Kurtit i doli kundër edhe “sindikalisti i preferuar”
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) shpalli grevën e përgjithshme në ditën e sotme, dhe jo Rrahman Jasharaj sikundër mendohet gjerësisht. BSPK-ja udhëhiqet nga Atdhe Hykolli, i cili ishte “sindikalisti i preferuar i Albin Kurtit”.
Hykolli më 18 gusht, para një jave, ishte shfaqur në konferencën për media në krah të Rrahman Jasharajt në paralajmërim të grevës së përgjithshme që ndodhi sot.
Kurti e kishte pasur ‘në sy të mirë’ Hykollin, duke u deklaruar disa herë pozitivisht për të në medie, dhe madje duke marrë pjesë edhe në mbledhjen e BSPK-së në të cilën ai ishte zgjedhur kryetar.
Kjo mbledhje kishte ndodhur më 2 tetor 2021.
Dhe, derisa Kurti dhe Jasharaj vazhdonin përplasjet e tyre në distancë, Atdhe Hykolli ishte ftuar në Zyrën e Kryeministrit dy herë në fund të vitit 2021, më 9 nëntor 2021 dhe pastaj sërish më 17 dhjetor.
Por, kush është Atdhe Hykolli?

Duket se tashmë Rrahman Jasharaj po i lëshon vendit gjithnjë e më shumë Hykollit si kryeprotagonist i ngjarjeve sindikale.
50 vjeçari është profesor i asociuar në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Ai ishte marrë edhe me botime letrare për një periudhë të gjatë kohore.
Ai kishte guximin që të dilte në ballë të Konferencës së Jashtëzakonshme për media të datës 18 gusht.
BSPK-ja pas paralajmërimeve dhe vendimeve për ndëshkime nga qeveria e Kosovës, ka lëshuar një komunikatë në të cilën tregon se nuk zmbrapset nga qëllimet e saj.

