Shqipëria në ‘gjendje lufte’ – Për dy ditë, katër të vrarë nëpër qytete të ndryshme - NACIONALE

Shqipëria në ‘gjendje lufte’ – Për dy ditë, katër të vrarë nëpër qytete të ndryshme

4 vjet më parë

nga Besian Beha

Katër qytetarë kanë mbetur të vrarë për më pak se 48 orë në Shqipëri. Nga arsyet e parkingut e deri te lufta ndërmjet bandave, kanë bërë që katër persona të humbin jetën në Sarandë, Vlorë e Elbasan.

Për një vend parkingu në qytetin e Sarandës, të mërkurën pasdite u vra një person. Rasti ka ndodhur në afërsi të një restoranti, ku i përfshirë ishte edhe kamarieri.

Gjithçka kishte nisur për një vend-parking i cila nxiti tensione mes kamarierit dhe një qytetari tjetër që ishte me veturë në afërsi. Si pasojë, aty u vra Klodian Bakiaj nga Tepelena.

Për ngjarjen është arrestuar 24-vjeçari, kamarieri nga Laçi Xhanelo Tarja, bashkë me vëllanë e tij dhe pronarin e hotelit.

Vetëm pak orë më pas, po të mërkurën, një tjetër krim tronditi Shqipërinë. Një vrasje e ngjashme për arsye banale ndodhi në qytetin e Elbasanit.

Siç raportuan mediat në Shqipëri, gjithçka kishte nisur si pasojë e një konflikti çasti që kishte nisur me motive të ulëta “pse po më shikon”.

Një debat banal në lokal mes të rinjve, bëri që të vritej me shurdhues Madrit Ulqinaku 33-vjeçar.

Për ngjarjen është arrestuar Ejden Dino, ndërsa autori Horgito Peqin dhe shoku i tij Klaudian Sallufi janë shpallur në kerkim.

E për të kulmuar ditët e mbushura me krim në Shqipëri, ndodhi një atentat në qytetin e Vlorës.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, dy persona mbetën të vdekur në Panaja të Vlorës, teska po udhëtonin me një automjet tip “Benz” dhe u qëlluan për vdekje nga një tjetër automjet në lëvizje.

Automjeti tip “BMw”, i autorëve, të cilët dyshohet se janë tre, është djegur në fshatin Frakull të Fierit, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatik.

Gjithë ky rast në Vlorë, nga mediat në Shqipëri po raportohet si një hakmarrje e një beteje bandash që ka nisur kohë më parë. Se do të vazhdojnë vrasjet dhe lufta e bandave në Shqipëri, e kishte paralajmëruar pak ditë më parë profesori në Universitetin e Tiranës, Ervin Karamuço. Ai kishte thënë për Nacionalen, se këto banda janë të pakapshme për shtetin.

Kriminaliteti në vendet e Rajonit

Vrasjet e tilla, janë të shpeshta në Shqipëri. Bandat kriminale përfshirë trafiku i drogës, ka bërë që Tirana zyrtare të jetë në mesin e shteteve me më së shumti kriminalitet në Rajon.

Sipas Numbeo, një platformë profesionale e mbledhjes dhe analizimit të të dhënave, Shqipëria renditet në vend të dytë për nga niveli i kriminalitetit në të gjithë Europën e Jugut duke u kaluar me një diferencë të vogël vetëm nga Greqia, e cila renditet e para.

Shqipëri ka një indeks 47.01 të kriminalitetit, kurse Greqia që renditet e para e ka 47.97. Aty diku në krye të renditjes, gjendet edhe Kosova.

Vetëm gjatë 8 muajve të parë të këtij viti në Shqipëri kanë ndodhur 42 atentate dhe janë shënuar 24 të vdekur si edhe 23 të plagosur.

Renditja për nivelin e kriminalitetit: Greqia, Shqipëria, Italia, Malta, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Sllovenia.

Dallimet Shqipëri – Kosovë

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, në Shqipëri janë regjistruar 22 vrasje. Kështu kishte bërë të ditur Policia e Shqipërisë në një përgjigje për gazetën Nacionale.

“Si rezultat i punës parandaluese, goditjes së grupeve kriminale dhe të vrasësve me pagesë, 6-mujorin e parë të vitit 2022 kanë ndodhur 13 vrasje më pak. (Gjatë vitit 2021 - 35 vrasje; Gjatë vitit 2022 - 22 vrasje)”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Shqipërisë

Në këto statistika, nuk hyjnë edhe dy atentatet që ndodhën në Fushë Krujë e Laç. Katër persona mbetën të vrarë në dy atentate, brenda 5 ditësh në muajin korrik. Gjë që e rrit numrin e vrasjeve në mbi 25.

Numër shumë më i ulët i vrasjeve ndodhin në Kosovë. Në statistikat që gazeta Nacionale ka siguruar nga Policia e Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, në Kosovë ka pasur 13 vrasje. Pra, 9 vrasje më pak se në Shqipëri për të njëjtën kohë.

“Gjatë gjashtë mujorit të parë 2022 janë evidentuar 13 raste të vrasjeve”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Nacionalen.

Megjithatë, statistikat dallojnë dukshëm më shumë në të dhënat zyrtare për vrasjet e kryera gjatë vitit 2021

Në Shqipëri, vetëm vitin e kaluar janë kryer 61 vrasje. Kështu thuhet në raportin e Institutit të Statistikave në Shqipëri për vitin 2021.

Përderisa, në Kosovë, përgjatë gjithë vitit 2021, janë kryer 27 vrasje. Bazuar në statistikat e vitit 2021, në Kosovë janë kryer 34 vrasje më pak se në Shqipëri.

Megjithatë, tek veprimtaritë ilegale, aty ku Kosova prin në krahasim me Shqipërinë janë vjedhjet.

Ervin Karamuço është profesor në Universitetin e Tiranës, dhe njëherësh njohës i çështjeve të sigurisë. Në një prononcim për gazetën Nacionale, Karamuço flet për dallimet ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në kryerjen e veprave ilegale.

“Ka një luftë midis 4-5 bandave nga zona e Fushë Krujës deri në Shkodër, që kanë tre vjet që po konfliktohen midis tyre dhe tani kanë avancuar. Policia i di këto, por është e pafuqishme për t’u futur në disa territore aty. Këto vrasje ishin paralajmëruara, madje priten të tjera në vijim të muajve që vijnë, për shkak të problemeve që kanë”

“Ne kemi bërë një vështrim komperativ rajonal. E para në strukturë demografike ne jemi më shumë se Kosova si popullsi. Në strukturë të organizimit kriminal, Kosova ka më shumë vjedhjet. Grupet kriminale janë shumë aktive në Shqipëri, kurse Kosova i ka grupet kriminale jashtë vendit në diasporë. Ndërsa këta të Shqipërisë, pavarësisht çka kryejnë shqiptarët jashtë, kanë ende baza brenda territorit”, ka thënë fillimisht Karamuço.

Profesori në Universitetin e Tiranës rendit arsyet pse në Shqipëri, ka më shumë vrasje se në Kosovë.

“Buxheti kriminal nga jashtë vendit vjen dhe investohet këtu. Hesapet vijnë dhe lahen këtu, me problemet që ndodhin jashtë shtetit. Po flasim për krimet nga organizatat kriminale. Nga ana tjetër, ne kemi të shprehur vetgjyqësinë. Për shkak të mosbesimit të organeve gjyqësore dhe korrupsionit në Polici e institucione. Indeksin e besimit tek organet e drejtësisë e keni më shumë se Shqipëria. Korrupsionin në Polici e kemi gjithashtu. Policia e Kosovës nuk ka lidhje të mirëfillta me krimin e organizuar”, shprehet Karamuço për Nacionalen.

“Në perceptimin publik nëse shoh që gjykata e policia janë të korruptuara, punojnë me bandati, unë e zgjidh vetë hallin tim, e marr armën dhe e vras hasmin vetë. Problemi tjetër është ky, që në 23-24 raste kemi vrasje për pronësi, ju e keni zgjidhur çështjen e pronësisë. Jeni shumë më të sistemuar, dhe me rregull për çështje që mund të ketë konflikt në Shqipëri”, thekson më tutje profesori.

Trendi i vrasjeve në Shqipëri, ndër vite ka shkuar duke u rritur. Në vitin 2017 ishin 50 raste, në 2018 u shtua vetëm një, në vitin 2018 u raportuan 58 vrasje në Shqipëri, për të kulmuar në vitin 2021 me 61 vrasje.

Lajme të ngjashme