30 ditë grevë: 10 pretendimet e ekspozuara si gënjeshtra në lidhje me Rrahman Jasharajn
Sot janë bërë rrafsh tridhjetë ditë prej që ka nisur Greva e Përgjithshme e punëtorëve të sektorit publik. Më poshtë keni dhjetë pretendime që dolën në dritë gjatë kësaj periudhe, e që po gjatë kësaj periudhe u dëshmuan si të pavërteta.
Po e nisim, me shpresën se takimi i sotëm në Komision të Arsimit ku do të marrin pjesë Rrahman Jasharaj, ministrja Arbërie Nagavci dhe ministri Hekuran Murati të rezultojë i suksesshëm!
1. Grevë në takimin Kurti-Vuçiq
Greva e Përgjithshme u paralajmërua më 18 gusht (jo më 17 siç tha dje kryeministri Kurti) dhe u shpall më 25 gusht, tridhjetë ditë më parë.
Kryeministri i Kosovës provoi ta lidhte me Grevën me dialogun e tij me Aleksandër Vuçiqin në Bruksel, meqë paralajmërimi i saj ndodhi në po të njëjtën ditë kur ndodhi edhe takimi me presidentin serb në Bruksel. Anëtari i VV-së Sadri Ramabaja shfryëzoi datën për t’i quajtur sindikalistët si “njerëz pa atdhe”.
Në fakt, dialogimi me Vuçiqin kishte vazhduar edhe pas datës 18 dhe marrëveshja për letërnjoftimet ishte arritur vetëm më 27 gusht, nëntë ditë më vonë. Ndërkohë, paralajmërimi i paralajmërimit të grevës kishte ndodhur muaj më herët.
2. Grevë veç e SBAShK-ut
Eksponentët e pushtetit, përfshirë edhe zyrtarët qeveritarë, prej ditëve të para të Grevës së Përgjithshme kanë dashur të sulmojnë specifikisht një njeri: Rrahman Jasharajn. Rrëfimi i ndërtuar i pushtetit ishte se kishim të bënim me një grevë që po e organizonte një njeri i vetëm.
Kjo nuk ishte e vërtetë!
Greva ishte e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) që udhëhiqet nga z. Atdhe Hykolli. Kryeministri Kurti e kishte takuar disa herë Hykollin, por megjithatë shënjestër e sulmit të tij ishte bërë vetëm Jasharaj – përkundër që, as Hykolli e as kryesindikalistët e tjerë nuk kishin pasur më pak zell e guxim se kryesindikalisti i punëtorëve të arsimit.
3. Jasharaj, anëtar i partisë serbe
Kjo gënjeshtër u plasua së pari nga z. Elvis Hoxha, aktivist i shquar i Vetëvendosjes, dhe u shpërnda më pas gjithandej nëpër rrjete sociale.
Hoxha nuk specifikoi partinë serbe të cilës pretendonte se i takonte Jasharaj. Sidoqoftë, më vonë do të dokumentohej se ai kishte gënjyer dhe një gjë të tillë do ta pranonte edhe vetë. Ish këshilltari i Kurtit kërkoi falje për dezinformatën vetëm pas zemërimit të madh publik që shkaktoi.
Kjo gënjeshtër i kishte shkaktuar kryesindikalistit të arsimit edhe probleme shëndetësore, por edhe emocionale.
4. Mësimdhënësit nuk duan grevë
Një prej përpjekjeve më të mëdha të narrativës së pushtetit, ishte ta shkëpusnin Rrahman Jasharajn nga mësimdhënësit. Pra, çështja ishte të ofrohej ideja se Jasharaj nuk përfaqësonte mësimdhënësit por përfaqësonte vetëm interesa të grupeve të ndryshme.
Mbi 95% të mësimdhënësve kanë mbajtur grevë përkundër presioneve të jashtëzakonshme e publike që iu bënë zyrtarët e lartë qeveritarë, prej kryeministrit e teposhtë.
Shenja të zmbrapsjes nuk ka ani pse jemi në ditën e 30.
5. Kërkesa e 100 eurove, e shkruar nga PDK
Kjo gënjeshtër u tha nga deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi. Duke gjetur një deklaratë të zyrtarit Blerand Stavileci (PDK) thënë më 15 prill, ai pretendonte se kishte gjetur “atë që kishte shkruar” kërkesën greviste për 100 euro.
Në fakt, 100 eurot si shtesë ishin përmendur më herët, tri ditë më herët (12 prill) nga vetë kryeministri Kurti gjatë prezantimit të një pakoje ndihmash me këtë shumë për shumë kategori punëtorësh.
Rrustemi nuk kishte kërkuar falje për këtë pretendim të pambështetur.
6. Rrahman Jasharaj bëri keqpërdorime
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri pretendimin se Rrahman Jasharaj dhe SBAShK-u kishin bërë keqpërdorime financiare prej qindra mijëra eurove.
Menjëherë, Rrahman Jasharaj e kishte dokumentuar të kundërtën dhe pushteti tashmë duket se është zmbrapsur nga kjo akuzë.
7. Jasharaj kërkon rrëzimin e Qeverisë
Rrahman Jasharaj është lidhur madje edhe me një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë Kurti, duke u krahasuar me ish shefin e agjencive të inteligjencës amerikane, Richard Grenell.
Kjo ishte nënkuptuar nga vetë kryeministri Kurti, dhe ishte thënë në mënyrë eksplicite nga deputeti Dimal Basha. Sidoqoftë, nuk është bërë asnjë përpjekje e vetme që të ofrohej ndonjë provë për këtë pretendim.
Jasharaj kishte bërë greva edhe ndaj qeverive të mëhershme dhe kërkesa për Ligj të Pagave dhe Kontratë Kolektive ka gati një dekadë që vazhdon.
8. Jasharaj në sinkron me opozitën
Ky është një prej pretendimeve më të shpeshta të bëra nga eksponentët e pushtetit, dhe nënkuptueshëm edhe nga kryeministri i vendit.
Mësimdhënësit kërkesat e tyre i kishin bërë shumë muaj më herët, prej fillimit të vitit shkollor të kaluar (shtator 2021). Madje, SBAShK-u kishte organizuar protestë masive edhe në muajin prill të vitit 2022, ku nuk kishte pasur asnjë eksponent të ndonjë partie opozitare.
Këto parti parlamentare në kohën e shpalljes së Grevës së Përgjithshme kishin qenë krejtësisht të vona në reagim, marrë parasysh edhe që Kuvendi kishte qenë në pushim.
9. Kërkesa për 100 euro, arbitrare
Kryeministri i vendit e ka cilësuar si arbitrare kërkesën prej 100 eurove shtesë deri në miratimin në Kuvend të Projekt-Ligjit të Pagave.
Në të vërtetë, siç u tha edhe më lart, 100 eurot ishin ndarë prej vetë kryeministrit në mënyrë po aq arbitrare në prillin e këtij viti. Për më tepër, kjo shifër përafërsisht korrespondon me shkallën e inflacionit.
10. Qeveria, korrekte me Projekt-ligj të Pagave
Qeveria kishte premtuar se do ta sillte Projekt-Ligjin e Pagave në Kuvend të Kosovës qysh në muajin mars të këtij viti. Kjo, siç e dimë, nuk ka ndodhur. Në fakt, Projekt-Ligji i Pagave është në diskutim publik dhe po merr kritika të shumta.
Për më keq, ka qëndrime të ndryshme se Projekt-Ligji mund të konsiderohet edhe si jokushtetues, çka mund të bëjë që të marrë edhe vite të tëra deri në hyrjen e tij në fuqi.



