Tronditja me kryetarin e BSPK-së Atdhe Hykollin: A e kapi Albin Kurti edhe 'sindikalizmin'?
Sindikalizmi duket se po merr goditje të forta gjatë Qeverisë Kurti, që nuk duket e afërt me përfaqësuesit e punëtorëve pavarësisht se është e deklaruar si parti e qendrës së majtë. Së fundi, një zhvillim i ri dramatik po merr dhenë por i cili aktualisht ende po qëndron në heshtje. Për çka bëhet fjalë?
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, mori një vendim të paparashikueshëm në fund të kësaj jave: i dha mbështetje Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Veprimi e vendimi i tij kishte shokuar Sindikatën e Pavarur të Administratës Publike (SPAK).
“SPAK-u është i shokuar dhe distancohet fuqishëm nga ky qëndrim i z. Hykolli duke e konsideruar dhe konstatuar se ky qëndrim është puro personal i tij dhe assesi qëndrim i BSPK-së e as qëndrim i kryesisë së BSPK-së, pasi që kryesia nuk është ftuar të diskutonte për këtë temë,” – thuhej në këtë reagim të ashpër.

Por, e gjithë kjo kishte qenë pak a shumë e parashikueshme ani pse krejt e pamenduar vetëm disa javë më parë.
Atdhe Hykolli kishte shpallur Grevën e Përgjithshme më 25 gusht të këtij viti. Ai do të ishte njeriu kryesor i kësaj greve që u sulmua ashpër nga pushteti, por çuditërisht në shënjestër do të ishte Rrahman Jasharaj me sindikalistët e tjerë. Por, çuditërisht Hykolli do të shpëtonte pa ‘therë në këmbë’ nga fushata e linçimit që nisi prej asaj dite e vazhdoi deri në fillim të tetorit.
Ja çka shkruante Nacionale në një prej shkrimeve të saj dedikuar grevës qysh më 23 shtator të këtij viti:
“Eksponentët e pushtetit, përfshirë edhe zyrtarët qeveritarë, prej ditëve të para të Grevës së Përgjihshme kanë dashur të sulmojnë specifikisht një njeri: Rrahman Jasharajn. Rrëfimi i ndërtuar i pushtetit ishte se kishim të bënim me një grevë që po e organizonte një njeri i vetëm. Kjo nuk ishte e vërtetë! Greva ishte e organizuar nga BSPK-ja që udhëhiqet nga z. Atdhe Hykolli. Kryeministri Kurti e kishte takuar disa herë Hykollin, por megjithatë shënjestër e sulmit të tij ishte bërë vetëm Jasharaj – përkundër që, as Hykolli e as kryesindikalistët e tjerë nuk kishin pasur më pak zell e guxim se kryesindikalisti i punëtorëve të arsimit.”
Kalë i Trojës?
Dyshimet te kryetari i BSPK-së kishin nisur qysh më herët. Në fillim të nëntorit, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, do të shprehte edhe publikisht këto dyshime duke kritikuar takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti.
“Kur debatohen çështje që iu takojnë të gjithë punëtorëve të sektorit publik, përveç Hykollit brenda përfaqësuesve të BSPK-së duhet të jenë edhe njerëz që përfaqësojnë sindikata tjera.” – kishte thënë z. Jasharaj.
Por, gazeta Nacionale kishte raportuar për z. Hykolli, duke e quajtur edhe “sindikalisti i preferuar i Kurtit” qysh në kohën kur ai ishte në ballë të grevës.
Kurti e kishte pasur ‘në sy të mirë’ Hykollin, duke u deklaruar disa herë pozitivisht për të në medie, dhe madje duke marrë pjesë edhe në mbledhjen e BSPK-së në të cilën ai ishte zgjedhur kryetar.
Kjo mbledhje kishte ndodhur më 2 tetor 2021.
Dhe, derisa Kurti dhe Jasharaj vazhdonin përplasjet e tyre në distancë, Atdhe Hykolli ishte ftuar në Zyrën e Kryeministrit dy herë në fund të vitit 2021, më 9 nëntor 2021 dhe pastaj sërish më 17 dhjetor.
50 vjeçari është profesor i asociuar në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Ai ishte marrë edhe me botime letrare për një periudhë të gjatë kohore.
Reagimet
Reagimet për mbështetjen ‘shokuese’ që Hykolli i dha Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë kanë qenë të pakta.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajljaj, gjatë ditës së djeshme shkroi këto fjalë në profilin e tij në Facebook: “Kryetar legjitim e i denjë i sindikatave është ai/ajo që përfaqëson interesat e qeverisë, e jo interesat e punonjësve e anëtarëve të sindikatave.” Natyrisht, profesori po fliste në mënyrë ironike sepse sindikatat në fakt duhet të jenë në luftë të vazhdueshme kundër Qeverisë.
Nacionale provoi të merrte edhe një qëndrim nga z. Rrahman Jasharaj për këtë zhvillim të ri por i cili nuk ishte i qasshëm deri në këtë moment.
Kujtojmë se javën e kaluar është miratuar në Kuvend Ligji i Pagave që u kritikua për mungesën e koeficientit dhe Ligji për Zyrtarët Publikë që u interpretua si mundësi për politizimin e administratës publike.
PËRDITËSIM: Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës (SSHCK), ka reaguar lidhur me takimin e kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykollime kryeministrin Albin Kurti duke kërkuar madje edhe dorëheqjen e tij.

