Tërbimi i turpshëm – 10 vite nga sulmi ku po debatohej për seksin
Si sot, 10 vite më parë, në një mbrëmje dhjetori me temperatura minus, në Sallën e Kuqe te Pallati i Rinisë po organizohej një event diskutimi mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, si përpjekje për ta dekonstruktuar normën tradicionale mbi seksin dhe diskriminimin ndaj komuniteteve të papërfaqësuara.
Anita Nikaj dhe Halim Kafexholli
Më 14 dhjetor të vitit 2012 shumë rrugë në Prishtinë dërgonin tek Pallati i Rinisë, aty ku po promovohej një magazinë mujore me tematikë seksin. Por, fatet e shumë njerëzve do të ndryshonin që prej asaj nate. Edhe fati i një komuniteti gjithashtu.
Ajo çfarë ka ndodhur atë të shtunë, ende sot është në kujtesën e shumë njerëzve. Nacionale ka folur me disa prej personazheve të cilët ishin brenda sallës ku ndodhi një nga sulmet më të komentuara mbi një revistë dhe një komunitet, pakicë seksuale.
Fillimisht le të kujtojmë se çka ndodhi atë natë:
Teksa organizatorët e promovimit të revistës ishin bërë gati të prisnin mysafirët, para Sallës mbi Pllatonë e Pallatit ishin grumbulluar shumë njerëz. Të tubuar nga thirrje të ndryshme që bënin ftesë për “zhdukje” të një komuniteti, pakicë seksuale.
“P******* jashtë Kosovës” “Allahu Ekber”, ose “Qitni jashtë qafirët”, ishin vetëm disa nga thirrjet të cilat dëgjoheshin, deri në momentin kur turma u fut brenda sallës dhe demoloi disa kukulla të vendosura aty, thyen xhamat e sulmuan disa nga persona të cilët gjendeshin brenda. Policia nuk reagoi dhe tha se janë vetëm 30-40, persona. Nga pamjet ashiqare dukej se turma ishte më e madhe.
Tifogrupi “Plisat”, organizata studentore “Paqja studentore” dhe “Bashkohu”, ishin disa prej atyre që u organizuan për të “sulmuar”.
Çka ndodhi pas asaj nate?
Në një intervistë të vitit 2012, tifo-grupi Plisat si dhe organizata studentore Paqja studentore, kanë mohuar se kanë marrë pjesë në demolimin e objektit si dhe sulmin ndaj personave të cilët ishin duke marrë pjesë në ngjarje.
Mirëpo, Lëvizja për Bashkim, në një debat për –Jeta në Kosovë-,ka pranuar publikisht se ka bërë thirrje për grumbullim si dhe ka qenë pjesëmarrëse në demolimin e hapësirës.
“Në kemi qenë aty, nuk po e mohojmë. Në pallatin që e përmendi zonja, që e kanë ndërtuar prindërit tanë nuk kemi dashtë që më ardhë degjenerimi. Në bazë të emrit që e ka, Pallati i rinisë është i vetmi simbol i rinisë që ky qytet e ka. Edhe janë mshefur qëllimet e vërteta të këtij organizimi, nuk ka qenë diskutimi për seksin ashtu qysh është diskutua ne media. Ne nuk kemi qenë kundër medias së lirë dhe publikimit të revistës, sepse kemi revista më përmbajtje edhe më të fëlliqur që shitën rrugëve të Prishtinës. Por kemi qenë kundër grumbullimit të homoseksualeve të degjeneruar nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Organizatorët e kanë cekur se qëllimi i këtij grumbullimi ka qenë, që ti grumbullojnë të gjithë homoseksualët nga Ballkani në Prishtinë, që të i trajtojnë sfidat që të gjejnë zgjidhje në Prishtinë... Ky është një degjenerim i pastër,” ka thënë Bujar Gjikokaj nga lëvizja Bashkohu
Thirrjet e vazhdueshme, për të sulmuar personat të cilët ishin duke marrë pjesë në event, rezultuan të sukseshme pasi që disa persona thyen xhamin e derës kryesore dhe filluan demolimin e disa kukullave të vendosura në korridorin e sallës së kuqe.
Rreth rrjedhjes së asaj ngjarje, për Nacionale ka folur edhe ish-gazetarja e Kosovo 2.0, Cristina Mari.
Siç, spjegon Mari, atë ditë ajo kishte një rol kujdestarie ëe te sigurohej që gjërat të shkonin në drejtimin e duhur. Megjithatë, ajo kishte hetuar se grupe njerëzisht që nuk ishin pjesë e aktivitetit silleshin vërdallë sallës, gjë e cila detyroi organizatorët e eventit të kërkonin ndihmën e policisë. Megjithatë, ardhja e 3-4 policëve siç kujton gazetarja spanjolle, nuk do të ishte e mjaftueshme ta ndalte vërsuljen e grupit të tërbuar, të cilët rezistencën e Cristina Mari dhe të një kolegu të saj për ta mbajtur deren të mbyllur e thyen shumë shpejt.
“Unë isha në mes duke bërë rregullimet e fundit, i kam parë duke hyre brenda dhe kam filluar të vrapoj që t’i lajmërojë kolegët e mi se personat të cilët janë duke qëndruar jashtë janë duke u futur brenda sallës. Filluan që të demolojnë çdo gjë që ishte në korridor dhe ndjesia ishte se do të vazhdonin të vinin deri tek salla kryesore, vazhdimisht kam bërtitur “Janë duke ardhur brenda” kam mbajtur derën që ata të mos futen brenda”, kujton atë natë traumatike Mari dhe thirrjet fetare “Allahu Ekber” të turmës, me policinë që nuk po arrinte ta parandalonte atë turmë.
Pas këtij sulmi, një grup nga pjesëmarrësit në event kishin tentuar të vazhdonin qëndrimin në parti, mirëpo policia kishte urdhëruar organizatorët ta mbyllnin eventin sepse siguria ishte e brisht.
“Të gjithë sa ishim brenda jemi larguar nën mbrojtjen policisë, në mesin e të gjithë huliganëve të cilët brohorisnin me sharje homofobike, jemi larguar nga 5 persona. Unë kam qenë personi i fundit që kam dalë nga salla dhe kur kam kthyer kokën për të parë mbrapa nuk ka qenë asnjë polic”, kujton Mari.
Megjithëkëtë, Cristina Mari thotë se është krenare për punën dhe angazhimin e saj.
“Si gazetare mund të them se kjo është puna më e mirë që kam bërë dhe që më bën të ndihem krenare”, thotë Mari për Nacionale.
10 vite pas!
Nëse sot kthehemi për të parë atë se çfarë ka ndodhur, nuk mund të gjesh shume shkrime apo video, pasi pothuajse të gjitha janë larguar nga platformat online.
Mirëpo, rrëfimet e personave të cilët kanë qenë prezent at natë në Pallatin e rinisë, përcjellin rrëfimet e tyre në 10 vjetorin e ngjarjes.
Sulmet kishin vazhduar edhe më vonë, ku pjesëtarë të komunitetit LGBT, ishin përcjellë me orë të tëra deri në lokacionin e një nga organizatave të cilat merreshin me të drejtat e komunitetit LGBT.
Një pjesëtare e komunitetit LGBT*, ishte rrahur nga pesë burra në shkallët e një ndërtese, ku kishte pësuar plagë të mëdha ku nuk kishte kërkuar as ndihmë mjekësorë nga frika e paragjykimit dhe stigmatizimit.
Sa ka ndryshuar historiku tash pas 10 viteve.
I ulur pranë dritares së pubit të parë gej në Prishtinë, duke bërë telefonata të një pas njëshme, për të parë se si po shkojnë përgatitjet e fundit për shënimin e 10 vjetorit të sulmit mbi Kosovo 2.0, Lendi Mustafa, pjesëtar i komunitetit LGBT, përpiqet që të na e rrëfej ngjarjen e 14 dhjetorit 2012.
“Nëse ndalemi me e shiku anën pozitive të këtij sulmi, është se e ka ndihmuar shumë komunitetin LGBT në të ardhmen, që kur organizohen ngjarje të tilla më pas ma shumë kujdes nga institucionet, për shkak se bashkëfajtorë kanë qenë edhe vet institucionet të cilat kanë dështuar që të i mbrojnë personat që kanë qenë brenda. Situata sot është më mirë, na gjithmonë duhet më u ndalë më mëndu, prej cilës gjeneratë po nisemi, se nëse flasim për gjeneratat të cilat janë shumë më të reja edhe i pyesim se çka po mendoni për situatën thonë se është shumë keq, nuk ka shpresë për një shoqëri më të mirë, mirëpo nëse e pyesim gjeneratën tonë apo më të vjetër që e kanë pa ndryshmin, e kanë pa se çka ka ndodhë para 10 vjetëve edhe sot, e vërejnë ndryshimin për atë është shumë e rëndësishëm që të kujtohet historia, duhet më ja u kujtua historinë të gjitha moshave, sidomos ngjëratave të reja, tha Mustafa.

Lendi, nuk kishte qenë i pranishëm në natën e sulmit, ai këtë e konsideron si një fat në fatkëqesi.
“Në atë kohë kam qenë më i ri në moshë diku rreth 15-16 vjeçar, e kam planifikuar që të shkojmë më shoqërinë time, pasi që atëherë kam qenë duke punuar edhe në organizatën QESH, mirëpo të shtëpisë më kanë telefonuar se janë duke shkuar për vizitë tek disa familjarë, nuk kam pasur ndonjë mundësi që mos të shkoj. Mirëpo, kur i kam parë lajmet dhe atë se çfarë ka ndodhur, kam thënë më mirë që nuk jamë aty”-, tha ai.
Sipas Mustafës, atë natë kanë dështuar të gjitha institucionet të cilat nuk kanë arritur që të i garantojnë siguri një grupi të tanë, mirëpo 10 vite pas, situata ka ndryshuar.
“Para 10 vjetëve, në Prishtinë ka pasur rrezik edhe për sulme fizike por edhe ato verbale kanë qenë më të ashpra, institucionet i kanë pasur reagimet ndryshe, nuk janë marr parasysh sulmet, por edhe neglizhenca e policisë gjatë sulmit në Pallatin e Rinisë, ka qenë e madhe. Në atë kohë nuk ka pasur mobilizim në fakt kur e krahasojmë më sot që mobilizimi është më i madh ku sulmet parandalohen. Mendoj se njësitet policore, të cilët kanë qenë aty janë kanë të vogla dhe nuk kanë mujt me mbrojt masën, pasi që në videot që shihet janë diku rreth 40-50 persona duke protestuar mos edhe më shumë, në krahasim me 10 policë. Nëse ndalemi me e shikuar anën pozitive të këtij sulmi, është se e ka ndihmuar shumë komunitetin LGBT në të ardhmen, që kur organizohen ngjarje të tilla më pas ma shumë kujdes nga institucionet”, përfundoj deklaratën e tij mendueshëm, duke tentuar që të reflektojë sa më shumë mbi atë se sa është punuar këto 10 vitë, per të i ofruar siguri komunitetit LGBT.
Sa ka ndryshuar situata në terren është mjaft e vështirë të thuhet varësisht nga cili këndvështrim e shikon.
Në vitin 2014, është mbajtur parada e parë e krenarisë në kryeqytetin e Prishtinës, e cila është pritur më reagime të përziera mirëpo pa ndonjë incident të madh.
Përkundër këtyre sfidave, komuniteti LGBT në Kosovë ka punuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nxitur mbrojtjen ligjore.
Në vitin 2014, qeveria e Kosovës miratoi një ligj që ndalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në punësim, arsim dhe fusha të tjera. Megjithatë, ky ligj nuk është zbatuar plotësisht dhe shumë individë LGBT ende përballen me diskriminim dhe dhunë.
Në vitin 2020, parlamenti miratoi një ligj që lejon individët transgjinore të ndryshojnë gjininë e tyre ligjore pa iu nënshtruar një operacioni të ndryshimit të seksit.
Pavarësisht këtyre hapave përpara, mbetet shumë punë për t'u bërë për të mbrojtur dhe mbështetur plotësisht komunitetin LGBT në Kosovë. Diskriminimi dhe dhuna ndaj individëve LGBT mbetet një problem i përhapur dhe qeveria duhet të vazhdojë të ndërmarrë veprime për të adresuar këtë çështje. Kjo përfshin zbatimin e ligjit kundër diskriminimit dhe miratimin e mbrojtjeve të tjera ligjore, si dhe edukimin e publikut dhe promovimin e pranimit dhe mirëkuptimit të komunitetit LGBT.


