Teologu për deklarimet se po dëmtohen raportet me Amerikën: SjBA-ja i ka diturinë dhe fuqinë që t'i riparojë gabimet tona
Teologu dhe përkrahësi i VV-së, Mustafë Bajrami, ka dalë në mbrojtje të Qeverisë Kurti, duke thënë se janë të pabaza dhe të paqëndrueshme komentet se Qeveria po i dëmton raportet me ShBA-në.
Bajramit thotë se edhe nëse ndonjëherë Kosova mund të gabojë në raport me Amerikën, sipas tij, ShBA-ja i ka diturinë dhe fuqinë ta riparojë gabimin dhe ta pamundësojnë përsëritjen e tij.
Ai pretendon se opozita po tregohet “amatere” me këto deklarime dhe se këto po bëhen për të ardhur në pushtet edhe “në momente të ndjeshme të vendit”.
“Raportet Kosovë-SHBA janë raporte specifike. Ato i tejkalojnë përmasat e raporteve miqësore e diplomatike midis dy vendeve. Janë histori në vete. Prandaj, edhe nëse ndonjëherë gabohet nga ana jonë, SHBA-ja ka diturinë dhe fuqinë ta riparojë atë gabim. Bile, kanë mekanizma efikas edhe ta pamundësojnë përsëritjen e atij gabimi”- ka shkruar ai në Facebook.
Shkrimi i tij i plotë:
Akuzat e vazhdueshme që po i dëgjojmë kundër qeverisë se kinse po i dëmton raportet tona me SHBA-të, janë krejtësisht të pabaza e të paqëndrueshme. Ato janë bërë refrene të bajatshme. Nuk ka qeveri e as kryeministër i Kosovës që do ta dëshironte këtë. Edhe po të kishte, ta zëmë, ndonë nga klasa politike, i tilli s'mund të bëhet kurrë kryeministër i Kosovës. 'Sot'e'për'shtatëqind'vjet'.
Raportet Kosovë-SHBA janë raporte specifike. Ato i tejkalojnë përmasat e raporteve miqësore e diplomatike midis dy vendeve. Janë histori në vete. Prandaj, edhe nëse ndonjëherë gabohet nga ana jonë, SHBA-ja ka diturinë dhe fuqinë ta riparojë atë gabim. Bile, kanë mekanizma efikas edhe ta pamundësojnë përsëritjen e atij gabimi.
Botërisht dihet se SHBA-të zhvillojnë politika afatgjata. Pikërisht sepse janë superfuqi. SHBA-të kanë bërë mund të madh, harxhime të mëdha e viktima në njerëz për ta bërë Kosovën shtet.
Në anën tjetër, ky shtet i vogël që quhet Kosovë, (edhe me dashtë) nuk e ka fuqinë të prishë punë në raport me SHBA-të.
Andaj e them me plotë gojë se opozita është duke u treguar skajshmërisht amatere me këto deklarime. Në rastin më të lehtë, ajo po mundohet t'i hedh hi syve qytetarëve për t'i lajthitur edhe në këso momente të ndjeshme për vendin. Vetëm e vetëm ta marrë pushtetit. Me çdo kusht. Dhe kjo është e padenjë dhe nuk meriton respektin...!
