Rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre që e tronditën Kosovën - NACIONALE

Rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre që e tronditën Kosovën

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Sadije Godeni, Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj. Janë këta vetëm disa prej emrave të grave që e kanë pësuar vdekjen nga partnerët e tyre ndër vite në Kosovë.

Kosova të premten e 25 nëntorit u trondit nga një vrasje. Viktimë, edhe kësaj here, doli të jetë nje grua. Mizorisht, në shtëpinë e saj, dyshohet se u vra me sëpatë 63-vjeçarja Sadije Godeni. I dyshuari i vetëm për këtë krim është burri i saj, Izeti, i cili qe pikërisht ai që e lajmëroi policinë mëngjesin e së premtes për krimin që e kishte bërë.

Çka dihet deri më tani për rastin e vrasjes së Sadije Godenit?

Kishte 28 vjet që jepte mësim në shkollën fillore "Dardania" të Prishtinës. Arsimtarja e gjeografisë, Sadije Godeni, asnjëherë nuk kishte munguar në procesin mësimor.

Mungesa e saj e vetme qe të premten. Por kjo mungesë nuk u bë me dëshirën e saj.

Mësuesja e gjeografisë, 63-vjecarja Sadije Godeni, u gjet e vrarë mizorisht në shtëpinë ku jetonte me burrin e saj 70-vjeçar. E i dyshuari për vrasjen e mësueses është pikërisht burri i saj, Izeti. Ky u vetëdorëzua sot në polici.

Sipas Prokurorisë, ngjarja makabre ndodhi dikur në orët e para të mëngjesit të së premtes.

“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”- ka thënë Prokuroria në njoftimin e saj.

Por cilat janë vrasjet që tronditën Kosovën ndër vite? - Viktimat, në të shumtën e rasteve, janë gra.

Vrasja e Marigonës

Të lexosh e të hulumtosh për mënyrën se si janë vrarë disa prej garave kosovare për të cilat folëm më lart, të rrëqethet trupi dhe nuk do të besosh që janë burrat kosovarë, ata që i kanë kryer këto krime të rënda.

Të gjithë jemi tronditur, kur vitin e kaluar një 18-vjeçare kosovare u vra në mënyrë mizore nga partneri i saj.

Mes torturave, dhunimit, thyerjeve të gjymtyrëve të trupit e dhënies së tramadolit, bar i cili përdoret për t'i lehtësuar dhimbjet, shpjegohet të ketë ndodhur vdekja e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt.

Për këtë ngjarje, e cila e tronditi shoqërinë në Kosovë, akuza për vrasje të rëndë, dhunim e bashkëkryerje në vrasje është ngarkuar ndaj dy shokëve, Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu.

Marigona Osmani, 18-vjeçare, ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt nga partneri i saj, Dardan Krivaça, dhe shoku i tij, Arbër Sejdiu.

Këta dy persona e kishin lënë trupin e 18-vjeçares në spital dhe kishin dalë nga ambientet e objektit ndërsa ishin identifikuar nga organet e rendit e ditë më pas ishin arrestuar.

Për këtë rast, dosja e prokurorisë për vrasjen e rëndë vë në pah detaje tronditëse se si kishte ndodhur ngjarja e që para saj, e reja ishte torturuar në mënyrë mizore.

Në dosjen e Prokurorisë jepen të dhëna të tmerrshme se si ishte krye vrasja e Marigonës. Sipas Prokurorisë, në javën e fundit të gushtit të vitit të kaluar, Marigona Osmani ishte detyruar që të kryente marrëdhënie seksuale me partnerin e saj, Dardan Krivaça, në banesën e tij. Dosja përshkruan se si “marrëdhënia seksuale përcillet me tortura në atë mënyrë që fillimisht, pa dëshirën e Marigona Osmanit, kryhet marrëdhënie seksuale në sallon dhe të zhveshur Dardan Krivaça e dërgon në banjë, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit dhe, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore e dhunës së ushtruar, ajo e humb aftësinë për të rezistuar”.

Dosja e autopsisë së 18-vjeçares tregon për një torturë mizore që i ishte bërë asaj para vdekjes.

Vrasja e Lirijes

Në Llaushë të Skënderajt, në janar të këtij viti, në mënyrë mizore po ashtu ishte vrarë edhe Lirije Qerimaj.

Pesë ditë para se të vritej nga burri, rastin për dhunë ajo e kishte raportuar në polici.

"KALLXO.com" kishte raportuar se gruaja kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por për shkak të festave zyrtare, kërkesa për mbrojtje ishte lënë që të dorëzohej në mes të javës, kur të përfundonin pushimet.

Në ditën kur pritej të bëhej kërkesa për mbrojtje, ajo ishte vrarë nga burri i saj, i cili ishte dorëzuar më pas në polici me të njëjtën armë që e kishte kryer vrasjen.

Lirije Qerimaj ishte qëlluar gjashtë herë me plumba në trup nga Skender Qerimaj.

Vrasja e Sabiles

Më 25 korrik, rreth orës 12:00 në mesditë, në mënyrë mizore vritet në shtëpinë e saj Sabilja nga burri i vet, Nuhi Mavrovqani. Burri e kishte qëlluar gruan e tij me një shufër metalike të një gjatësie prej 73 centimetrash dhe të një trashësie prej 2,2 centimetrash.

E gjitha kishte filluar pas një fjalosjeje mes çiftit, ndërsa Nuhi Mavrovqani më pas e kishte filluar sulmin ndaj gruas së tij, duke e goditur fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe një herë në anën e majtë të kokës. E njëjta ishte rrëzuar në tokë, ndërsa Nuhi Mavrovqani kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit. Gruaja nuk kishte arritur t’u mbijetonte atyre plagëve.

Dosja e prokurorisë ka përshkruar se Nuhi Mavrovqani edhe në të kaluarën ka pasur raste të iniciuara për dhunë të ushtruar ndaj gruas së tij.

Vrasja e Hetijes

Hatije Dina, gruaja e Ilir Haxhiajt, kishte vdekur dy javë pas rrahjes nga bashkëshorti. Prokuroria kishte pretenduar se në dalje të fshatit Samadraxhë, Ilir Haxhiaj ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe e ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit. Në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina, si pasojë e sulmit nga bashkëshorti, është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

Si rrjedhojë e goditjeve dhe e lëndimeve të pësuara, tashmë e ndjera Hatije Dina kishte pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë dy javë pas ngjarjes. Disa nga gratë që u vranë ndër vite nga bashkëshortët apo partnerët e tyre, ishin përballur edhe në të kaluarën me dhunë fizike nga ta.

Vrasja e Valbonës dhe e vajzës së saj

Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj ishin vrarë katër vite më parë, më saktësisht në vitin 2018, në fshatin Brekovc të komunës së Gjakovës. Valbona Ndrecaj, 34-vjeçare, dhe vajza e saj, Klara, 9-vjeçare, u qëlluan me kallashnikov në kokë nga plumbat që pretendohet se u shkrepën nga burri, përkatësisht babai, Pjetër Ndrecaj.

Aktakuza shpjegon se Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë, ndërsa vajza Klara ishte goditur prapa veshit.

Për këto raste të vrasjes së grave është kërkuar në vazhdimësi përgjegjësi nga shoqëria civile e të tjerët. Por vendosja e drejtësisë për to e për viktimat e dhunës në familje në shumë raste po dështon në Kosovë.

Lajme të ngjashme