“Veç Besnik Berishën e dua avokat” – Si po e bllokon i dyshuari gjykimin për vrasjen e Agonis Tetajt - NACIONALE

“Veç Besnik Berishën e dua avokat” – Si po e bllokon i dyshuari gjykimin për vrasjen e Agonis Tetajt

1 vit më parë

nga Besian Beha

Avokati Asdren Mekaj, ishte bërë gati të mërkurën që të shkonte në Gjykatën Themelore të Pejës, në cilësinë e avokatit të Shaban Gogajt. Por, ai në fund refuzoi ta bënte një gjë të tillë. Kjo pasi i dyshuari për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018, nuk po pranon avokat tjetër përveç Besnik Berishës.

Si pasojë, janë bërë më shumë se 1 vit, që nga koha kur nuk është zhvilluar asnjë seancë për vrasjen e Agonis Tetajt në Deçan. Shkak për këtë fillimisht u bë një vendim i Odës së Avokatëve për moscaktim të mbrojtësit sipas detyrës zyrtare. E pasi ngërrçi u zgjidh, tash procesin po e bllokon Shaban Gogaj, i dyshuari për vrasjen e Tetajt. Kjo pasi nuk po pranon asnjë avokat tjetër, përveç Besnik Berishës, që është përjashtuar nga rasti nga Gjykata e Pejës.

Avokati Mekaj në një prononcim për gazetën Nacionale, ka sqaruar se i dyshuari për vrasjen e Agonis Tetajt, nuk ka pranuar as të takohet me të. Kjo pavarësisht se avokati Mekaj ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, dhe ishte përgatitur për rastin.

“Etika profesionale nuk na e lejon me punu nëse pala nuk të pranon. Nuk mundem me e mbrojt askënd që nuk më dëshiron si avokat”, sqarona avokati Mekaj për Nacionalen.

Shaban Gogaj që shihet në pamjet e kamerave duke shtënë në Agonis Tetajn, fillimisht ishte akuzuar për vrasje të rëndë. Pastaj, për vrasje nga pakujdesia. E në fund, u ricilësua sërish vepra penale pasi familja e Tetajt vendosi të publikojë pamjet e kamerave.

Kjo nxiti reagimin e ashpër të avokatit Besnik Berisha, i cili më pas u përjashtua nga ky rast.

Megjithatë, Shaban Gogaj nuk po heq dorë nga avokati Berisha. Këtë ia tha edhe avokatit Asdren Mekaj, që ishte caktuar për ta mbrojtur sipas detyrës zyrtare.

“Ai më thë unë e kam avokat Besnik Berishën, të lutem mos eja në seancë, sepse vetëm Besnik Berishën e dua si avokat. Nuk ka pranuar as me hy me e pa. Edhe prindi i tij më ka thënë se familja e ka avokatin dhe i beson atij”, ka sqaruar më tutje Asdren Mekaj për gazetën Nacionale.

Pasi nuk shkoi në seancë, avokatit Asdren Mekaj iu shqiptua edhe një gjobë. Ai thotë se do të bëj ankesë.

“Përmes mediave e pashë gjobën, dua me bo ankesë. Unë i kam marrë të gjitha shkresat e landës, kur kam dasht me u konsultu me klientin, ai s’ka dashtë asnjë bashkëpunim me mu”, ka thënë avokati Mekaj për Nacionalen.

Gazeta Nacionale ka siguruar edhe letrën që avokati Mekaj ia kishte dërguar trupit gjykues. Aty evidentonte të gjitha problemet që i janë shfaqur nga klineti i tij Shaban Gogaj, i cili nuk po heq dorë nga Besnik Berisha si avokat, edhe pse ai është përjashtuar nga rasti.

Në anën tjetër, Berat Tmava, avokat i familjes së viktimës Agonis Tetaj, ka thënë se pret që drejtësia të triumfojë. Sipas tij, kurdo që marrin ftesë nga Gjykata, ata do t’i përgjigjen.

“Ne nuk kemi çka me shtu. Jemi të gatshëm që kurdo që na thërret Gjykata me qenë pjesë e procesit. Këto janë obstruksione të palës tjetër. Ne presim që herdokur drejtësia të triumfojë”, ka thënë Tmava për gazetën Nacionale.

Gazeta ka pritur një përgjigje për dy ditë nga Gjykata e Pejës, se si do të veprohet tash e tutje, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as prokurori i rastit, Isuf Sadiku.

Si u bllokua procesi gjyqësor?

Rikthimi i veprës penale “vrasje e rëndë” në këtë rast, kishte bërë që avokati Besnik Berisha, mbrojtës i dorasit Shaban Gogaj, të kishte reagime të ashpra në gjykatë. Si pasojë, ai u gjobit e më pas u përjashtua nga trupi gjykues. Oda e Avokatëve kishte marrë vendim që t’ua ndalojë përfaqësimin të gjithë avokatëve në këtë rast, sipas detyrës zyrtare.

Të gjitha seancat për gati 10 muaj kishin dështuar. Kjo solli më pas edhe një vendim nga Qeveria e cila shfuqizoi vendimin e Odës së Avokatëve. Por, vendim i cili nuk u përfill nga Oda, deri para pak javësh.

Oda e Avokatëve së fundmi kishte vendosur ta pezullojë vendimin për mos-caktim të avokatit, duke i hapur rrugë kështu nisjes së procesit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 22 prill ishin takuar me Odën e Avokatëve, pikërisht në ditën kur ishte edhe afati si kërcënim për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Pas takimit u mësua se Këshilli Gjyqësor dhe Oda arritën marrëveshje, që të anulohet vendimi i mëparshëm i odës, për moscaktim të avokatit sipas detyrës zyrtare, për të akuzuarin Shaban Gogaj, dhe kështu vendimet e gjykatave të zbatohen, pa u bllokuar nga ana e odës.

Këtë marrëveshje dhe zgjidhje të ngërrqit e mirëpriti ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila disa herë u përfshi edhe vet, në këtë debat.

“E vlerësoj reflektimin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Shfuqizimi i vendimit që nuk kishte bazë ligjore i hap rrugën vazhdimit të bashkëpunimit institucional. Si përfaqësues të institucioneve duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe interesit të përgjithshëm dhe assesi interesave individuale”, shkroi Haxhiu menjëherë pas marrëveshjes.

Vrasja e Agonis Tetajt

Në shtatorin e vitit 2018, komuna e Deçanit ishte tronditur nga një vrasje që kishte ndodhur brenda një marketi, që në të njëjtën kohë ishte edhe pomë derviatesh.

Djali i pronarit kishte qëlluar me armë zjarri në kokë punëtorin Agonis Tetaj.

Rasti fillimisht u cilësua si vrasje e rëndë, e më pas rrugës u ricilësua në vrasje nga pakujdesia.

Prindërit e Agonis Tetajt pas këtij vendimi, kishin marrë vendim që t’i publikonin pamjet e kamerave, ku shihej momenti i vrasjes.

Pas shumë reagimeve, prokurori i ri i rastit kishte vendosur sërish që vepra të cilësohet si vrasje e rëndë.

Kjo nxiti reagime të ashpra nga avokati Besnik Berisha, i cili më pas u dënua nga Gjykata në Pejë për disa herë, duke u përjashtuar krejt në fund nga rasti.

Lajme të ngjashme