"Fitore boll mo": Deputete Pacolli gënjeu dhe duhet të kërkojë falje - NACIONALE

"Fitore boll mo": Deputete Pacolli gënjeu dhe duhet të kërkojë falje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e partisë në pushtet, [VV] me emrin Fitore Pacolli, ka etiketuar gazetën Nacionale me një pretendim se ndaj saj është bërë një artikull “fake news” (ang. lajm i rremë). Në fakt, është vetë deputete Pacolli ajo që ka bërë ‘fake news’ – dhe për një gjë të tillë duhet të kërkojë falje.

Përmes një shkrimi në Facebook, natyrisht me gabime drejtshkrimore, deputetja ngre pretendime të paqëndrueshme.

“Pak me vonesë e pashë këtë fakenews nga Nacionale.com”shkruan znj. Pacolli.

artikullin në fjalë (artikull i Blogut Ditor) të shpërndarë nga Nacionalja, është titulli “Konjufca s’ia dha fjalën në Kuvend, Pacolli u kapet mediave që raportuan”.

Po ashtu, aty është edhe mbishkrimi “Konjufca iu drejtua sot Pacollit me fjalët “boll më”.

Të gjitha pretendimet e ngritura nga Nacionalja, qëndrojnë.

Kryekuvendari Konjufca nuk ia dha fjalën në Kuvend znj. Pacolli në një rast, madje duke ironizuar me kërkesën e saj për të marrë fjalën me ironi “Edhe një tjetër mocion e ki, znj. Pacolli? Fitore, a është kamera e msheftë a përnime po ma kërkon fjalën?”

Pak sekonda më vonë, Konjufca kthen fytyrën serioze derisa edhe duket i bezdisur duke i thënë “Fitore, boll mo!” – gjë të cilën mund ta evidentoni edhe në videon e mëposhtme.

Kundër ‘situatës së pakëndshme’

Pacolli sulmonte medie të tjera në një postim të datës 4 gusht, e në të cilat shpërndahej raportimi se “kishte ndodhur një situatë e pakëndshme në Kuvend”.

Ajo pretendonte se “Glauku nuk u nervozua me të, e as ajo me Glaukun” duke shtuar se “ne ishim në qef dhe me disponim si kurrë më parë”.

Disponimi e qejfi megjithatë nuk janë aq objektive për t’u vërejtur siç pretendon Pacolli. Për më tepër, kalimi i Konjufcës nga qeshja në bezdi për t’i thënë “Fitore boll më,” lë hapësirë të madhe interpretimi.

Nacionale ka raportuar në lidhje me këtë sulm që i ka bërë Pacolli mediave, dhe i cili fatkeqësisht nuk ishte i pari.

Që nga katër gushti kanë kaluar plot katër ditë, dhe si duket Pacolli ende nuk e ka marrë veten nga mënyra se si i foli kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mirëpo ky nuk është problem i redaksisë tonë. Kjo redaksi kërkon përgjegjësi për fjalën publike.

Kundër mediave

Jo më larg se para tri javësh, Fitore Pacolli kishte sulmuar mediat në një tjetër deklarim të saj në Kuvendin e Kosovës.

Ajo bëri thirrje që të kishte rregullim qeveritar të medieve.

Kjo deklaratë ishte dënuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës [AGK] që e konsideroi si thirrje të hapur për intervenim direkt nga Qeveria për të kontrolluar mediat. Këtë gjë, AGK-ja me të drejtë e konsideronte si “të papranueshme”.

Por, historia e tensioneve të Pacollit me mediet është edhe më e gjatë se sa ekzistenca e Nacionales (mars 2022).

Ajo i kishte dhënë mbështetje të hapur grupit #meKryeministrin, ku njëri prej administratorëve ishte vëllai i saj, Fitimi. Për më keq, ajo madje edhe kishte postuar në këtë grup, së bashku me deputetë të tjerë por edhe profile të rreme si Via Smith dhe të tjerë.

Aktivë në këtë faqe në mbështetje të kryeministrit besohet të jenë edhe profilet e rreme që marrin emra të heronjve kombëtarë si Çerçiz Topulli, Oso Kuka dhe të tjerë.

Ky grup ishte denoncuar edhe nga presidenti i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez. Kjo kishte ardhur pas disa sulmeve tmerruese ndaj gazetarëve e gazetave të Kosovës.

Për rastin në fjalë, Nacionale kërkon nga znj. Pacolli-Dalipi të tërhiqet nga fjala e saj dhe të kërkojë falje.

Lajme të ngjashme