Pas 9 muajsh zgjidhet ngërçi për vrasjen e Agonis Tetajt – përplasje të reja brenda Odës? - NACIONALE

Pas 9 muajsh zgjidhet ngërçi për vrasjen e Agonis Tetajt – përplasje të reja brenda Odës?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

"Shumë keq po shkon puna, s’di çka me thanë kush për këtë punë pse po shkon kështu." ishin fjalët e Isuf Tetajt babait të Agonisit, për gazetën Nacionale, menjëherë pas dështimit të seancës së fundit, për vrasjen e djalit të tij.

E në fakt që punët po shkonin shumë keq me këtë rast, nuk ishte vetëm konstatim i babait të viktimës.

Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor, Oda e Avokatëve, Gjykata, të gjithë akterët që në një formë a tjetrën janë pjesëmarrës në këtë rast, ishin futur në një situatë të paprecedent.

Asnjë seancë, nuk po mbahej prej kohësh, si pasojë e një vendimi të Odës së Avokatëve, që të mos caktojë avokat sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Shaban Gogaj. E gjitha kjo pas përjashtimit nga rasti të avokatit Besnik Berisha nga gjykata e Pejës.

Arrihet marrëveshje në mes Këshillit Gjyqësor e Odës së Avokatëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 22 prill ishin takuar me Odën e Avokatëve, pikërisht në ditën kur ishte edhe afati si kërcënim për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Pas takimit u mësua se Këshilli Gjyqësor dhe Oda arritën marrëveshje, që të anulohet vendimi i mëparshëm i odës, për moscaktim të avokatit sipas detyrës zyrtare, për të akuzuarin Shaban Gogaj, dhe kështu vendimet e gjykatave të zbatohen, pa u bllokuar nga ana e odës.

Kjo marrëveshje pritet ta zhbllokoj procedurë në rastin ku i vrarë mbeti Agonis Tetaj pas 9 muajsh pengesash.

Këtë marrëveshje dhe zgjidhje të ngërrqit e mirëpriti ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila disa herë u përfshi edhe vet, në këtë debat.

“E vlerësoj reflektimin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Shfuqizimi i vendimit që nuk kishte bazë ligjore i hap rrugën vazhdimit të bashkëpunimit institucional. Si përfaqësues të institucioneve duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe interesit të përgjithshëm dhe assesi interesave individuale”, shkroi Haxhiu menjëherë pas marrëveshjes.

Betejë e re, brenda odës

Marrëveshja e odës me këshillin gjyqësor, u mirëprit nga këshilli e ministria, por siç duket kjo çështje po hap një betejë të re, brenda odës.

Nënshtrim, dorëzim, shqetësim, ishin disa nga fjalët që u përdorën nga njërëz të rëndësishëm brenda odës, pas arritjes së kësaj marrëveshje.

SHQETËSUESE PËR OAK-në. Oda e Avoaktëve të Kosovës DORËZOHET para presionit, kanosjeve e hetimeve të kundërligjshme e të padrejta nga akterët e “Drejtësisë” dhe shfuqizon një vendim të drejtë, të mbështetur në fakte të shumta e në një procedurë hetimore.

Vendimi për mos angazhimit të avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin konkret, ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta ndaluar fenomenin e përjashtimit të avokatëve nga gjykimi që në historinë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë deri më tani ishtë NJË dhe i VETMI”. shkroi zëvendës kryetari i Odës, Naim Rudari.

Edhe kryetari i degës së OAK në Gjakovë Ergjyment Barbullushi tha se ishte kundër anulimit të vendimit të odës, e marrëveshjes me KGJK-në.

Sod në mbledhjen e Këshilli Drejtues u ANULUA vendimi i të njejtit organë për mos dërgimin sipas detyrës zyrtare në rastin e Pejes. Unë isha kundër, askush nu votoi kundra përveç meje, dy anëtarë e lëshuan mbledhjen dhe i vetmi që më përkrahu ishte nji zyrtarë në OAK z. Fisnik Bajoku joanëtarë i Këshillit Drejtues Pra ne u gjynjezuam pa nevojë edhpse presionet kanë ekzistuar. A do të jemi në gjendje ndonjiherë që të qendrojim në këmbët tona si shtylla e tretë e drejtësisë?” ka shkruar mënjëherë pas takimit Barbullushi

Në anën tjetër, kryetari i Odës së Avokatëve në Prishtinë Nasuf Hasani, ka mbajtur pozicion krejtësisht të kundërt, madje duke kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit e nënkryetarit të odës, që sipas tij nuk zbatuan vendimin e gjykatës.

Kryetari, Nënkryetari dhe të gjith ata anëtar tê Keshillit Drejtues tê Odês sê Avokatêve tê Kosovë, të cilet kishin mar vendime tê kundraligjëshme për t'mos derguar avokatê sipas detyres zyrtare, sot u detyruan tê tërhiqen prej atyre vendimeve tê cilat i mbrojten qe nga data 12 korrik 2021.

Keta individ e kan cenu rendê imazhin e avokatisê, prandaj per tê miren e tyre dhe tê avokatisë, të japin doreheqje!” ka shkruar Hasani në Facebook.

Kronologjia që çoi në ngërç

Fillimisht Shaban Gogaj, i dyshuari për vrasjen e Agonis Tetajt, për mbrojtës të tij e angazhoi avokatin Besnik Berisha.

Avokati Berisha në seancën e mbajtur më 28 qershor të vitit 2021, në Gjykatën Themelore në Pejë, u përjashtua prej mbrojtjës së Gogajt, nga Kryetarja e Trupit Gjykues Violeta Husaj-Rugova.

Në aktvendimin e gjyqtarës Rugova thuhej: “Deri te ky vendim, trupi gjykues ka ardhur pasi që mbrojtësi në vazhdimësi ka prolonguar çështjen, duke konstatuar në procesverbal që si beson trupit gjykues dhe këtë çështje asnjëherë se ka adresuar tek organi përkatës. I është tërhequr vërejtja, mirëpo praë ka vazhduar dhe pasi është dënuar me gjobë ka konstatuar se nuk i beson këtij trupi gjykues” kështu duke e njoftuar të akuzuarin Gogaj, që në afat prej një muaji të angazhoj avokat tjetër.

E këtu në fakt filloi “beteja” e paparë më herët, në mes institucionëve të drejtësisë kosovare.

Oda e Avokatëve nuk u pajtua me këtë Aktvendim të Gykatës së Pejës. Ata vendosën që mos të caktojnë asnjë avokat sipas detyrës zyrtare për Shaban Gogajn, pasi sipas tyre përjashtimi i avokatit Berisha ishte i pa drejtë dhe dëmton prestigjin dhe nderin e avokatisë.

Pra, Oda e Avokatëve të Kosovës iu vu në mbrojtje anëtarit të tyre Besnik Berisha, duke vendosur të mos caktojë asnjë avokat tjetër, anipse Aktvendimi i gjykatës së Pejës e thoshte të kundërtën.

Këtij hezitimi të Odës, i reaguan ashpër Qeveria, Ministria e Drejtësisë e Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Qeveria kishte vendosur ta shfuqizoi vendimin e odës, për moscaktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare.

Mirëpo ky vendim asnjëherë nuk u përfill nga ana e odës. Ata vazhduan t’i qëndrojnë prapa vendimit të tyre, madje vendimin e qeverisë e quajtën, të pa legjitimitet.

“Në rastin konkret, as Ministria e as Qeveria nuk ka të drejtë të kontrollojë ose të cenojë autonominë e OAK-së. Për më tepër, këta kanë anuluar një vendim që nuk ka qenë në fuqi“. kishte thënë Behar Ejupi, kryetar i odës së avokatëve në një intervistë për Gazetën Nacionale.

Betejën në mes ekzekutivit e odës, tutje e vazhdoi minitria e drejtësisë.

Një shkëmbim letrash në mes babait të të ndjerit Agonis Tetajt e ministrës së drejtësisë Albulena Haxhiu, i parapriu pozicioneve të “betonuara” të ministrisë e këshillit gjyqësor në njërën anë dhe odës së avokatëve në anën tjetër.

Në letrën e babait të të ndjerit Tetaj drejtuar ministres shprehej shqetësimi me vendimin e odës së avokatëve për moscaktim të avokait, rrjedhimisht bllokimit të procedurës.

Ministrja Haxhiu ia ktheu këtë letër Isuf Tetajt, babait të Agonisit, duke i thënë, se i ndanë shqetësimet e njejta me të, në lidhje me rastin dhe duke i premtuar atij se do të punoj në veçanti për këtë çështje.

“Ju njoftoj që brenda kësaj kohe, prej sa kam marr detyrën si Ministre, kam pasur takime me përfaqësuesit e sistemit prokurorial dhe në secilin takim kam shprehur brengën mbi ndikimet e mundshme në përgjithësi mbi sistemin e drejtësisë dhe në veçanti edhe për rastin e vrasjes së djalit tuaj Agonis Tetaj” kishte thënë ndër tjera, në letër, ministrja Haxhiu.

Por, këtu nuk u ndal përfshirja ministrës së drejtësisë në lidhje me këtë situatë.

Ministrja Haxhiu si dhe eksponentë të tjerë të ministrisë u përfshinë, drejtëpërdrejt në këtë rast, edhe disa herë të tjera, duke dhënë deklarata, që paralajmëronin odën e avokatëve se po bëjnë shkelje me moscaktimin e një mbrojtësi tjetër, për të akuzuarin Gogaj.

Një ndër deklarimet më serioze në lidhje me rasitn, ishte kjo e 27 shkrutit të 2022-ës, kur Albulena Haxhiu, ftoi edhe prokurorinë, të ndërmarë masa ndaj odës.

I paprecedent injorimi i vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës dhe vendimit të Qeverisë nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Moszbatimi i vendimeve të plotfuqishme është vepër penale prandaj meqë edhe përkundër vendimit të Gjykatës, vendimit të Qeverisë, Oda nuk lejon caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin e vrasjes së A.T, është koha të aktivizohet prokuroria dhe ta ndalë këtë paligjshmëri dhe dëm të shumëfishtë” pati shkruar Haxhiu në Facebook.

E hiq më i butë nuk ishte as zëvendësi i Haxhiut, Blerim Sallahu, i cili e quajti ndërhyrje eklatante ndaj drejtësisë, vendimin e odës, menjëherë pas dështimit të rradhës për mbajtjen e seancës gjyqësore, më 1 Prill të 2022.

“Sot ishim përsëri dëshmitarë të një ndërhyrje eklatante ndaj sistemit të drejtësisë. Interesat e ngushta personale e grupore të cilat po shtyhen përpara, po e pamundësojnë zhvillimin e rregullt e të ligjshëm të seancave gjyqësore”, shkroi Sallahu.

Pas dështimit të njëpasnjëshëm të seancave gjyqësore, shpërfilljes së vendimit të Gjykatës nga ana e odës, rradha për reagim i erdhi një institucioni tjetër të drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në njërën prej mbëledhjeve të mbajtura muajin e kaluar, “ia mbledhi betë” përfundimisht Odës së Avokatëve, duke ia bërë të qartë se roli i kësaj ode është vetëm t’i përmbush obligimet që i merr nga gjykata, e jo të marrë vendime kokë në vete.

Ndërsa kryetari i këshillit, z. Albert Zogaj, paralajmëroi edhe shkëputje të memorandumit të bashkëpunimit me odën, në rast se oda insiston të mos caktojë avokat, duke e t’a prolongonguar procedurën.

“Ekziston dakordimi i Këshillit që të lëshohet një komunikatë e veçantë për këtë çështje, të dërgohet një shkresë e veçantë në Odën e Avokatëve lidhur me njoftimin se në qoftë se nuk ka reflektim deri në takimin e radhës që është fiks dy javë pas ditës së sotme, në takimin e radhës Këshilli do të jetë për shkëputjen e marrëveshjes me Odën e Avokatëve sipas Memorandumit”. kishte thënë në këtë mbledhje, kryetari i këshillit gjyqësor.

Nga të gjitha këto reagime, siç duket odës, më së shumti i pengoi përfshirja e Minisrisë së Drejtësisë, në këtë rast.

Shkrime të tilla të njëanshme, paraqesin ndërhyrje të plotë në drejtësi dhe bazuar në ndarjen e pushteteve dihet se pushteti ekzekutiv duhet të mbajë larg duart nga sistemi i drejtësisë, e që Oda e Avokatëve të Kosovës, është shtylla e tretë e këtij sistemi dhe kërkojmë nga Ministrja që të veprojë konform autorizimeve të saja ligjore dhe kushtetuese ashtu që të jetë e barabartë dhe e paanshme për të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë“ thuhet në një komunikatë të odës së avokatëve.

E tërë kjo përplasje ndërmjet institucioneve, ka rënë mbi babain e viktimës Agonis Tetaj, z. Isuf Tetaj, i cili për Gazetën Nacionale pati këto fjalë: “Mi ka këput dy këmbët ai djal. Sen ma vështirë nuk kish se me tu vra djali pa hile e pa hak. Bile kanë kalu 3 vjet e hala tu u sjell nëpër gjykata”.

Lajme të ngjashme