Nesër do të udhëtonte me kolegët për në Shqipëri: Detaje të reja nga vrasja e mësueses së gjeografisë - NACIONALE

Nesër do të udhëtonte me kolegët për në Shqipëri: Detaje të reja nga vrasja e mësueses së gjeografisë

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Të shtunën e 26 nëntorit, Sadije Godeni kishte planifikuar që të nisej për një shëtitje për në Pogradec me kolegët e saj të shkollës "Dardania" të Prishtinës, aty ku ajo punonte qe 28 vjet si mësuese e gjeografisë. Por shëtitjen me kolegët nuk e bëri 63-vjeçarja.

Fatin, zonja Sadije e pati të tmerrshëm. Ajo u gjet e vrarë me sëpatë mëngjesin e së premtes në shtëpinë ku ajo jetonte vetëm me bashkëshortin, në rrugën "Mark Isaku" të kryeqytetit. I dyshuari për këtë rast është burri i saj 70-vjeçar, Izet Godeni. Nacionale jua sjell hollësitë për këtë rast.

Kishte 28 vjetjepte mësim në shkollën fillore "Dardania" të Prishtinës. Arsimtarja e gjeografisë, Sadije Godeni, asnjëherë nuk kishte munguar në procesin mësimor.

Mungesa e saj e vetme qe të premten. Por kjo mungesë nuk u bë me dëshirën e saj.

Mësuesja e gjeografisë, 63-vjecarja Sadije Godeni, u gjet e vrarë mizorisht në shtëpinë ku jetonte me burrin e saj 70-vjeçar. E i dyshuari për vrasjen e mësueses, është pikërisht burri i saj, Izeti. Ky u vetëdorëzua sot në polici).

Si e kuptuan në shkollë për vrasjen e koleges?

Në orën tetë të mëngjesit, mësuesja e gjeografisë, Sadije Godeni, do të duhej ta kishte nisur mësimin me nxënësit e shkollës fillore "Dardania" të kryeqytetit.

Mungesa e saj në dy orët e para të procesit mësimor e shtyri drejtorin Isak Bregaj që të interesohej për vendndodhjen e mësueses, pa ditur se asaj i ka ndodhur një ngjarje fatale.

"Kam kontaktuar në telefon. Nuk më është lajmëruar. Sikur edhe ju, e kemi pa në media. Kemi thirrë në spital, më kanë dhanë pak detaje, por jo shumë. Ajo ka qenë arsimtare në shkollën tonë, e gjeografisë, e klasave të gjashta dhe të shtata. Ka punuar maksimalisht me nxënës, nuk kemi pasur asnjë vërejtje me të e për të. Ajo dje ishte në zyrë te ne. Kërkonte informacione për vendosjen e notave. Dje nuk më ka dhënë asnjë shenjë që ka qenë e shqetësuar"- tha për Nacionalen drejtori i shkollës "Dardania”, ku jepte mësim e ndjera.

E si mësuese të përkushtuar ndaj profesionit e kujtojnë edhe ish-nxënësit e saj.

"Arsimtare më të mirë nuk ka pasur shkolla e Dardanisë. Ka qenë një arsimtare e mrekulllueshme. Ka qenë arsimtare e djalit tim. Ka qenë shumë e urtë, e mirë, e sjellshme. Për atë erdha deri këtu, për me shprehë ngushëllime"- ka thënë për Nacionalen Besim Muqiqi, ish-nxënës i mësueses tashmë të ndjerë, Sadije Godeni.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Të premten në mëngjes, të gjithë u tronditën nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në Prishtinë. Bëhet fjalë për vrasjen e mësueses së gjeografisë, Sadije Godeni, 63 vjeçe, nga burri i saj.

Sipas Prokurorisë, ngjarja makabre ndodhi dikur në orët e para të mëngjesit të së premtes.

“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”- ka thënë Prokuroria në njoftimin e saj.

Megjithatë, ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje, sipas prokurorisë.

“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”- thonë tutje nga prokuroria.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion, ndërsa burri i saj është arrestuar.

"Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeçe, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion"- i tha Nacionales Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

E fqinjët e tashmë të ndjerës i thanë Nacionales se nuk kanë dëgjuar se çifti ka pasur probleme.

Njëri prej fqinjëve tha Nacionales se çifti ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Sipas tij, djali i tyre gjendet në Zvicër, ndonëse shton se akoma nuk ka ardhur.

“Nuk kemi dëgjuar asnjëherë që të kenë probleme. I kanë dy fëmijë. Djalë e çikë. Djalin e ka në Zvicër. Ai në Zvicër është. Ende nuk ka ardhë”- ka thënë ai.

Lajme të ngjashme