Vërshimet: Dëme të mëdha gjithandej, një qytetar lë kerrin disa fshatra larg - NACIONALE

Vërshimet: Dëme të mëdha gjithandej, një qytetar lë kerrin disa fshatra larg

3 vjet më parë

nga Blendrita Avdiu

Shumë nga komunat e Kosovës që nga dje janë përfshirë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut që kanë rënë ditëve të fundit. Reshje të dendura ka pasur sidomos gjatë 24 orëve të fundit, që kanë shkaktuar vërshime e dëmë materiale nëpër disa komuna.

Në disa fotografi të dërguara nga një lexues i gazetes Nacionale, shihet se si janë përmbytur disa nga restorantet në Magjistralen Klinë-Gjakovë, saktësisht në fshatin Volljakë.

Në ato fotografi, shihet se sasia e madhe e ujit ka arritur të mbyllë gjithë dyert e këtyre restoranteve duke iu shkatuar edhe dëme të mëdha materiale.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me njërin nga pronarët e një nga lokalet të cilat shihet se janë përmbytur dhe janë vërshuar.

Pronari i lokalit ‘Central Park’ në Volljakë, Afrim Morina, në një bisedë për gazetën Nacionale, ka thënë se dëmet materiale janë shumë të mëdha ndonëse tha se pothuajse çdo vit e kanë të njejtën problem kur ndodhin vërshimet.

Ai tutje tha se deri më tani asnjë ekip nuk ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se thotë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga komuna.

Deri më tani nuk ka pasë asnjë ekip në vendin e ngjarjes, gati një kat ujë është përbrenda, janë thyer dy dyer të para. Thuaja për çdo vjet po kemi 20 mijë euro deri në 30 mijë euro dëmë dhe nuk kemi asnjë ndihmë,” - ka thënë ai për Nacionale.

Ai tutje ka thënë se nëse do të rregullohej shtrati i lumit ndoshta nuk do të ishin dëmët kaq të mëdha.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj i cili tha se ekipet janë në terren që nga dje.

Ai tutje tha se mbrëmë ka vizituar personalisht disa prej lokaleve aty dhe ka diskutuar me disa nga pronarët për këtë qështje.

Ekipet sigurisht se janë gjithë ditën duke monituruar, unë personalisht kam qenë mbrëmë deri në orët e vona dhe i kam vizituar ato lokale po që ajo është një dukuri e cila po përseritet me vite të tëra edhe pse këtë vit dhe vitin e kaluar kemi bërë investime të mëdha në zgjerimin e shtratit të lumit mirëpo reshjet e mëdha këtë herë kanë qenë të një natyre të madhe dhe i kanë tejkaluar të gjitha pritjet,” - ka thënë Elezaj.

Ai tutje ka thënë se janë gati gjashtë lokale që janë përfshirë nga këto vërshime, ndonëse tha se këtë vit pritet që të formohet komisioni dhe të vlerësoj dëmët e shkaktuara dhe më pas tha që do të marrin iniciativen që t’i ndihmojnë këto biznese.

Në vitin 2020 i kemi ndihmuar nga kategoria për subvencion me aq mundësi sa kishte komuna, ndërsa vitin e kaluar kanë shpëtuar pa u vërshuar, ndërsa këtë vit mënjëherë do të themelojmë komisionin i cili do të bëjë vlerësimin paraprak dhe po besoj që edhe kësaj radhe kemi premtime që edhe nga Qeveria do të mbështetën të gjitha ata që kanë pesuar dëmë”, ka thënë Elezaj për Nacionale.

Ndërkohë, lexuesit kanë dërguar fotografi edhe në fshatin Turjakë të Malishevës ku shihet se si reshjet e mëdha kanë bërë të pakalushme ose vëshitrë të kalueshme këtë rrugë.

Një nga lexuesit e Nacionales, ka thënë se gjersa ishte duke shkuar në punë, është dashur ta lë makinën në atë fshat dhe të kalojë atë rrugë me autobus për shkak se për makina është vështirë e kalueshme.

E kam lënë makinën në fshatin Turjakë dhe e kam kaluar me autobus atë rrugë pasiqë ishte vështirë e kalueshmë për makina”, ka thënë ai.

Gazeta Nacionale mënjëhere ka kontaktuar Drejtorin për Mbrojtje në Malishevë, Shqipron Shala, për të pyetur për gjendjën e kësaj rruge dhe mundësitë e kalimit për qytetarët.

Ai ka thënë se kjo rrugë në fshatin Turjakë në mengjes ka qenë e pakalueshme, ndërsa pas orës 11 është liruar totalisht.

Shala tutje është shprehur se në Malishevë aktualisht gjendja është e qetë, ndonëse pohoi se e vetmja rrugë e pakalueshme është ura që lidhë fshatin Mirushë me Gurëbardhë.

Gjëndja momentale në komunen e Malisheves tani për tani, është e qetë, e vetmja rrugë e cila vazhdon të jetë e pa kalushme është ura, e cila e lidh fshatin Mirushë që shkon në drejtim të fshatit Gurëbardhë, të gjitha rrugët tjera janë të kalueshme”, ka thënë Shala.

I njëjti problem aktualisht është edhe në Fashtin Bardhë të Madhë, në Fushë Kosovë ku shihet se një rrugë është mbuluar nga uji dhe se është vështirë e kalueshme.

Ndryshe, Gazeta Nacionale dje ka raportuar edhe për vërshimet në qytetet e Kosovës në të cilën thuhej se komunat më të prekura ishin Peja, Istogu, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaj, por edhe komuna të tjera kryesisht në rajonin e Dukagjinit.

Nacionale pati kontaktuar me kryetarët e komunave që kanë më shumë probleme, të cilët kishin paralajmëruar se nëse reshjet e shiut nuk ndalen, situata do të përkeqësohet.

Në anën tjetër, dje Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka reaguar duke njoftuar për gjendjen emergjente dhe hidrologjike që është krijuar në vend si rrjedhojë e reshjeve të ditëve të fundit.

Në një njoftim të tyre në Facebook, thuhej se reshjet e shiut të cilat kanë filluar nga dje, pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, të cilat do të shtohen gjatë pasditës së shtunë, deri të hënën me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territorial.

Sipas tyre, më të theksuara do të jenë në zonën e Dukagjinit, më pas në atë veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit.

Më të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec), pastaj pjesa Veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Lajme të ngjashme