U tha se 'i shiti interesat e punëtorëve': Kush është Atdhe Hykolli, kryetari i BSPK-së të cilit po i kërkohet dorëheqja?
Atdhe Hykolli, kryetari i BSPK-së, ka tronditur sindikalistët me mbështetjen që i ka dhënë kryeministrit Albin Kurti sa i përket Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë. Por, kush është Atdhe Hykolli që dikur ishte vartës i Rrahman Jasharajt?
Hykolli kishte qenë në ballë të Grevës së Përgjithshme kur ajo ishte shpallur më 25 gusht të këtij viti. Por, çuditërisht i kishte shpëtuar mirë fushatës së linçimit nga Vetëvendosje që e kishte vënë në shënjestër vetëm Rrahman Jasharajn e SBAShK-ut.
Por, tash po dalin detaje të reja nga sindikatat që po shprehin dyshime në lidhje me veprimet e z. Hykolli.
Mbi 30 organizata e sindikata u raprotua se po kundërshtonin Ligjin për Paga. Sindikata e Pavarur e Administratës Publike (SPAK) u shpreh “e tronditur” dhe u distancua fuqishëm nga qëndrimet e Atdhe Hykollit. Ndërsa Sindikata e Shërbimit Civil shkoi më larg duke e akuzuar këtë të fundit se kishte shitur interesat e punëtorëve.

“Një veprim i tij i dyshimtë është vërejtur edhe gjatë kohës sa ishin duke u mbajtur grevat e BSPK-së e që zgjatën rreth pesë javë derisa z. Hykolli, takohej me Qeverinë fshehurazi dhe pa dhënë sqarime se çka u bisedua në ato takime...” – thanë nga kjo sindikatë.
Nacionale e kishte quajtur z. Hykolli si ‘sindikalist të preferuar’ të kryeministrin Kurti muaj më parë, pasi kishte vërejtur afërsinë e këtij të fundit me kreun e BSPK-së.
Por, kush është Atdhe Hykolli?
2 tetori i vitit 2021 ishte ditë e zakonshme për të gjithë ne. Por, jo edhe për Atdhe Hykollin dhe Albin Kurtin. I pari do të zgjidhej kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në një kohë kur kishin ndodhur dhjetëra protesta kundër veprimeve e mos-veprimeve të Qeverisë Kurti II.
Ai kishte marrë besimin e rreth 150 delegatëve për të drejtuar BSPK-në për katër vitet e ardhshme.
Por, i pranishëm në atë mbledhje në të cilën ai do të zgjidhej kryetar do të ishte edhe hiç më pak e as më shumë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Edhe Kurti do të duartrokiste zgjedhjen e Hykollit ndërsa në anën tjetër po provonte të heshtte sindikatat tjera.
Hykolli, 50 vjeçar, është profesor i asociuar në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Ai është marrë edhe me botime letrare për një periudhë të gjatë kohore. Ai ishte pjesë e sindikatës që drejtohet nga Rrahman Jasharaj, si punëtor i sektorit të arsimit, por duke qenë shumë më i fuqishëm financiarisht se punëtorët që mbron më me forcë Jasharaj, ata të shkollave të mesme e fillore në Kosovë që kanë edhe paga më të vogla.

Vlen të theksohet që z. Hykolli kishte qenë në ballë të Grevës së Përgjithshme si kryetar i BSPK-së, dhe i kishte dalë kundër në disa raste fushatave linçuese të Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, duket se gjërat në këtë drejtim nuk ishin bash ashtu siç dukeshin.
Nacionale ka thirrur z. Hykolli për t’i marrë një prononcim por ai nuk ka qenë i qasshëm.