku një djalë që me shumë mundësi është pritur në jetë me daulle e këngë, tani që është bërë burrë, më nuk mjaftohet vetëm më të drejtën për të marrë atë copën më të madhe të mishit, tani i’a njeh vetes të drejtën edhe për t’i marrë jetën një gruaje me të cilën ndan shtratin.
Në një shoqëri në të cilën kultura iu njeh “superioritet” burrave, femicidi është normë.
Sipas Qendrës Kosovare për studime gjinore, rreth 68% e grave në Kosovë raportojnë se kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre.
Bija nga babai, motra nga vëllai, bashkëshortja nga bashkëshorti. Siç thonë edhe vëllezërit e motrat tona facebookianë, “Pa e pas ni zor se kish rreh”, “Pa e pas ni zor se kish vra”, pra në çdo formë kërkohet të arsyetohet një veprim jashtë çdo arsyeje njerëzore.
Megjithatë, ne e dimë se çfarë “zori” mund të ketë pasur burri që vrau mësuesen në Prishtinë. E thjeshtë, e vrau se mundi, e vrau se ishte grua!
Kjo grua me shumë mundësi është “vrarë” edhe shumë herë tjera gjatë jetës, deri në vrasjen fizike që ndodhi në mënyrën më makabre nga personi që kishte zgjedhur, ose i’a kishin zgjedhur për të ndarë jetën.
Nuk kemi pse habitemi, në një vend ku dhunohet seksualisht një 4-vjeçare, e ku 12 burra dhunojnë një 11-vjeçare pa frikën se dënohen nga shoqëria a shteti, vrasja është e radhës. Ka ndodhur, ndodhi dje e do të ndodhë edhe në vazhdim.
Kthehemi të ajo që e thamë më lartë, ndjenja e “superioritetit” që iu është falur burrave nga shoqëria, bën që rastet e pështira, si dhuna fizike e përdhunimet, të përsëriten e të shkojnë deri në vrasje.
A mund të jetonim në një realitet ndryshe?
Po, patjetër, nëse në familjet shqiptare, nuk do të trashëgonin vetëm 4% e grave. Po, nëse nga 600 mijë gra në moshë pune, nuk do të punonin vetëm 85,601, atëherë kjo gjë edhe do të mundësonte që të kishin prona më shumë se sa vetëm 17% e grave që kanë tani. Prona, të cilat sadopak do i’u mundësonin një jetë, pa frikë për jetën. Një vend ku mund të jetonin pa hijen e një burri, që u cënon dinjitetin, integritetin personal e fizik në vazhdimësi.
Nëse në familje nuk hyjmë dot për të ndryshuar sadopak këtë mentalitet vrasës. Të pakën t’i drejtohemi institucioneve të shtetit duke kërkuar maksimumin që mund të bëhet për barazi, eliminim të dhunës, e garanci të jetës.
Ndonëse e ka miratuar Konventën e Stambollit e cila përcakton standardet bazë dhe detyrimet e shteteve në parandalim dhe luftim të dhunës ndaj grave, Kosova nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete në këtë drejtim.
Mendojmë se, një hap i parë që mund të ndërmerrej për të ndryshuar këtë situatë mund të jetë një kurrikulë feministe nëpër shkolla - aty ku nis gjithçka, menjëherë pas familjes.
Më tej, kjo rrugë mund të vazhdohej me një gjykatë të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, në mënyrë që edhe një shuplakë e vetme të mos harrohej me një “më fal” e të mos kapërdihej me idenë e durimit për “hatër” të familjes.
25 nëntori, ditë e shënuar si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, në Kosovë u shënua me vrasjen mizore të një gruaje. E çuditshmja e ditës ishte se kjo vrasje nuk shkaktoi zemërim në shoqërinë tonë, aq sa për të reaguar qoftë edhe përmes një statusi në rrjetet sociale. Ndoshta, fakti se agresori ishte burrë e viktima grua, e bëri rastin më të pranuar.
Munguan edhe afishet me fotografitë e vrasësit nëpër shtyllat rrugore. Ato po që duheshin vënë, por me shumë mundësi është menduar që të mos i ulet nderi në odën e burrave ku po pritet e pamja për gruan që i mori jetën, e për të cilën me shumë mundësi po flitet për mënyrat se si “ajo e kishte detyruar” që ta vriste.
Kushedi, ndoshta s’ia kishte sjellë gotën e ujit në momentin që e kishte kërkuar.